Ditët e Kujtesës V

13–20 SHKURT 2020, TIRANË

#ditëtekujtesës2020

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të dashur miq dhe kolegë,

 

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) ju njofton se edicioni i pestë i DITËVE TË KUJTESËS, do të organizohet në datat 13–20 shkurt 2020, me fokus të veçantë te dhuna në sistemet totalitare dhe stalinizmi shqiptar.

Komunizmi shqiptar mbahet si një nga sistemet më represive në Europën Lindore duke u cilësuar shpesh si "regjim stalinist". Por studimet teorike dhe analizat krahasuese mbi represionin, dhunën dhe praktikat staliniste në Shqipëri janë ende në hapat e para. "Ditët e Kujtesës 2020" synojnë të nxisin mes ekspertëve kryesorë shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë një diskutim më të thelluar mbi fenomenet e represionit në Shqipërinë komuniste, duke i krahasuar ato edhe me regjimet e tjera komuniste europianolindore. Ndër referuesit kryesorë ndërkombëtarë do të jetë historiani dhe studiuesi i mirënjohur i stalinizmit, Prof. Dr. Jörg Baberowski.

Aktivitetet gjatë "Ditëve të Kujtesës" synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj. Përmes këtij e-maili shprehim mirënjohjen tonë për bashkëpunimin në edicionet e kaluara dhe ftojmë të gjithë aktorët dhe institucionet në fushën e kujtesës të bëhen pjesë e edicionit të pestë të "Ditëve të Kujtesës". Me prioritet do të shihen sidomos aktivitetet që synojnë ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi të shkuarën komuniste shqiptare.

Për të koordinuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe për të bërë seleksionimin e projekt-propozimeve në kuadër të "Ditëve të Kujtesës 2020" do të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga shoqatat partnere, i cili do të mblidhet gjatë muajit shtator.

IDMC mirëpret sugjerimet dhe propozimet tuaja në office@idmc.al deri më 15 shtator 2019, për aktivitete që dëshironi t'i përfshini në programin tonë të përbashkët.

 

Për një ide më të qartë të aktivitetit, ju lutemi konsultoni edhe edicionet e kaluara të DITËVE TË KUJTESËS 2016201720182019 ose na shkruani në office@idmc.al.

 

Ju falënderojmë paraprakisht për kontributin tuaj!

 

Stafi i IDMC-së

  • Thirrje për abstraktE

    Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) në kuadër të edicionit të pestë të "DITËVE TË KUJTESËS: DHUNA DHE REPRESIONI STALINIST" që do të mbahet në datat 13–20 shkurt 2020, do të organizojë në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë, konferencën ndërkombëtare "Situata e mësimdhënies dhe mësimnxënies së historisë në Shqipëri – trajtimi i periudhës së regjimit komunist, risi dhe sfida" më datë 14 shkurt 2020.

    Në konferencë do të ballafaqojmë idetë, praktikat jo vetëm të aktorëve që punojnë brenda vendit, por edhe me ata jashtë vendit; jo vetëm përvojat në trajtimin e regjimeve komuniste në kurrikul nga vendet e Europës Juglindore, por edhe përvojat e vendeve të Europës Perëndimore; do të ballafaqojmë jo vetëm idetë e historianëve apo hartuesve të kurrikulave, por edhe idetë dhe përvojat e mësuesve të historisë, nxënësve të tyre e specialistëve të arsimit.

    Trajtimi i periudhës historike të regjimit komunist në Shqipëri do të zërë vend veçanërisht në këto drejtime:

     

    • Në programet e lëndës së historisë
    • Në tekstet e historisë
    • Në procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies në klasë
    • Në drejtim të nxënësve

     

    Ju ftojmë të dërgoni abstraktin tuaj, jo më shumë se 300 fjalë së bashku me një CV të shkurtër akademike deri më 1 dhjetor 2019 në adresën e email-it conference@idmc.al. Abstraktet do të përzgjidhen deri më datën 15 dhjetor 2019.

    Së shpejti do t'ju dërgojmë më tepër informacion rreth edicionit të pestë të Ditëve të Kujtesës që do të mbahet më 13–20 shkurt 2020, duke përfshirë edhe programin paraprak të aktivitetit si dhe partnerët e këtij viti. Ky informacion do të gjendet edhe online, prandaj ju lutemi të konsultoni faqen https://idmc.al/ditet-e-kujteses-20.html si dhe të na shkruani në office@idmc.al.

    Do ta vlerësonim bashkëpunimin tuaj në këtë fazë duke e shpërndarë këtë email me aktorë dhe individë të tjerë të cilët ju mendoni se mund të ofrojnë një kontribut në këtë konferencë.

     

    PS: për të gjithë mësuesit e historisë do ta vlerësonim nëse ju merrnit pak kohë për të ndarë me ne idetë tuaja në mënyrë anonime, në këtë anketë që jemi duke realizuar për trajtimin e periudhës komuniste në tekstet e historisë.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube