Ditët e Kujtesës VIII

SHKURT 2023

#ditëtekujtesës2023

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të dashur miq dhe kolegë,

 

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) ju njoftojnë se edicioni i 8-të i DITËVE TË KUJTESËS do të organizohet në Shkurt 2023, duke e vendosur fokusin në përvojën e vendeve baltike (Letoni, Estoni, Lituani).

Vendet baltike janë konsideruar shembull suksesi për investigimin dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit, por mbi të gjitha për krijimin e një kulture të kujtesës. Qasja e këtyre vendeve ndaj të kaluarës komuniste është konsideruar si një ndër faktorët kryesore që kanë ndikuar në ecurinë e hapjes së negociatave dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2004.

Me rastin e hapjes së negociatave të Shqipërisë për t'u bërë pjesë e BE-së, është e rëndësishme të analizojmë se si krijimi i politikave të kujtesës ndikon në përforcimin e vlerave të përbashkëta të Bashkimit Europian, si: dinjiteti njerëzor, toleranca, liria dhe barazia, solidariteti.

Analizimi i faktorëve që kanë ndikuar në zbatimin e politikave të kujtesës në vendet baltike, të përbashkëtat dhe veçoritë e tyre në aspekte të ndryshme krahasuar me Shqipërinë, avantazhet dhe disavantazhet e modeleve të ndjekura, do të jenë fokusi kryesor i aktiviteteve të DITËVE TË KUJTESËS 2023, të cilat do u përcillen brezit të ri dhe publikut të gjerë në forma sa më risore, krijuese dhe rinore.

DITËT E KUJTESËS është një aktivitet i përvitshëm që synon të mbajë gjallë debatin shoqëror dhe kujtesën mbi pasojat e regjimit komunist në Shqipëri, qysh prej Tetorit 2016.

Aktivitetet gjatë DITËVE TË KUJTESËS synojnë ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare për pasojat e krimeve të diktaturës dhe forcimin e dialogut mbi të shkuarën përmes debateve, prezantimeve të botimeve më të reja mbi diktaturën, ekspozitave, konferencave ndërkombëtare, shfaqjeve të dokumentarëve etj.

Në vazhdim të traditës sonë të bashkëpunimit, si në edicionet e kaluara, ftojmë të gjitha organizatat dhe institucionet që veprojnë në fushën e kujtesës, publike dhe jopublike, muzetë dhe iniciativat lokale e ndërkombëtare të kujtesës, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, qendrat studimore etj., të marrin pjesë në këtë edicion duke dërguar propozimet e tyre për aktivitete dhe projekte që mund të kryhen vetëm ose në bashkëpunim.

Deri më 30 SHTATOR 2022, IDMC mirëpret në adresën office@idmc.al sugjerimet dhe propozimet tuaja për aktivitete që dëshironi të përfshini në programin e përbashkët.

 

Për një ide më të qartë të aktivitetit, ju lutemi konsultoni edhe edicionet e DITËVE TË KUJTESËS ndër vite: 2016, 2017, 2018, 2019, 2020, 2021 dhe 2022 ose na shkruani në office@idmc.al.

 

Ju falënderojmë paraprakisht për kontributin tuaj!

Stafi i IDMC-së

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube