Konferencë dhe Workshop
Hebrenjtë në Shqipëri: Vështrime të Kryqëzuara

Tiranë, 27 janar 2017 — Në "Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit", më 27 janar, u organizua aktiviteti njëditor "Hebrenjtë në Shqipëri: Vështrime të Kryqëzuara", pjesa e parë e të cilit ishte konceptuar si konferencë shkencore dhe pjesa e dytë si workshop me të rinjtë. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Fakultetin e Histori-Filologjisë në kuadër të projektit ndërkombëtar REMSHOA që drejtohet nga universiteti italian LUISS Guido Carli.

Holokausti është një nga tragjeditë më të mëdha të shek. XX, ku u vranë dhe u zhdukën mbi 6 milion hebrenj. Shqipëria ishte i vetmi vend që doli nga lufta e Dytë Botërore me një numër më të madh të popullsisë hebreje sesa kish pasur para luftës. Në vendin tonë hebrenjtë gjetën një strehë të sigurt për qëndrim në kohën kur në të gjitha vendet e tjera të Europës ata po përndiqeshin dhe vriteshin në masë. Bazuar në vlerat mikpritëse të popullit shqiptar dhe tolerancës fetare që na karakterizon, në Shqipëri u shpëtuan mbi 2.000 hebrenj, përveç atyre që kishin ardhur këtu që përpara luftës.

Akademikë, studiues të fushës dhe gazetarë shpalosën një perspektivë të gjerë të marrëdhënieve mes dy vendeve, të shkëmbimeve historike, kulturore dhe të respektimit të të drejtave të hebrenjve në Shqipëri, por edhe fakte dhe dëshmi kritike në lidhje me këtë bashkëpunim. Në përgjithësi, diskutuesit dëshmuan se edhe gjatë periudhës komuniste, kur Holokausti nuk ka qenë në fokus, popullsia hebreje e mbetur në Shqipëri është trajtuar si vendasit pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. Një duo muzikore luajti në violinë dhe kitarë pjesë nga simfoni të kompozuara nga autorë hebrenj, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë në sallë.

Interesi i të rinjve lidhur me këtë ngjarje historike u vu re jo vetëm nga pjesëmarrja e gjerë në konferencë, por edhe nga përfshirja e tyre e gjallë në workshopin e pasdites. Studentë të gazetarisë nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti Europian i Tiranës sollën një risi në mënyrën e trajtimit të historisë duke paraqitur para pjesëmarrësve intervistat që ata kishin kryer me persona të familjeve që shpëtuan hebrenjtë si edhe me pasardhës të vetë familjeve hebreje që qëndruan në Shqipëri gjatë luftës. Përkrahja dhe mirënjohja e popullit izraelit ndaj popullit tonë është shprehur në forma nga më të ndryshmet duke nisur me dhënien e titullit të nderit "Righteous Among the Nations" shumë familjeve shqiptare që ndihmuan familjet hebreje në kohë të vështira.

Në fund, konferenca u përshëndet nga pasardhës të familjeve hebreje në Shqipëri dhe Kosovë, duke u treguar të rinjve histori nga jeta e tyre dhe duke dhënë shembullin më të mirë për mbështetjen dhe ndihmën që u duhet dhënë njerëzve në nevojë pa paragjykuar prejardhjen fetare apo etnike të tyre. Studentët e UT, njohës të historisë dhe letërsisë, madje edhe nxënës të shkollave të mesme, ndoqën me interes të veçantë referimet dhe u përfshinë aktivisht në pyetje dhe diskutime duke dëshmuar nevojën për të mësuar përmes këtyre aktiviteteve për tema të rëndësishme të kujtesës sonë historike.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube