Vlerësohet kontributi i veçantë në fushën e kujtesës
Dr. Jonila Godole merr Kryqin Federal të Meritës

Tiranë, 23 shkurt 2022 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë i shpreh mirënjohje të thellë presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ), Frank-Valter Shtajnmajer, për vlerësimin e lartë të Dr. Jonila Godole me Kryqin Federal të Meritës. Falënderojmë edhe Ambasada Gjermane Tiranë me kryediplomatin e saj, Peter Cingraf, për dorëzimin e dekoratës.

"Boshti që përshkon angazhimin letrar, gazetaresk dhe honorifik të Jonila Godoles është trajtimi i diktaturës komuniste të Hoxhës, që e mbajti Shqipërinë nën thundër nga 1945–1991. […] Në një shoqëri ku qasja kritike ndaj regjimit komunist rrallëherë është e një prioriteti të lartë, Jonila Godole nuk i druhet përballjes: ajo tematizon mangësitë dhe kërkon më shumë transparencë […]. DITËT E KUJTESËS, ditët e sjelljes në kujtesë të krimeve dhe viktimave të diktaturës staliniste në Shqipëri, janë shembull i mirë për angazhimin dhe rrezeveprimin e punës së Jonila Godoles […]

Duke qenë se RFGJ mbështet prej më shumë se 30 vitesh transformimin e Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE dhe të reformës ambicioze në drejtësi që prej vitit 2016, mund të konstatojmë se angazhimi i madh i znj. Godole jo vetëm mbështet marrëdhëniet dypalëshe, por i shërben interesit gjerman dhe europian për stabilitet në Shqipëri dhe rajon […]," theksoi ambasadori Cingraf, duke çmuar arritjet e veçanta të Dr. Godoles, drejtores ekzekutive të IDMC-së, në fushën intelektuale, kulturore, qytetare dhe në mënyrë të veçantë për fushën e kujtesës.

Kjo na motivon si institucion që ta vazhdojmë më tej punën tonë për ndërgjegjësimin e brezit të ri dhe gjithë shoqërisë shqiptare mbi pasojat e diktaturës.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube