Memory Alive in Arts and Multimedia
Dialog mBI të shkuarën
Shfaqja e dokumentarëve
8 qershor 2019, Tiranë – IDMC, në kuadër të projektit "Memory Alive" iniciuar në vitin 2015, organizoi në bashkëpunim me regjisorin Armand Bora dhe me Muzeun Kombëtar "Shtëpia me Gjethe" shfaqjen "Udha e Qumështit", një eksperiencë ndryshe ku skena e teatrit ishte vetë "Shtëpia me Gjethe"! Në interpretimin e aktores Egla Ceno, shfaqja "Udha e Qumështit", mbante ndër rreshta dëshmi e fakte nga komunizmi duke nxitur reflektimin për periudhën e diktaturës te nxënësit e shkollave të mesme dhe mësuesit e tyre. Shfaqja ngjalli emocione të forta te pjesëmarrësit pasi rrëfente historinë e një gruaje që u gjykua vetëm sepse theu shishen në radhën e qumështit, dhe kjo u përcoll duke kaluar në shumë situata të ndryshme ku aktorja u "vesh" me karakteret e dhjetëra personazheve.
Shfaqja "Udha e Qumështit" u vendos në të gjitha ambientet e Muzeut Kombëtar "Shtëpia e Gjetheve" duke i mbajtur nxënësit e gjimnazeve dhe vizitorët e rastësishëm të mbërthyer në emocione që vinin prej interpretimit, imazheve e vizitës studimore në muze. Në përfundim të takimit, të gjithë diskutuan me njëri-tjetrin ndjesitë që kishin marrë dhe sa kishin mësuar e ishin kuriozuar për kohën e komunizmit. Një element i rëndësishëm që u vu re përgjatë bisedave ishte rëndësia e të mësuarit rreth kohës së komunizmit me forma të reja, interaktive. Për të rinjtë, historia e treguar, forma e dëshmive dhe pasojat e situatave të ndodhura asokohe ishin gati-gati të pabesueshme!
18‒19 mars 2016, Berat – Njohuritë e të rinjve shqiptarë për të shkuarën komuniste të vendit të tyre u vunë sërish në pikëpyetje nga IDMC me shtrirjen e projektit Memory Alive në një qytet tjetër të Shqipërisë. Pas diskutimeve të suksesshme me të rinjtë e gjimnazit "Çajupi" dhe "Sami Frashëri" në Tiranë dhe të Universitetit "Luigj Gurakuqi" në Shkodër, Memory Alive e zgjeroi aktivitetin e tij edhe në Berat, qyteti shqiptar që është pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s prej vitit 2008.
Sot, dokumentari Kujtesa e një vendi që harroi të harronte u shfaq te salla e konferencës së Universitetit të Beratit me pjesëmarrjen e mbi 120 personave, mes të cilëve të rinj (studentë dhe nxënës), të moshuar dhe përfaqësues nga Bashkia e Beratit. Para shfaqjes së filmit, eksperienca gjermane u soll në fokus nga z. Walter Glos, drejtues i fondacionit gjerman Konrad Adenauer në Shqipëri. Gjithashtu, kryetari i Bashkisë së Beratit, z. Petrit Sinaj, theksoi rëndësinë e madhe të këtyre aktiviteteve për mbajtjen gjallë të kujtesës kolektive, duke pranuar se pavarësisht përpjekjeve të Beratit për t'u ballafaquar me të shkuarën, akoma duhet punuar në këtë aspekt.
Shfaqja e filmit u ndoq nga diskutimi me temë "Unë isha atje!", me të ftuar znj. Vera Bekteshi dhe z. Gëzim Peshkëpia, dëshmitarë të diktaturës. U arrit në përfundimin se marrëdhënia e të rinjve me njohjen e komunizmit nuk është në nivelet e duhura, duke krijuar hapësira edhe për një nostalgji të pakuptueshme të të rinjve për diktaturën. Ndër faktorët që kanë ndikuar për krijimin e këtyre raporteve shqetësuese u pa mungesa e theksuar e njohurive në shkolla për regjimin totalitar në Shqipëri dhe u theksua nevoja e domosdoshme e rishikimit në mënyrë të kujdesshme të kurrikulës mësimore.
Më pas, aktiviteti u shoqërua me një vizitë në vendet e kujtesës, ku u diskutua për Beratin midis të Shkuarës dhe të Tashmes. Një specialist i trashëgimisë kulturore në Bashkinë e Beratit tregoi historinë e bulevardit "Republika", kishave, xhamive dhe kalasë gjatë diktaturës, si pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.
Të ftuar:
Gëzim Peshkëpia lindur në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për "agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës". Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
Vera Bekteshi lindur dhe rritur në Tiranë në të ashtuquajturin Bllok të Udhëheqjes, si vajzë e njërit prej ushtarakëve të lartë të asaj kohe, ish- drejtues komunist në Shkodër gjatë luftës, Sadik Bekteshit. Më 1969-ën mbaroi studimet në Degën e Fizikës te Universiteti i Tiranës, ku dha mësim si pedagoge deri në spastrimet e mëdha të Enver Hoxhës mbi ushtarakët e lartë në vitin 1974, në kuadrin e të ashtuquajturës Fshesë e Hekurt. Në këtë kohë ajo divorcohet, dhe divorci shoqërohet me internim, me humbjen e profesionit dhe të drejtat më elementare, më pas me arrestimin e babait dhe vuajtje pa fund. Për gati 16 vjet, Vera jetoi e izoluar së bashku me familjen e saj në Kutalli e Vodëz të Beratit në kushtet e diskriminimit shoqëror dhe varfërisë ekstreme.
Eno Popi, moderator në TV.
24 shkurt 2016, Tiranë – Në kuadër të projektit Memory Alive përmes artit dhe multimedias të nisur vitin e kaluar, IDMC organizoi në datën 24 Shkurt 2016, në orën 13:00, një takim me gjimnazistë dhe mësues të gjimnazit "Sami Frashëri" në Tiranë, titulluar "Dialog me të shkuarën".
Në ambientet e gjimnazit u shfaq dokumentari Kujtesa e një vendi që harroi të harronte, i cili synoi të nxiste te të rinjtë reflektimin mbi të shkuarën komuniste, sepse reflektimi mbi të shkuarën i ndihmon ata ta projektojnë më mirë të ardhmen. Pas shfaqjes së dokumentarit, të rinjtë patën shansin të mësojnë rreth natyrës totalitare të komunizmit shqiptar dhe pasojat e tij nga persona të cilët vetë dhe familjarisht kanë përjetuar eksperienca të dhimbshme gjatë komunizmit.
Të ftuarit e IDMC-së për këtë aktivitet ishin z. Gëzim Peshkëpia, ish-i burgosur politik, dhe znj. Rozi Kostani, e ardhur nga një familje e persekutuar në kohën e komunizmit, e cila me rrëfimin e saj solli dhe një panoramë të politikës së jashtme të Shqipërisë së asaj kohe, përkatësisht ish-marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave. Të ftuar ishin gjithashtu grupi i të rinjve që realizoi dokumentarin, të cilët ndanë me pjesëmarrësit eksperiencën dhe sfidën e tyre për të realizuar dokumentarin me nota tragjikomike.
Gjatë diskutimit, gjimnazistët ndanë me njëri-tjetrin, me mësuesit dhe të ftuarit jo vetëm mënyrën sesi ata e perceptojnë komunizmin shqiptar, por edhe histori familjare që ishin subjekt i dënimeve të ashpra në komunizëm. Diskutimi me nxënësit dhe të ftuarit përfshiu edhe drejtoreshën së bashku me stafin pedagogjik të gjimnazit "Sami Frashëri", të cilët këtë radhë erdhën ndryshe para nxënësve të tyre, në një diskutim joformal për mënyrën sesi ata dhe familjet e tyre e kishin përjetuar diktaturën shqiptare.
Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë, Drejtoria dhe Stafi Pedagogjik i gjimnazit "Sami Frashëri".
Më shumë informacion rreth të ftuarve:
Gëzim Peshkëpia lindur në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për "agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës". Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
Rozi Kostani është aktore dhe regjisore shqiptare, pedagoge në Akademinë e Arteve në Tiranë. Familja e saj u persekutua në kohën e komunizmit. Ajo mësoi për dënimin që babai i saj kishte vuajtur si pasojë e diktaturës vetëm pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Ai u dënua në moshën 17-vjeçare me 25 vite burg, nga të cilat bëri vetëm 10 vjet për shkak të amnistisë për lirimin e tij.
17 nëntor 2015, Shkodër – Në serinë e aktiviteteve Memory Alive through Arts and Multimedia iniciuar nga IDMC, u zhvillua në Shkodër takimi "Një dialog mes të shkuarës dhe të tashmes" me studentë të Universitetit të Shkodrës, qytetarë të interesuar, ish të përndjekur politikë etj. Partnerë të këtij aktiviteti ishin gjithashtu "Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës" dhe Universiteti i Shkodrës.
Njohja dhe reflektimi mbi të shkuarën është përgjegjësi e së tashmes për të ndërtuar një të ardhme të shëndetshme. Takimi me studentë të Universitetit të Shkodrës ishte i rëndësishëm për hapjen e diskutimit rreth së kaluarës, për mendimet dhe sugjerimet që kanë të rinjtë. Në këtë kuadër u shfaq filmi dokumentar, Kujtesa e një vendi që harroi të harronte, i xhiruar në qytete të ndryshme të Shqipërisë me fokus kujtesën që të rinjtë kanë në lidhje me të shkuarën. Pas shfaqjes së dokumentarit, grupi realizues i tij tregoi për punën e kryer, vështirësitë dhe pengesat e hasura gjatë xhirimeve. Ndërsa Gjet Vocaj, ish i persekutuar, ndau me të pranishmit disa episode nga historia jetësore e tij, duke shfaqur një panoramë të pajetuar prej brezit të lindur pas viteve 90. "Jo hakmarrje, por gjykim i drejtë dhe objektiv i historisë, në mënyrë që e ardhmja të ndërtohet pa gabimet e së kaluarës," ishte mesazhi i Z. Vocaj.
Dokumentari u realizua nga: Erina Laska, Fjona Meca, Juna Cucka, Preveza Devishllari, Rashela Shehu (me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë).
Koncepti dhe drejtimi: Jonila Godole, Holta Shupo.
27 maj 2016, Skrapar – IDMC shfaqi te Hotel "Kanione" në Skrapar dokumentarin Kujtesa e një vendi që harroi të harronte, aktivitet ky i mbajtur në kuadër të projektit Memory Alive i cili është organizuar nga IDMC edhe në qytete të tjera si Tiranë, Shkodër, Berat dhe Gjirokastër.
Në këtë aktivitet morën pjesë të rinj nga Çorovoda dhe përfaqësues të Bashkisë. Aktiviteti u hap nga drejtorja ekzekutive e IDMC-së, Dr. Jonila Godole. Më pas të pranishmit ndoqën dokumentarin për 30 min. Pas shfaqjes së dokumentarit, z. Nuri Musabelliu, ndau me të rinjtë e Çorovodës, eksperiencën e persekutimit të familjes së tij. Gjithashtu, gazetari Mustafa Nano i ndihmoi të rinjtë të thellonin njohjen e tyre për diktaturën. Ndarja e eksperiencave nga të ftuarit u moderua nga z. Parid Teferiçi dhe u ndoq nga një diskutim interesant me pjesëmarrësit.
Në këtë diskutim të rinjtë nga Çorovoda pranuan se interesi i tyre për këtë pjesë të historisë së Shqipërisë kishte qenë i papërfillshëm. Ata gjithashtu u shprehën se ajo çfarë u ishte ofruar në shkollë për këtë periudhë ishte e paktë dhe e pamjaftueshme për të kuptuar qartë diktaturën e Shqipërisë. Të rinjtë gjithashtu pranuan se para shfaqjes së dokumentarit as nuk kishin pasur interes të pyesnin prindërit apo gjyshërit në lidhje me këtë periudhë. Dokumentari nxiti te ata dëshirën për të pyetur dhe lexuar më shumë në lidhje më diktaturën e Shqipërisë dhe për t'u njohur me çfarë ka ndodhur gjatë asaj periudhe.
E pranishme gjatë aktivitetit ishte gjithashtu znj. Anila Basho, drejtore e Muzeut Historik të Çorovodës, e cila theksoi rëndësinë e vlerësimit të figurave historike. Pjesa e parë e aktivitetit u shoqërua me një koktej për të gjithë pjesëmarrësit. Pas koktejit zuri vend vizita në vendet e kujtesës në Skrapar. U vizitua muzeu i qytetit dhe më pas Uzina e Armëve në Poliçan.
Më shumë informacion rreth të ftuarve:
Mustafa Nano lindur në Skrapar, është analist politik shqiptar nga Shqipëria. Prej më shumë se dhjetë vitesh punon si gazetar në shtypin dhe televizionet e Tiranës. Ka bashkëpunuar në periudha të ndryshme me gazetat Shekulli, Korrieri dhe Shqip. Është autor i tre librave eseistikë.
Nuri Musabelliu vjen nga një ish-familje e persekutuar gjatë diktaturës shqiptare. Ai ka qenë mësues dhe sot jeton në Durrës.
Parid Teferiçi lindur në Kavajë në vitin 1972, është shkrimtar dhe kurator shqiptar. Në vitet 1999‒2001 shërbeu si arkivist në bibliotekën e Institutit të Don Kalabrisë në Romë, dhe në vitin 2001 u bë kurator i seksionit të arteve pamore të Institutit Kulturor Cini në Ferrara. Pikturat e tij i ka ekspozuar në Itali. Në vitin 2005, u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare si kandidat për Partinë Republikane, në vendlindjen e tij, Kavajë. Teferiçi ka publikuar dy vëllime me poezi: Bërë me largësi (Tiranë 1996) dhe Meqenëse sytë (Tiranë 2003).
28‒29 prill 2016, Gjirokastër – Pas shfaqjes disa herë në Tiranë, pastaj në Shkodër dhe Berat, dokumentari Kujtesa e një vendi që harroi të harronte, realizuar nga të rinjtë mbi njohuritë që ata kanë mbi diktaturën shqiptare, u shfaq më 9 prill në qytetin e Gjirokastrës. Aktiviteti u përshëndet nga drejtuesja e IDMC-së, znj. Jonila Godole, dhe nga z. Jorgo Masho, përfaqësues i shoqatës së ish të përndjekurve të Gjirokastrës.
Për të njohur nga afër përvojën njerëzore në diktaturë, të rinjtë biseduan me znj. Arjeta Kokalari, mbesa e disidentes Musine Kokalari, dhe z. Gëzim Peshkëpia, ish i burgosur politik. Diskutimi midis të ftuarve dhe të pranishmëve u moderua nga shkrimtari Parid Teferiçi. Takimi në Gjirokastër u shoqërua me diskutime dhe debate të forta, të cilat lidheshin kryesisht me figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe rolin e tij gjatë regjimit totalitar në Shqipëri deri në vitin 1990. Nga diskutimet u vu në pah se të rinjtë e njohin shumë pak të shkuarën dhe se shoqëria, familja dhe shkolla nuk i kanë ndihmuar ata aq sa duhet për ta zbardhur këtë pjesë të errët të historisë shqiptare.
Më pas, aktiviteti u ndoq me një vizitë në vendet e kujtesës në Gjirokastër: Muzeu "Musine Kokalari" dhe kalaja e Gjirokastrës (ish-burgu i qytetit). Muzeu Kokalari ka pësuar dëme të mëdha pas djegies së tij dhe administratorja, Arjeta Kokalari, shpreson të rikonstruktohet sa më shpejt e të kthehet në një muze të vërtetë kujtese, të forcës dhe të rezistencës së disidentes Musine Kokalari ndaj regjimit të ashpër totalitar shqiptar.
Të ftuar:
Arjeta Kokalari mbesa e disidentes Musine Kokalari, konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 vjet të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983.
Gëzim Peshkëpia lindur në Tiranë në vitin 1940, ish-i burgosur politik, i dënuar 8 vjet për "agjitacion e propagandë në fushën e artit e të kulturës". Në vitin 1951, babai i tij, z. Manush Peshkëpia, u pushkatua pa gjyq së bashku me 21 intelektualë të tjerë, për incidentin e bombës në Ambasadën Sovjetike. Në vitin 1990, ai arratiset së bashku me familjen e tij në Soest, Gjermani. Është anëtar i bordit drejtues të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri (ISKK).
Parid Teferiçi lindur në Kavajë në vitin 1972, është shkrimtar dhe kurator shqiptar. Në vitet 1999‒2001 shërbeu si arkivist në bibliotekën e Institutit të Don Kalabrisë në Romë, dhe në vitin 2001 u bë kurator i seksionit të arteve pamore të Institutit Kulturor Cini në Ferrara. Pikturat e tij i ka ekspozuar në Itali. Në vitin 2005, u kthye në Shqipëri për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare si kandidat për Partinë Republikane, në vendlindjen e tij, Kavajë. Teferiçi ka publikuar dy vëllime me poezi: Bërë me largësi (Tiranë 1996) dhe Meqenëse sytë (Tiranë 2003).
1 mars 2017, Tiranë – IDMC organizoi një takim me të rinjtë e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" në Tiranë, të titulluar "Të mbajmë gjallë kujtesën: Dialog mbi të Shkuarën". Takimi u hap nga mësuesja e historisë Mirela Novruzaj dhe u përshëndet nga drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, dhe drejtoresha e gjimnazit "Petro Nini Luarasi", Teuta Braçaj. Në këtë takim u shfaq dokumentari i IDMC-së, Kujtesa e një vendi që harroi të harronte. Pas shfaqjes së filmit të rinjtë patën shansin të diskutojnë me znj. Alma Liço, dëshmitare e diktaturës, e cila ndau me ta ekperiencën e internimit të familjes së saj. Znj. Fatmiroshe Xhemalaj, eksperte e historisë, e cila moderoi diskutimin midis të rinjve dhe të ftuarës, ndau gjithashtu edhe nga eskperienca e saj familjare gjatë diktaturës.
Të rinjtë e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" nga ana tjetër ndanë më të pranishmit e tjerë mendimin e tyre rreth diktaturës dhe sollën në fokus pikëpamjet e ndryshme midis brezash rreth kësaj teme. Ata po ashtu ndanë historitë familjare të diktaturës dhe zgjeruan njohuritë e tyre me pyetjet drejtuar të ftuarve në këtë aktivitet. Përveç të rinjve, të pranishëm në këtë takim ishin edhe mësues të shkollës, të cilët vunë në dukje problematikat e teksteve shkollore në trajtimin që i bëjnë periudhës së diktaturës.
Më shumë informacion rreth të ftuarve:
Alma Liço lindi në Tiranë në një familje intelektuale korçare. Familja e saj internohet nga diktatura komuniste në fshatin Dragot të Elbasanit kur ajo ishte vetëm 10 vjeç. Alma Liço është autore e një sërë artikujsh mbi diktaturën në Shqipëri, po ashtu autore e librit autobiografik "Krahë të këputur".
15 dhjetor 2018, Korçë – Në bashkëpunim me Qendrën Rinore Korçë u organizua shfaqja e dokumentarit "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte". Shfaqja e dokumentarit u pasua nga një diskutim mes Ylber Merdanit, ish-i burgosur politik në burgun e Spaçit, Jonila Godoles, drejtore e IDMC dhe Ylljet Aliçkës, shkrimtar nën moderimin e Maria Doiçes, pedagoge në Universitetin e Korçës. Gjatë këtij diskutimi Ylber Merdani ndau me të rinjtë eksperiencën familjare të persekutimit dhe burgosjen e tij në Spaç ku përjetoi edhe revoltën e 21–23 majit 1973.
E SHTUNË
15
DHJETOR
2018
15:30 – 16:30
16:30 – 17:00
17:00 – 17:10
17:10 – 17:45
17:45 – 18:30
18:30 – 19:00
19:00
Venue: Qendra Rinore Korçë
Adresa: Blv. "Republika", Ish-Shtëpia e Oficerëve, Korçë
Kontakt: Matilda Karçanaj, koordinatore projektesh, IDMC
E-mail: karcanaj.matilda@idmc.al
Meeting in Korca Youth Centre.
Discussion about the activity and getting to know each other
– Introduction into IDMC work and Korca Youth Centre activities
Dr. Jonila Godole, IDMC Director
Joan Deli, Coordinator of Korca Youth Centre
Ylljet Aliçka, panellist
Technical proof of the the documentary screening
Matilda Karcanaj & Valbona Bezati, IDMC
Registration of the participants
Opening remarks
Joan Deli, Coordinator of Korca Youth Centre
Dr. Jonila Godole, Director of IDMC
"Memory of a Country that Forgot to Forget" documentary screening
Panel discussion
Kujtim Merdani, contemporary witness tells his story
Dr. Jonila Godole, IDMC Director
Ylljet Aliçka, writer
Moderator: Dr. Maria Dojçe, Lecturer at Korca University
Questions & Answers
Cocktail
23 tetor 2020 – IDMC rishfaqi online dokumentarin "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte" për 24 të rinjtë e Ballkanit Perëndimor, të cilët ishin pjesë e një projekti shkëmbimi kulturor me IDMC. Aktiviteti u shoqërua me një diskutim në forum mes Fatmiroshe Xhemalaj (eksperte kurrikule), Maria Dojçe (pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale) dhe Jonila Godole (drejtoreshë e IDMC), nën moderimin e Elmira Gjonajt.
Tiranë
Berat
Tiranë
Shkodër
Skrapar
Gjirokastër
Tiranë
Korçë
Online
2016
2017
2015
2018
2019
2020