Ditët e Kujtesës VII

17–26 SHKURT 2022

#ditëtekujtesës2022

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të dashur miq dhe kolegë,

 

kemi kënaqësinë t'ju ftojmë të shënoni në kalendarin tuaj datat e Edicionit të 7-të të DITËVE TË KUJTESËS, 17–26 shkurt 2022.

DITËT E KUJTESËS është një aktivitet i përvitshëm që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri. Ato janë ideuar dhe organizohen nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS), qysh prej Tetorit të vitit 2016. Çdo vit ka një moto të caktuar. Fokusi i edicionit të 7-të do të vendoset te mitet mbi komunizmin që mbizotërojnë deri më sot.

Regjimet totalitare të shekullit XX përdorën gjerësisht mite politike për të legjitimuar pushtetin dhe politikat e tyre përfshirë këtu edhe krimet e persekutimin. Në vendet komuniste mbizotëruan mitet rreth Luftës II Botërore, kultit të udhëheqësit, rrethimit nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm, të partisë si mishërim i mençurisë historike, të zhvillimit të shkëlqyer ekonomik, të njeriut të ri komunist, të emancipimit të grave, të barazisë në shoqëri, të cilësisë së lartë të arsimit, të niveleve të ulëta të kriminalitetit dhe korrupsionit, e të tjera.

Në Shqipëri, mitologjia komuniste ka gjetur dhe gjen akoma kushte të favorshme për të mbijetuar si pasojë e radikalitetit të theksuar të regjimit komunist për të transformuar kushtet socio-ekonomike e indoktrinimin ideologjik të shoqërisë, si dhe për shkak të mospërputhjes midis aspiratave dhe realitetit në një tranzicion postkomunist dhe dramatik të mbushur me kriza të rënda politike, ekonomike etj.

Në këtë kontekst, edicioni i 7-të i DITËVE TË KUJTESËS nën moton "Mitet komuniste në Shqipëri, para dhe pas ndryshimit të sistemit" synon të hedh dritë mbi një temë thelbësisht të rëndësishme, të gjerë dhe të pa studiuar. Jemi të nderuar të njoftojmë pjesëmarrjen e antropologes së mirënjohur, Prof. Stephanie Schwandner-Sievers (Mbretëria e Bashkuar), si referuese kryesore në ceremoninë e hapjes më datë 17 shkurt 2022. Për të ftuarit e tjerë do t'ju informojmë në njoftimet e ardhshme.

Gjatë DITËVE TË KUJTESËS, IDMC dhe KAS, në bashkëpunim me aktorë të tjerë të fushës brenda dhe jashtë vendit do të ofrojnë për publikun e gjerë aktivitete, si: ekspozita, dokumentarë, konferenca shkencore, instalacione artistike, vizita studimore etj. Ne jemi të interesuar të prekim dhe të eksplorojmë të gjitha llojet e aspekteve të miteve dhe ndërveprimin e tyre me kujtesën dhe debatet post-komuniste.

Siç e kemi kthyer në traditë, ne ftojmë organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës: institucione publike dhe jo publike, muze dhe iniciativa lokale të kujtesës, institucione që trajtojnë ballafaqimin me të shkuarën, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendra studimore etj. të marrin pjesë në këtë edicion duke dërguar propozimet e tyre për aktivitete dhe projekte që mund të kryhen vetëm ose në bashkëpunim.

Propozimet tuaja bazuar në moton e këtij edicioni, mund të dërgohen deri në datën 30 shtator 2021 në adresat e postës elektronike: mirela.sheraj@idmc.al & office@idmc.al.

Ose me postë në:

IDMC – Rr. Bardhok Biba, Nd. Trema, Hyrja A, K.11, Ap. 35

 

Për edicionet e mëparshme të DITËVE TË KUJTESËS, vizitoni 2016, 2017, 2018, 2019, 2020 dhe 2021.

 

Ju mirëpresim,

Stafi i IDMC-së

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2021 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube