Takimi në kuadër të Mbledhjes së Këshillit të Anëtarëve
Këshilli i PEMC viziton Shqipërinë

Tiranë–Shkodër–Lezhë, 3–6 nëntor 2019 — Delegacioni i "Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane" (PEMC) vizitoi Shqipërinë më datat 3–6 nëntor 2019, në kuadër të Mbledhjes së 9-të Vjetore të Këshillit të Anëtarëve, organizuar në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), që është anëtar i Platformës prej vitit 2016. Ky takim i ofroi mundësinë 50 përfaqësuesve ndërkombëtarë, aktorë të ndryshëm që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, të vizitojnë vendet të ndryshme të kujtesës në Tiranë, Shkodër dhe Lezhë.

Gjatë vizitës studimore te Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, më 4 nëntor, u prezantua ekspozita "Totalitarizmi në Europë" në prani të gazetarëve dhe institucioneve e organizatave publike dhe joqeveritare që punojnë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën në Shkodër. Eventi u hap nga drejtori i Vendit të Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër, Pjerin Mirdita dhe u përshëndet nga Dr. Jonila Godole, drejtoresha e IDMC; Dr. Lukas Kaminski, president i Platformës; prof. Inese Vaidere, deputete e Parlamentit Europian, si dhe nga Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër.

Ekspozita është produkt i një bashkëpunimi ndërkombëtar të anëtarëve të Platformës dhe synon ndërgjegjësimin publik mbi krimet e kryera nga diktaturat totalitare të Europës së shekullit të 20-të. Përmes kësaj ekspozite, publiku shqiptar njihet me totalitarizmin në Shqipëri, Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Gjermani, Holandë, Çeki, Sllovaki, Hungari, Slloveni, Rumani, Bullgari dhe Ukrainë. Posterat e ekspozitës paraqesin statistika mbi viktimat e krimeve ndërkombëtare të kryera me urdhër të udhëheqjes së regjimeve totalitare. Natyra e strukturave totalitare të pushtetit tregohet përmes numrit të anëtarëve të partive komuniste dhe të policisë sekrete; të vrarëve dhe të burgosurve, si dhe personave që mundën të arratiseshin me sukses. Jepen gjithashtu emrat e përgjegjësve kryesorë, të dhëna mbi ndjekjen penale ose jo të autorëve të krimeve, pas rrëzimit të regjimeve përkatëse.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më 5 nëntor 2019, u realizuan zgjedhjet e bordit dhe presidentit të PEMC, si dhe u aprovua raporti vjetor i Platformës. Pjesa e dytë e ditës vazhdoi me diskutime mbi politikën e kujtesës në Shqipëri dhe Europë. Kjo ditë u mbyll me një vizitë te Muzeu Shtëpia e Gjetheve.

Dita e fundit në bashkëpunim me IDMC dhe fondacionin Konrad Adenauer ofroi sesionin e hapur për publikun titulluar "Eksperienca gjermane e ballafaqimit me të shkuarën në Shqipëri" ku Dr. Jonila Godole, drejtore e IDMC dhe Dr. Tobias Rüttershoff, drejtor i KAS, prezantuan punën e institucioneve që drejtojnë dhe sfidat me të cilat përballen në punën e tyre.

Sesioni u mbyll me lançimin zyrtar të edicionit të katërt të konkursit "Pyet Gjyshërit", ku u firmos marrëveshja e partneritetit për konkursin midis IDMC dhe PEMC, duke e bërë kështu Platformën partner zyrtar të konkursit që do të mundësojë vizitën studimore për fituesit në Republikën Çeke. Konkursi fton gjimnazistët të dërgojnë punimet e tyre multimediale deri m 5 janar 2020.

Programi u mbyll me një takim të delegacionit të Platformës me deputetët shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë ku u diskutua për çështje me rëndësi të përbashkët në fushën e kujtesës dhe ballafaqimit me të shkuarën.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube