Botim i IDMC, mbështetur nga KAS
Botohet manuali i parë mbi historinë gojore

Tiranë, 17 janar 2019 — "Manual mbi historinë gojore", është një botim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) mbështetur nga KAS. Manuali është shkruar nga Jonila Godole, Kailey Rocker, Edlira Agolli dhe synon të inkurajojë mësuesit e shkollave të mesme, nxënësit dhe studiuesit e rinj që të mësojnë më shumë rreth historisë gojore dhe procesit të intervistimit. Manuali paraqet mjetet e nevojshme për t'i përfshirë këto intervista në detyrat dhe projektet kërkimore në shkollat e mesme. Për të arritur këto objektiva, materiali është organizuar në mënyrë të tillë, ku disa kapituj trajtojnë zhvillimin e historisë gojore dhe metodave të intervistimit, nga fillesat e saj dhe deri te përcaktimi bashkëkohor.

Ky botim në faqet e para të tij trajton përhapjen e metodës së historisë gojore në mes të shekullit të 20-të dhe rritjen e rëndësisë së saj në ditët e sotme, veçanërisht, në kërkimin shkencor të shkencave sociale.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe etikës së zhvillimit, përdorimit dhe publikimit të intervistave të historisë gojore në kapitullin e dytë.

Kapitulli tre paraqet një këndvështrim mbi mënyrën se si zhvillohen metodat e intervistimit të historisë gojore. Këtu tregohen katër hapa kryesorë: (1) kërkimi mbi temën, identifikimi i personave që do të intervistohen dhe marrja e pëlqimit për pjesëmarrjen e tyre në intervistë; (2) zhvillimi i intervistës; (3) ndërmarrja e hapave të parë për të analizuar dhe paraqitur rezultatet.

Kapitulli katër paraqet strategjitë për të zhvilluar projekte për shkollat e mesme dhe për studime duke pasur në fokus historinë gojore. Ky kapitull shoqërohet me koncepte formash dhe sugjerime se si t'i përmbushim gjithë sa përmendëm më sipër.

Në kapitullin e pestë paraqiten detaje mbi mënyrat se si mund të organizohen, ruhen dhe prezantohen të dhënat e grumbulluara nga projektet e  historisë gojore.

Kapitulli i fundit trajton mënyrat e ndryshme, ku mësuesit dhe studiuesit mund të përdorin historinë gojore në shkolla apo në projekte kërkimore.

Ky manual do të prezantohet në kuadër të edicionit të katërt të DITËVE TË KUJTESËS, më 20 shkurt 2019. Për këdo që është i interesuar, manuali mund të tërhiqet falas pranë zyrave të IDMC.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube