Konferenca e Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes
Dr. Jonila Godole në Bordin Drejtues të PEMC

Pragë, 16–18 nëntor 2022 — Drejtoresha e Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), Dr. Jonila Godole mori pjesë në konferencën vjetore të Platformës Europiane të Kujtesës dhe Ndërgjegjes, në Pragë, më 16–18 nëntor 2022. Konferenca u përshëndet ndër të tjerë nga Kryeministri i Çekisë, Petr Fiala, Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, Kryeminstri polak, Mateusz Morawiecki dhe Svetlana Tikhanovskaya, liderja e opozitës bjelloruse. Çmimin e Platformës për këtë vit e mori organizata ruse "Memorial", që e detyrua të mbyllë aktivitetin pas shpalljes së paligjshme nga regjimi rus i Vladimir Putinit.

IDMC ka qenë organizata e parë shqiptare që u anëtarësua në Platformë në vitin 2016. Vitet e fundit na janë bashkuar Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), Memo dhe prej pak ditëve edhe kujto.al – Arkiva Online e Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit në Shqipëri. Së bashku do të jemi në të ardhmen një zë edhe më i fuqishëm!

Duam të ndajmë me ju gjithashtu lajmin e gëzuar që Dr. Godole është zgjedhur më 16 nëntor anëtare e Bordit Drejtues të Platformës përkrah 5 përfaqësuesve nga Polonia, Rumania, Estonia, Sllovenia dhe Franca. Kujtojmë që drejtoresha e IDMC u zgjodh një vit më parë në Bordin e Supervizimit të Platformës.

Ky është një vlerësim i madh jo vetëm për kontributin e IDMC gjatë viteve si anëtar i Platformës, por edhe një hap pozitiv për Shqipërinë e përfaqësuar në organizata ndërkombëtare të këtij niveli.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube