Në fokus, dhuna në sistemet totalitare dhe stalinizmi shqiptar
Ditët e Kujtesës 2020

Tiranë, 24 korrik 2019 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) ju njoftojnë se edicioni i pestë i DITËVE TË KUJTESËS, do të organizohet në datat 13–20 shkurt 2020, me fokus të veçantë te dhuna në sistemet totalitare dhe stalinizmi shqiptar.

Komunizmi shqiptar mbahet si një nga sistemet më represive në Europën Lindore duke u cilësuar shpesh si "regjim stalinist". Por studimet teorike dhe analizat krahasuese mbi represionin, dhunën dhe praktikat staliniste në Shqipëri janë ende në hapat e para. "Ditët e Kujtesës 2020" synojnë të nxisin mes ekspertëve kryesorë shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë një diskutim më të thelluar mbi fenomenet e represionit në Shqipërinë komuniste, duke i krahasuar ato edhe me regjimet e tjera komuniste europianolindore. Ndër referuesit kryesorë ndërkombëtarë do të jetë historiani dhe studiuesi i mirënjohur i stalinizmit, Prof. Dr. Jörg Baberowski.

Aktivitetet gjatë "Ditëve të Kujtesës" synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj. Përmes këtij e-maili shprehim mirënjohjen tonë për bashkëpunimin në edicionet e kaluara dhe ftojmë të gjithë aktorët dhe institucionet në fushën e kujtesës të bëhen pjesë e edicionit të pestë të "Ditëve të Kujtesës". Me prioritet do të shihen sidomos aktivitetet që synojnë ndërgjegjësimin e brezit të ri mbi të shkuarën komuniste shqiptare.

Për të koordinuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe për të bërë seleksionimin e projekt-propozimeve në kuadër të "Ditëve të Kujtesës 2020" do të ngrihet një grup pune me përfaqësues nga shoqatat partnere, i cili do të mblidhet gjatë muajit shtator.

IDMC mirëpret sugjerimet dhe propozimet tuaja në office@idmc.al deri më 15 shtator 2019, për aktivitete që dëshironi t'i përfshini në programin tonë të përbashkët.

 

Për një ide më të qartë të aktivitetit, ju lutemi konsultoni edhe edicionet e kaluara
të DITËVE TË KUJTESËS 2016201720182019 ose na shkruani në office@idmc.al.

 

Ju falënderojmë paraprakisht për kontributin tuaj!

 

Stafi i IDMC-së

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube