Pogradec, Korçë dhe Ersekë
IDMC thellon bashkëpunimin me gjimnazet

Pogradec, Korçë, Ersekë, 19–20 korrik 2018 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) pas turit treditor të takimeve në shkollat e mesme në veri të vendit vazhdoi vizitat dhe takimet me përfaqësues të gjimnazeve dhe Drejtorive Arsimore në jug të vendit.

Ndalesën e parë IDMC e pati në Pogradec, ku u takua me përfaqësuesin e Drejtorisë Arsimore Pogradec, Sotiraq Mangeri, dhe Elton Canellari, mësues historie në qytetin e Pogradecit. Në këtë takim u diskutua për bashkëpunime të mëtejshme zyrtare midis IDMC dhe gjimnazeve të Pogradecit me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore të Pogradecit. Stafi i IDMC vazhdoi më tej takimin me përfaqësues të institucionit të arsimit të lartë privat, "Nehemiah Gateway", për të diskutuar për projekte të mundshme në të ardhmen midis IDMC dhe "Nehemiah Gateway".

Pas takimeve në qytetin e Pogradecit, në pjesën e dytë të ditës IDMC iu drejtua qytetit të Korçës për të ndjekur një seri takimesh, fillimisht me z. Nikolin Gërmenji, ekspert i kurrikulës, dhe pastaj me përfaqësues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve në qytetin e Korçës, njëkohësisht dëshmitarë të diktaturës, Shpresa Merdani dhe Ylber Merdani. Gjatë takimit me z. Gërmenji, IDMC dhe specialistja e kurrikulës, Fatmiroshe Xhemalaj, prezantuan libri "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" dhe diskutuan impaktin që ka libri te mësuesit dhe nxënësit. Seria e takimeve në Korçë u mbyll në mbrëmje me Marie Dojçe, pedagoge në Universitetin "Fan Noli" të qytetit të Korçës, ku u diskutuan bashkëpunime të mundshme midis IDMC dhe Universitetit, si workshop-e, ekspozita nga studentët dhe shfaqje dokumentarësh.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ditën e dytë, më 20 korrik, IDMC vazhdoi takimet në qytetin e Ersekës, fillimisht me Zamira Meton, drejtoreshë e gjimnazit "Petro Nini Luarasi" në Ersekë ku u diskutua bashkëpunimi midis gjimnazit dhe IDMC në shfaqjen e dokumentarit "Fëmijët e diktaturës", workshop-e dhe trajnime të mundshme në shkollë apo përfshirje e të rinjve ne konkursin "Pyet Gjyshërit 3". Më pas, takimi vazhdoi në Bashkinë Kolonjë me Sidorela Xhekon, zëdhënese shtypi në Bashkinë Kolonjë dhe me ish-të përndjekur të zonës të cilët shprehën dëshirën të bëhen pjesë e projektit "Unë dëshmoj", duke ndarë dëshmitë e tyre familjare të persekutimit në diktaturë.

Në fund të këtij udhëtimi 5-ditor, IDMC falënderon të gjithë përfaqësuesit e gjimnazeve, universiteteve, Drejtorive Arsimore dhe Bashkisë Kolonjë që mikpritën propozimet e IDMC për t'u takuar dhe për të diskutuar për bashkëpunime të ardhshme. IDMC është optimiste dhe e motivuar që së shpejti do të thellojë bashkëpunimin në këto qytete përmes aktiviteteve të ndryshme për të rinj që synojnë edukimin qytetar të të rinjve dhe njohjen me të shkuarën e vendit

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube