Punime të përzgjedhura të të rinjve pjesëmarrës në konkurse
Albumi "Kujtesa si mision"

Tiranë, 2 prill 2021 — Albumi "Kujtesa si mision" që merr lexuesi sot në dorë përmban punime të përzgjedhura të të rinjve pjesëmarrës në konkurset e organizuara nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) nga viti 2015 deri më sot. Përmes këtyre konkurseve ne synonim të motivonim të rinjtë që në mënyrë kreative të gjenin zërin e tyre në lidhje me çfarë nënkupton për ta e shkuara dhe e sotmja. Përgjithësisht kur flasim për brezin e ri, sidomos në fushën e njohjes së të shkuarës komuniste, mendojmë për indiferencën dhe mungesën e tyre të interesit. Kjo padyshim mbetet një sfidë dhe është ushqyer nga mungesat e thella në kurikulën shkollore, nga heshtja e brezit të prindërve dhe gjyshërve, nga kakofonia në media ku botohen pa kritere si historitë e të përndjekurve politikë, ashtu edhe ato të persekutorëve të tyre. Kjo ngjall konfuzion te brezi i ri. Kështu që nuk është faji i të rinjve që janë të painformuar ose të informuar gabim. Edukimi i tyre mbi këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë duhet të kishte qenë prioritar në 30 vitet e fundit.

Le të themi dy fjalë për tre konkurset e iniciuar nga IDMC ndër vite.

Konkursi i parë, "Born in the 1990s", ftonte të rinjtë shqiptarë të lindur mes viteve 1990-1997 të dërgonin mendimet e tyre mbi aktualitetin shqiptar në tre kategori: multimedie, ese dhe arte figurative. Për arsye të titullit goditës, ky konkurs u përqafua nga një numër shumë i madh të rinjsh shqiptarë që jetonin brenda dhe jashtë vendit. Punët fituese të këtij konkursi mund të ndiqen në faqen online të IDMC dhe ato shpalosin një panoramë të mendimeve dhe përjetimeve të të rinjve në demokraci, shpresat e tyre për një të ardhme me të mirë dhe sfidat se si mund të arrihet kjo në rrafshin individual dhe kolektiv.

Konkursi i dytë, "Pyet Gjyshërit" ishte një risi për temën që ofronte dhe u drejtohej kryesisht gjimnazistëve dhe të rinjve 15–19 vjeç. Përmes këtij konkursi ata kishin mundësi të përballen me historinë dhe përvojën e familjes së tyre dhe të mblidhnin dëshmi origjinale. "Gjyshi" shërbente si një simbolikë, sistem reference i brezave që i mbijetuan regjimit komunist në Shqipëri. Nga viti 2016 deri në vitin 2019 konkursi ofroi dëshmi tronditëse dhe reflektime të mbi 600 gjimnazistëve nga e gjithë Shqipëria. Cilësia e punimeve të tyre në multimedie është rritur vit pas viti, po ashtu edhe niveli i analizës së tyre për shkeljen e të drejtave të njeriut, humbjen e shpresës dhe të lirisë, ndalimin e religjionit, burgosjen e një vendi të tërë dhe izolimin e tij nga bota. Ky është brezi që do bëjë në të ardhmen diferencën në ballafaqimin me të shkuarën dhe ai ka nevojë për ndihmën tonë, motivimin dhe përfshirjen në sa më shumë projekte dhe aktivitete ndërgjegjësuese, takime me dëshmitarë okularë të kohës, përballje me dokumente dhe fakte historike, kundrejt trivialiteteve historike që janë të detyruar të mësojnë dhe dëgjojnë në shkollë e në media.

Konkursi i tretë, "30 vjet me/pa demokraci" i motivoi të rinjtë të përballen me pyetjen se çfarë është bërë sipas mendimit të tyre në dekadat pas rrëzimit të regjimit komunist, dhe si e shohin perspektivën për të ardhmen. Kreativiteti i tyre u shpalos në kategoritë e multimedies dhe të arteve figurative ku edhe me ndihmën e teknikave digjitale u arrit një cilësi më e lartë nga pikëpamja formale.

Punët e prezantuara në këtë album tregojnë aspekte të së shkuarës dhe të tashmes sipas këndvështrimit të të rinjve shqiptarë. Ato mund të jenë naive dhe të sinqerta, por skanojnë qartë realitetin shqiptar, dilemat dhe ankthet e brezit të ri, mangësitë e tyre në lidhje me të shkuarën historike, por edhe kurajën dhe dëshirën për të studiuar dhe mësuar më tej.

Misioni ynë si IDMC është që t'i sensibilizojmë të rinjtë për historinë që ata të kuptojnë se historia hedh hije të gjata edhe në të tashmen dhe të ardhmen, ndaj duhet mësuar. Një falënderim i veçantë pra, për të gjithë të rinjtë që kanë marrë pjesë në konkurset tona, si dhe mësuesit e prindërit që i kanë mbështetur ata. Falënderim edhe për juritë profesionale që kemi pasur ndër vite, me personalitete nga fusha të ndryshme, të cilat u kanë kthyer besimin të rinjve të marrin pjesë në konkurse ku vlerësohet me meritë talenti, ideja dhe realizimi më i mirë.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2021 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube