Humori si formë rezistence gjatë regjimit komunist
NJOHJA E të rinjve ME Të KALUARëN KOMUNISTE
#Humori / #Rinia / #IDMCon
Një nga veçoritë kryesore të artit gjatë regjimit komunist ishte edhe humori. Ai bënte pjesë në atë çka shteti kontrollonte rreptësisht dhe që e përdorte për të mbushur jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare. Humori kishte një rol të rëndësishëm në veprimtaritë artistike të teatrove, estradave, revistave, publikimeve apo librave. Një valë humori e gjerë dhe e organizuar u përhap në Shqipëri sidomos pas viteve '70, duke e propaganduar atë për të shpalosur sukseset e Shqipërisë në fushat e ndryshme të zhvillimit ekonomik. Po ashtu humori filloi të godiste edhe fenomene të ndryshme shoqërore, të cilat kishin në qendër vese të ndryshme që haseshin shpesh në jetën e përditshme.
Gjithsesi përtej larmisë dhe sasisë së produkteve humoristike, humori në shprehjet e tij të ndryshme asnjëherë nuk u ngrit në goditjen e niveleve të larta të udhëheqjes. Ne synojmë që nëpërmjet disa takimeve të shtrojmë pika dhe tematika kyçe mbi temën e humorit në komunizëm. Karikatura, barcaleta e tregime humoristike, estrada dhe skeçi janë disa nga këto tematika.
Hyrje në trajnimet "Humori si formë rezistence gjatë regjimit komunist"
21 tetor 2021, Internet – Filloi cikli i trajnimeve mbi temën e humorit gjatë regjimit komunist. Historiani Pjerin Mirdita trajtoi me të rinjtë konceptet kryesore dhe bazën e trajnimeve të ardhshme në këtë fushë, përkatësisht: Karikatura, skeçi dhe estrada, tregime humoristike dhe barcaleta.
Të rinjtë drejtuan pyetje mbi kërkime shkencore në këtë fushë, mbi krahasime të humorit midis vendeve të ndryshme brenda Bashkimit Sovjetik etj.
Karikatura
27 tetor 2021, Internet – Këtë të mërkurë u zhvillua takimi i dytë online i serisë të trajnimeve "Humori si formë rezistence gjatë regjimit komunist".
Në këtë takim, në drejtimin e trajnerit Pjerin Mirdita të rinjtë u njohën me gjurmët e para të karikaturës në botë dhe në Shqipëri. Një hapësirë iu dedikua qasjes që kanë të rinjtë ndaj karikaturës në ditët e sotme dhe sipas opinioneve të tyre karikatura si zhanër është shumë pak e njohur dhe ata sot e njohin atë më shumë përmes karikaturës politike.
Pjesëmarrësit diskutuan për përhapjen masive të humorit dhe karikaturës në vitet '70 duke rënë në dakordësi që shumë prej këtyre karikaturave janë aktuale edhe sot.