Rrëshen, Kukës dhe Tropojë
IDMC thellon bashkëpunimin me gjimnazet

Rrëshen, Kukës dhe Tropojë, 16–18 korrik 2018 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) përmbushi me pozitivitet një tur treditor takimesh në shkollat e mesme në veri të vendit. Nga ky rajon, gjimnazistët kanë pasur mjaft interes për të marrë pjesë në aktivitetet qē IDMC organizon në fushën e kujtesës, por ende nuk ishte siguruar një bashkëpunim zyrtar me titullarët e institucioneve.

Në praninë e specialistes Fatmiroshe Xhemalaj, si përfaqësuese edhe e Shoqatës së Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia dhe Historia", stafi i IDMC dhe drejtoresha Dr. Jonila Godole zhvilluan një takim me drejtoreshën e gjimnazit të Rrëshenit, Liliana Marku. Gjimnazi në fjalë dikur mbante emrin e zyrtarit të lartë të nomenklaturës komuniste të Mirditës, Bardhok Biba. Vrasja e tij në vitin 1949 solli dënimin me vdekje të 14 personave të pafajshëm dhe një kalvar të gjatë përndjekjesh për të gjithë rrethin. Pikërisht duke përmendur këtë të kaluar dhe duke diskutuar rreth ideve, aktivitetit dhe mundësisë së bashkëpunimit me IDMC në rrafshin e përballjes me të shkuarën, drejtoresha Marku u shpreh pozitivisht.

Nga idetë u dhanë si mundësi aktiviteti leximi publik i dosjes së Musine Kokalarit, e cila vuajti internimin pikërisht në Rrëshen, shfaqja e dokumentarit "Fëmijët e diktaturës", vizitat studimore në vendet e kujtesës dhe përfshirja e materialeve mësimore plotësuese në lëndën e historisë sikurse është botimi i IDMC "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore". Po kështu u fol edhe për përfshirjen e gjimnazistëve në konkursin e përvitshëm "Pyet Gjyshërit".

Më tej, një vizitë po aq e efektshme rezultoi të ishte takimi në Kukës me drejtorin e gjimnazit "Havzi Nela", Halit Muçmatën. Ai tregoi për frymën dhe interesin që kanë nxënësit për të folur për të shkuarën komuniste dhe për mungesën e informacionit dhe të aktiviteteve në këtë pikë. Gjimnazi në fjalë mban emrin e poetit disident Havzi Nela, i cili nga regjimi komunist u ekzekutua me varje në vitin 1988. Pikërisht prej kësaj, z. Muçmata tha se të rinjtë ndihen të frymëzuar për ta njohur më mirë të kaluarën.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Drejtoresha e IDMC, znj. Godole tregoi për interesin e veçantë që ka Instituti për verilindjen e vendit, kjo për shkak se gjatë regjimit komunist këto zona u përndoqën më së shumti dhe 27 vite pas ndryshimit të sistemeve është e domosdoshme që brezat e rinj të këtij rajoni të mos e harrojnë të shkuarën, por ta përballin me synimin që e kaluara të mos përsëritet.

Pas takimit me z. Muçmata, IDMC vazhdoi turin e saj të vizitave më në veri. Takimi i radhës ishte në qytetin e Bajram Currit me drejtoreshën e gjimnazit "Asim Vokshi", Shote Basha, dhe me mësuesen e historisë, Arlinda Dushaj. Me një natyrë tejet pozitive, drejtoresha mirëpriti të gjitha idetë dhe propozimet e IDMC. Znj. Basha tregoi se shkolla pritej të rikonstruktohej, por që sidoqoftë ambientet për aktivitetet e mundshme me IDMC do të gjendeshin falë bashkëpunimit me shkollat e tjera të qytetit.

Dhe pas këtyre takimeve në Rrëshen, Kukës dhe Bajram Curri, mund të themi se IDMC do ta shtrijë aktivitetin e saj edhe në veri dhe verilindje, duke përfshirë në procesin e përballjes me të shkuarën edhe më shumë se një mijë nxënës të këtyre zonave.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube