IDMC sjell në Shqipëri 50 delegatë ndërkombëtarë
Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane

Tiranë, 29 October 2019 — Delegacioni i Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC) do të vizitojë Shqipërinë më datat 3–6 nëntor 2019, në kuadër të Mbledhjes së 9-të Vjetore të Këshillit të Anëtarëve, organizuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), që është anëtar i Platformës prej vitit 2016. Ky takim do t'i ofrojë mundësinë 50 përfaqësuesve ndërkombëtarë, aktorë të ndryshëm që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, të vizitojnë vendet të ndryshme të kujtesës në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë.

PEMC është një organizatë ndërkombëtare e themeluar në Pragë, më 14 tetor të vitit 2011 me rekomandim të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian. Themelimi i saj u mbështet nga njëzet vende anëtare të BE. Momentalisht, Platforma ka rreth 60 anëtarë nga 20 vende të ndryshme të botës (14 vende të BE si Suedia, Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Gjermania, Holanda, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Sllovenia, Rumania, Bullgaria, Franca), si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Shqipëria, Ukraina, Moldavia dhe Islanda. Nga Shqipëria janë anëtare 4 organizata, konkretisht IDMC, ISKK, IIPP dhe Memo.

Qëllimi kryesor i Platformës është të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për historinë evropiane dhe krimet e kryera nga regjimet totalitare dhe për të inkurajuar një diskutim të gjerë europian për shkaqet dhe pasojat e sundimeve totalitar, si dhe për vlerat e përbashkëta europiane, me qëllim promovimin e dinjitetit njerëzor dhe të drejtat e njeriut. Që kur u themelua, PEMC ka organizuar konferenca dhe takime ndërkombëtare (në Bruksel, Varshavë, Prag, Budapest, Viljandi, Estoni dhe Paris) si dhe mbledhjet vjetore të Këshillit të Anëtarëve (në Berlin, Hagë, Bruksel, Vroclav, Kiev, Vilnius dhe Bled të Sllovenisë). Këtë vit, takimi vjetor organizohet në Tiranë, më 3–6 Nëntor 2019 te Tirana International Hotel.

Gjatë takimit në Shqipëri, përveç zgjedhjeve të bordit dhe presidentit të ri të PEMC, në fokus të diskutimeve do të jetë edhe Rezoluta e re e Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, e cila u votua më 19 shtator 2019, ku Parlamenti Europian sugjeron të thellohet puna në fushën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri, në rishikimin e kurikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale.

 

Në kuadër të kësaj IDMC ka organizuar aktivitete të ndryshme si më poshtë:

 

  • Vizitë studimore në vendet  e kujtesës në Shkodër;
  • Prezantim i ekspozitës "Totalitarizmi në Europë" te Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në prani të medies lokale;
  • Vizitë studimore në vendet e kujtesës në Lezhë;
  • Vizitë studimore te Muzeu "Shtëpia e Gjetheve" në Tiranë;
  • Vizitë në Kuvendin e Shqipërisë në kuadër të rezolutës së re të Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane;
  • Tryezë të rrumbullakët "Politika e Kujtesës në Shqipëri dhe Europë";
  • Ballafaqimi me të shkuarën në Shqipëri, veçanërisht roli i fonacionit gjerman Konrad Adenauer dhe IDMC

 

Më tepër rreth programit mund të shikoni këtu.

 

Organizatorë:

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC)

Dr. Jonila Godole, IDMC Director: jonila.godole@idmc.al;

Matilda Karçanaj, IDMC Programme Coordinator: karcanaj.matilda@idmc.al

 

Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane (PEMC)

Peter Rendek, PEMC Managing Director: director@memoryandconscience.eu

Kateřina Švecová, Assistant to PEMC Managing Director: office@memoryandconscience.eu

 

Partner:

Fonacioni Gjerman Konrad Adeanuer

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Institute for Democracy, Media & Culture

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube