Shpallen fituesit e konkursit kreativ
Born in the '90s: Explore the Past, Create the Future

Tiranë, 22 tetor 2015 — Konkursi kreativ për të rinj "Born in the '90s: Explore the Past, Create the Future", i cili u shpall në fillim të muajit qershor kurorëzoi sot me sukses dhjetë fitues në kategoritë: Ese dhe letërsi, multimedia dhe arte figurative. Konkursi u iniciua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në fjalën përshëndetëse, Jonila Godole, drejtore e IDMC, u shpreh se konkursi e arriti qëllimin e tij duke nxitur mbi 200 të rinj shqiptarë, të lindur në vitet 1990 të reflektonin mbi të shkuarën ish komuniste, këtë temë të vështirë dhe pak të trajtuar në shoqërinë shqiptare, përmes mjeteve kreative. Konkursi ngjalli në kaq pak kohë shumë interes jo vetëm tek të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, por edhe tek ata që sot jetojnë dhe studiojnë në Gjermani, SHBA, Turqi etj. Zv/Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Gentjana Sula, theksoi rëndësinë që kanë këto projekte që nxisin të rinjtë të jenë reflektues për të shkuarën dhe të tashmen e vendit.

Aktivitetin e përshëndeti dhe ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann, i cili theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e projekteve të tilla në Shqipëri, ku të rinjtë përmes kreativitetit të kenë një qasje reflektuese ndaj së shkuarës. Ai shtoi se shteti gjerman do të vazhdojë të kontribuojë në projekte të tilla duke ofruar dhe përvojën e ngjashme gjermane.

Të surprizuar, por edhe të kënaqur u shprehën anëtarët e jurisë për punimet konkurruese në përgjithësi teksa shpërndanin dhe çmimet e mundësuara nga Telekom Albania për 10 fituesit.

Çmimi special u fitua nga Esmerina Zalli me esenë e quajtur "Pa titull…".

Në kategorinë Ese dhe letërsi u dhanë tre çmime: vendi i parë u fitua nga Diana Marku me esenë "Toka ka një zot?!"; vendi i dytë u fitua nga Florian Lekaj me tregimin "Më prit, po vij…"; vendi i tretë u fitua nga Mimoza Habilaj me esenë në gjuhën angleze "To know the future, you must look at the past and live the present".

Në kategorinë e Arteve Figurative gjithashtu u shpërndanë tre çmime: vendi i parë u fitua nga Françesko Dinaj me punimin konkurrues me titull "Postmodernizmi"; vendi i dytë u fitua nga Elvis Mehmeti me punimin konkurrues me titull "Metamorphosis"; vendi i tretë nga Suela Qemalli me punimin konkurrues me titull "Komunizmi, si e njoh unë".

Në kategorinë e multimedias, fitues të tre çmimeve ishin: Ermelinda Lupi në vendin e parë me punimin konkurrues me titull "Kontrast"; vendin e dytë Klaidi Marku me punimin "The Screen"; dhe në vendin e tretë Xhesika Ramaj me punimin konkurrues me titull "Titull multimedial".

Juria përbëhej nga profesionistë nga fushat e artit, multimedias, filmit, fotografisë, eseistikës dhe letërsisë (Persida Asllani, Fatos Lubonja, Ardian Isufi, Eol Çashku, Bevis Fusha dhe Eno Popi).

Çmimet u shpallën pas diskutimeve të gjata nga juria, me motivacione kryesore origjinalitetin dhe risinë në multimedia, gjuhën e veçantë dhe reflektimin e thellë mbi temën në ese dhe letërsi dhe mesazhin e realizimin e arrirë në arte figurative.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube