Shpallja e konkursit kreativ
Born in the '90s: Explore the Past, Create the Future

© Ervin Berxolli Photography

Tiranë, 9 qershor 2015 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë dhe Ambasadën Gjermane zhvilluan sot tek Qendra Rinore e Tiranës shpalljen e konkursit kreativ "Born in the '90s - Explore the Past, Create the Future". Konkursi kryhet në kuadër të 25-vjetorit të ndryshimeve demokratike në Shqipëri.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e IDMC-së, znj. Jonila Godole, theksoi se ka ardhur momenti që shoqëria shqiptare të merret në mënyrë më intensive me të shkuarën, dhe këtë mision mund ta paraprijnë të rinjtë që janë rritur në vitet e tranzicionit dhe nuk vuajnë nga komplekset. Znj. Godole i njohu të pranishmit me kushtet e pjesëmarrjes si dhe mënyrën e aplikimit në tre kategori: multimedia, arte figurative, ese dhe letërsi. Konkursi sipas saj ka ngjallur në kaq pak kohë shumë interes te të rinjtë brenda dhe jashtë vendit që kanë kaluar fëmijërinë e tyre në Shqipërinë e tranzicionit.

Ndërsa zv/ministrja e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, znj. Gentjana Sula ndau me të pranishmit përjetime personale në lidhje me periudhën e komunizmit dhe u dha të rinjve "porosinë" të mos e harronin të shkuarën.

Ambasadori gjerman në Shqipëri, z. Hellmut Hoffmann u shpreh entuziast për rolin e të rinjve në ballafaqimin me të shkuarën duke sjellë edhe përvojën gjermane në këtë drejtim. Ai deklaroi se ceremonia e ndarjes së çmimeve të këtij konkursi do të bëhet në kuadër të Tetorit Gjerman.

Kurse shkrimtari dhe gazetari Fatos Lubonja u shpreh kritik ndaj kontributit të vogël të shoqërisë për t'u përballur me të shkuarën. Duke shpresuar te aftësia reflektuese e brezit të ri, ai i inkurajoi të rinjtë të konkurronin dhe të thelloheshin në trajtimin e temave që do të zgjedhin për konkursin.

Afati i dorëzimit të punimeve do të jetë data 5 Tetor 2015, ora 24:00.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube