Inaugurimi në praninë e ambasadores Yuri Kim
Ekspozita "Në emër të Amerikës"

Tiranë, 16 nëntor 2021 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi ceremoninë e Inaugurimit të ekspozitës "Në emër të Amerikës" me rastin e 75-vjetorit të largimit të misionit amerikan nga Shqipëria, më nëntor 1946.

Ekspozita hedh dritë mbi marrëdhëniet shqiptaro-amerikane gjatë regjimit komunist, mbi armikun amerikan dhe prezanton të dhëna të reja mbi ngjarjet dhe njerëzit e kohës që vuajtën nga ai regjim. Ceremonia u përshëndet live nga sheshi "Skënderbej" ku po qëndron ekspozita, edhe nga ambasadorja e Kombeve të Bashkuara të Amerikës, SH.S. Znj. Yuri Kim.

Në aktivitet morën pjesë të rinj gjimnazistë, studentë, gazetarë, studiues, anëtarë të shoqërisë civile etj. Fjala hapëse e drejtores së IDMC, Dr. Jonila Godole theksoi kontributin e institutit në ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare mbi krimet dhe pasojat e komunizmit.

Ambasadorja e SHBA, znj. Yuri Kim u shpreh: "Komunistët nuk donin vetëm ta mbyllnin vendin fizikisht, por edhe shpirtërisht. Është e rëndësishme të kujtojmë këta njerëz që janë përndjekur, ekzekutuar, gjithë ato tmerre që ata kaluan, të kujtojmë ata burra dhe gra."

Aktiviteti u përshëndet edhe nga drejtori i ISKK, historiani Çelo Hoxha, i cili prezantoi shkurtimisht edhe punë të tjera të institutit në këtë fushë. Ndërkohë, bashkë-autori i ekspozitës Artan Hoxha Ph.D. bëri edhe një tur në ekspozitë për znj. ambasadore dhe të pranishmit e tjerë.

Të rinjtë e pranishëm nga gjimnazi "Sami Frashëri" dhe Shkolla Teknike Ekonomike përshëndetën aktivitetin dhe shprehën emocionet e tyre mbi faktet e reja të mësuara nga kjo ekspozitë.

Ekspozita në sheshin "Skënderbej" qëndroi e hapur për publikun më datat 15–22 nëntor 2021.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube