Mes Apatisë dhe Nostalgjisë

17‒18 NËNTOR 2017, TIRANË

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Dita e dytë dhe e tretë e Ditëve të Kujtesës, organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), parashikoi një konferencë me temën "Mes apatisë dhe nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private për komunizmin në Shqipërinë e sotme".

Nostalgjia dhe mënyra se si kujtohet e shkuara u diskutua në nivel shkencor gjatë dy ditëve të konferencës. Drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, tha se në Shqipëri "nostalgjia ndihet lehtësisht në jetën e përditshme dhe kjo e ka bërë të nevojshme përballjen me të shkuarën". Gjatë konferencës ajo solli si shembull të rinjtë, të cilët, gjatë punës së saj qoftë si pedagoge, por edhe si drejtuese e IDMC, kanë shfaqur "kujtesë të huazuar nga familja" kur vjen puna për komunizmin, kujtesë që shpesh vishet me aspekte pozitive, gjë që më së shumti vjen nga mungesa e njohurive rreth diktaturës.

Walter Glos, Drejtor i KAS, i cili prezantoi në konferencë eksperten gjermane Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI në Gjermani, tha se pikërisht diskutime të tilla mund t'i japin përvojën e duhur Shqipërisë në këtë proces. "Jam i lumtur që ndërmjet aktiviteteve tona, së fundmi ka pasur zhvillime pozitive sikurse ka qenë krijimi i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve," veçoi me optimizëm Z. Glos.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më tej, Znj. Neubert tregoi përvojën dhe historikun e qasjes me të shkuarën në Gjermani. Ajo tha se "marrja me historinë s'është se i shëron të gjitha plagët e vjetra, por procesi është i domosdoshëm për të ardhmen, pasi nëse ti e di të shkuarën tënde, mundet që të ndërtosh një të ardhme të sigurt. Prandaj komunistët e falsifikonin historinë, pasi mendonin se duke ndryshuar faktet mund të sundonin gjithmonë edhe të tashmen". Znj. Neubert theksoi se Evropa ka përjetuar një histori të përbashkët për sa i përket komunizmit dhe se e tillë konsiderohet edhe historia që përjetoi Shqipëria.

Ekspertja bullgare e kujtesës për komunizmin, Daniela Koleva gjatë konferencës trajtoi një qasje tejet interesante për nostalgjinë. Sipas saj nostalgjia është një mënyrë e kritikës sociale. "Me idealizimin e së kaluarës, i drejtohet gishti mangësive të së tashmes," tha Znj. Koleva ndërsa theksoi se nostalgjia post-socialiste nuk kërkon kurrsesi rikthimin e sistemit të kaluar. Gjatë diskutimeve, pati qëndrime si ai i Prof. Dr. Afrim Krasniqit, i cili e konsideroi nostalgjinë në rastin shqiptar të nisur nga padituria për të shkuarën dhe jo nga këndvështrimet kritike të së tashmes.

Në rastin e Rumanisë, Dr. Cristian Vasile, prezantoi përvojën e komisioneve që janë zhvilluar atje për të trajtuar të shkuarën komuniste. Z. Vasile tregoi për punën kolosale të komisionit dhe vështirësitë në përballjet me çështje të caktuara, sidomos për sa i përket krimeve që kishin të bënin edhe me fenë. Ai pranoi se në disa raste politika është përpjekur "ta instrumentalizojë procesin për qëllime politike" por ai tha me optimizëm se Rumania mbetet në përpjekje për të përmirësuar ligjin dhe për të ecur përpara në dënimin e krimeve të komunizmit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjatë konferencës dy-ditore, ku u mbajtën më shumë se 25 kumtesa shkencore, ishin të pranishëm edhe ish-të përndjekur, të cilët morën shpesh fjalën në diskutime.

Historiani Elidor Mëhilli solli për të pranishmit përvojën e tij me arkivat e diktaturës, duke qenë se sikurse tha ai "ka punuar me arkivat në gjashtë vende të ndryshme të botës". Kumtesa e tij nxiti diskutime duke qenë se ka ende politika që ndalojnë deklasifikimin e materialeve të arkivave. Z. Mëhilli tha se në Shqipëri mendohet se arkivat e komunizmit, në vetvete, përmbajnë "të vërtetën" gjë që sipas tij është e gabuar. "Tashmë e dimë që komunizmi u ndërtua mbi gënjeshtra, prandaj, edhe arkivat normalisht që do të përmbajnë gënjeshtra. Kështu që nevojitet një qasje që të mos e mistifikojë diktaturën," tha ai.

Gjithashtu interesante nga diskutimet, ishte kumtesa që solli Idrit Idrizi. Tipologjitë e kujtesës së komunizmit në Shqipërinë e sotme. "Demonizimi dhe glorifikimi i asaj periudhe" sipas Z. Idrizi mund të ndahet në tre tipologji narrative sikurse: "Jeta në komunizëm ishte normale, jeta në komunizëm ishte e tmerrshme dhe komunizmi kishte shumë arritje" kjo në varësi të periudhave ku njerëzit kanë lindur, qasja e tyre me sistemin apo përndjekja nga Sigurimi i Shtetit.

Sipas Z. Idrizi, por jo vetëm, "duhet një njohuri e thellë, e historisë, mentalitetit dhe sjelljeve sociale, për të trajtuar komunizmin në Shqipëri", trajtim që IDMC dhe KAS janë zotuar se do të vazhdojnë ta mbështesin edhe në vitet që do të vijnë, kjo për të mundësuar sa më tepër përballjen e shoqërisë shqiptare me të shkuarën.

"Ditët e Kujtesës" do të vazhdojnë deri më 23 nëntor, kur do të ndahen edhe çmimet e konkursit të organizuar nga IDMC "Pyet Gjyshërit 2", ndërsa në datat 21‒22, do të promovohen edhe vepra shkencore mbi diktaturën dhe do të kryhet një lexim publik i dosjes së Musine Kokalarit.

16 NËN.

17

18

19

20

21

22

23

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2017 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube