PETICION për

DEKOMUNISTIZIM DHE DREJTËSI

#ditëtekujtesës2022

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Regjimi komunist në Shqipëri ushtroi dhunë të egër, të vazhdueshme, në dëm të jetës dhe lirisë së qytetarëve shqiptarë. Mbi 6.000 persona u ekzekutuan, u vranë ose vdiqën në burgje. Rreth 35.000 burra e gra u burgosën, dhjetëra mijëra të tjerë u dëbuan dhe internuan. Trupat e të ekzekutuarve, të vrarëve ose të vdekurve në burg nuk iu kthyen kurrë familjeve, por u varrosën në vende të paidentifikuara: një pjesë e mirë e tyre nuk janë gjetur ende! Ne shprehim respektin më të thellë për secilën viktimë të regjimit komunist shqiptar dhe ndihemi në faj që edhe sot, pas 31 vjetësh, kjo tragjedi nuk është zbardhur siç duhet dhe dhunimi masiv i të drejtave të njeriut nuk është dënuar.

Të gjitha rezolutat e miratuara nga Këshilli i Europës (1996, 2006), nga Parlamenti Europian (2009, 2019) dhe Asambleja Parlamentare e OSBE (2009) i dënojnë me forcë krimet ndaj njerëzimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga regjimet totalitare, si një garanci që këto të mos ndodhin më në të ardhmen. Në frymën e tyre, Shqipëria ka miratuar dy rezoluta, për dënimin e krimeve të regjimit komunist (2006) dhe krimeve kundër klerit (2016). Por zbatimi i tyre ka qenë minimal. Madje, përkundrazi, në vend të ndëshkoheshin, fajtorët janë promovuar në politikë, drejtësi, polici, e deri në funksionet më të larta të shtetit. Ne i kujtojmë Kuvendit të Shqipërisë të respektojë rezolutat që ka miratuar vetë, t'i monitorojë ato dhe të marrë masat e nevojshme në rast moszbatimi të detyrimeve që rrjedhin prej tyre.

Gjatë viteve të fundit kemi vërejtur gjithashtu me shqetësim përdorimin e shtuar të simboleve të regjimit komunist në hapësirën publike apo për qëllime tregtare, glorifikimin e diktaturës, diktatorit Hoxha dhe bashkëpunëtorëve të tij, ndërkohë që një numër i madh vendesh europiane e kanë ndaluar përdorimin e simboleve naziste dhe komuniste.

Nuk mund të ketë një integrim të Shqipërisë në BE pa zbardhur të shkuarën! Procesi i ballafaqimit me diktaturën dhe pasojat e saj mund të jetë i dhimbshëm, por jemi të bindur se vetëm kështu mund të arrihet PAJTIMI, duke pranuar përgjegjësinë, duke kërkuar falje dhe duke nxitur përtëritjen morale të shoqërisë.

© Anke Geier

Për sa më sipër, ne i kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë:

1. Miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën e regjimit komunist

në programet e partive politike, ndalon ligjërimin glorifikues të diktaturës dhe përdorimin e simboleve të regjimit komunist në hapësirën publike, përmes ndërhyrjeve të duhura në Kodin Penal, sipas modeleve që shtete të BE kanë mbajtur ndaj nazizmit, fashizmit dhe regjimeve totalitare komuniste.

2. Vetingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve

në raport me të shkuarën e tyre gjatë regjimit komunist, si kusht i domosdoshëm për pastrimin e institucioneve të sotme të shtetit.

3. Zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal të Sigurimit të Shtetit

dhe organeve të tjera represive të diktaturës që merreshin me përndjekjen politike, si dhe akses publik të pakufizuar në dokumentet e tyre.

4. Rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve

duke propozuar ndryshime konkrete në ligjin Nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore" si dhe në ligjin Nr. 9270/2004 "Për sistemin e adresave". Nëpërmjet këtij ndryshimi synojmë një parashikim ligjor që detyron organet e pushtetit vendor të kryejnë verifikime paraprake të emrave të propozuara për rrugë, sheshe apo shkolla në territoret e bashkive.

5. Muzealizimin e institucioneve ku janë kryer dënime të padrejta

si burgjet, kampet e internimit e të punës së detyruar, dhomat e torturave, vendet e pushkatimit. Ngritjen e një Memoriali Qendror Kombëtar në respekt të martirëve dhe të një Muzeu të posaçëm për Diktaturën. Si masë paraprake para muzealizimit kërkojmë marrjen e menjëhershme në mbrojtje të veçantë ligjore të vendeve të vuajtjes, përpara se ato të tjetërsohen nga degradimi natyror dhe mbivendosja mbi to e projekteve bujqësore a industriale, shtetërore a private.

6. Rishqyrtimin e kurrikulave mësimore

në ciklin shkollor duke propozuar krijimin e një grupi pune të përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe specialistë të fushës, për t'i ofruar Ministrisë së Arsimit propozime konkrete. Kjo do të garantonte një brez të ri më të informuar për historinë e diktaturës, më të ndërgjegjshëm për vlerat e sistemit demokratik.

FIRMOS Peticionin

Përse shërben peticioni? Nevojiten sa më shumë firma për ta paraqitur këtë peticion në Kuvendin e Shqipërisë, që të nisim një iniciativë ligjore për dekomunistizimin. Firmoseni dhe ndajeni në rrjetet sociale me miqtë, në mënyrë që të tregojmë se kjo kauzë i intereson gjithë shoqërisë.

Çdo qytetar shqiptar mund të ndihmojë vullnetarisht në përmbushjen e kauzave të peticionit duke ua dhënë për firmosje të afërmve, të njohurve apo qytetarëve të tjerë.

Dokumentin e mëposhtëm mund ta printoni, plotësoni dhe të na e dorëzoni vetë ose me postë te

Adresa:

Rr. "Bardhok Biba", Pallati Trema

Hyrja A, Kati 11, Tiranë

Tel. +355 4 4521899

 

PETICIONI për printim

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube