Një dokumentar për kujtesën
"Fëmijët e diktaturës"

Tiranë, 20 shkurt 2017 — Si nevojë për të hedhur dritë dhe për të reflektuar mbi të kaluarën, u shfaq sot dokumentari "Fëmijët e diktaturës", një prodhim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, me regji të Besnik Bishës.

Ky dokumentar ka në qendër fatin e katër personazheve në mosha të ndryshme që lindën dhe kaluan fëmijërinë e tyre në burgje apo vende të internimit: Simon Mirakaj, Alma Liço, Ridvana Mena dhe Lurian Mena. Ata i përkasin brezave të ndryshëm dhe sjellin për publikun shqiptar dhe të huaj një qasje autobiografike ndaj sistemit.

Të pranishëm në sallë ishin ish-të dënuar politikë, të internuar, por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte prania e shumë të rinjve. Në sallën e mbushur plot të Kinema Sheraton 1, drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole, tregoi arsyen e realizimit të dokumentarit. "Ajo që donim të arrinim ishte t'i linim këta njerëz të flisnin, sepse kjo nuk ka ndodhur. Ata nuk kanë folur dhe as shoqëria nuk ka pasur një vesh t'i dëgjojë. Pa dëshminë e tyre edhe kujtesa jonë do të ishte e mangët. Po ashtu, duam të rritim ndërgjegjësimin, sidomos te brezi të ri, dhe jam shumë e lumtur që kemi shumë të rinj të pranishëm në shfaqjen e dokumentarit."

Pas përfundimit të dokumentarit, personazhet e tij realizuan një diskutim reflektues me të pranishmit. Alma Liço, njëra nga personazhet, u shpreh: "Ky dokumentar është një arsye që të vihemi me këmbë në tokë për t'iu rikthyer asaj të keqeje të madhe që ka qenë pjesë e jetëve tona, për të reflektuar dhe për ta bërë atë të njohur për brezin e ri."

Në historitë e dëshmitarëve të së shkuarës u përfshi edhe vetë regjisori i dokumentarit Besnik Bisha, i cili tregoi: "Nuk e kisha menduar kurrë që do e kisha kaq të vështirë ta realizoja këtë dokumentar, pasi duhej gjetur forma e përshtatshme për të komunikuar me spektatorin. Por e bënë më të lehtë intervistat e personazheve, të cilat, në fakt, ishin tronditëse, dhe qe e vështirë të hiqje pjesë nga rrëfimet e tyre".

Ky dokumentar vjen në një datë të rëndësishme si ajo e 20 shkurtit, dita jo vetëm e rënies së bustit të diktatorit Enver Hoxha por e cilësuar tashmë edhe si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube