Kinostudio kundër klerit – Shqipëria ateiste

55-vjetori i shpalljes së Shqipërisë ATEIsTE

#kinostudiokunderklerit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

10 nëntor 2022, Tiranë – U zhvillua aktiviteti me temë "Kinostudio kundër klerit" kushtuar 55-vjetorit të shpalljes së Shqipërisë vendi i parë ateist në botë.

Fjalën e hapjes e mbajti znj. Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e IDMC, e cila përshëndeti të ftuarit duke i falënderuar për pjesëmarrjen. Znj. Godole nënvizoi rëndësinë e këtij debati, duke shpresuar që nismës së Institutit, i cili hartoi rekomandimet e kësaj tryeze, t'i bashkohen institucione të tjera për të gjendur një zgjidhje për shfaqjen e këtyre filmave në televizionet tona sipas shembullit të vendeve të tjera me histori të ngjashme diktatoriale. "Propaganda denigruese e regjimit komunist kundër klerit rezultoi e ashpër, u shembën objekte të kulteve fetare, u përndoqën, u burgosën dhe u ekzekutuan shumë klerikë të asaj kohe, propagandë e cila u reflektua në shumë fusha të artit, konkretisht në prodhimtarinë e filmave të Kinostudios," theksoi ajo.

Të ftuarit i përshëndeti gjithashtu z. Tobias Rüttershof, Drejtor i Fondacionit Konrad Adenauer, mbështetësi kryesor i IDMC në çdo nismë. Ai falënderoi pjesëmarrësit dhe shprehu kënaqësi që studentë dhe nxënës ishin të pranishëm në aktivitet, pasi "është e rëndësishme që të rinjtë ta njohin dhe ta kujtojnë të shkuarën".

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Më pas debati vijoi me përfaqësuesit e institucioneve fetare nga Komuniteti Mysliman, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse, Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës. Ata sollën fakte mbi persekutimet e kryera ndaj figurave të klerit, si edhe ngritën shqetësimin sa i përket mesazhit të përcjellë nga këta filma.

Dom Gjergj Meta në fjalën e tij theksoi: "Është i nevojshëm një purifikim i memories dhe problemi i së kaluarës është një temë që prek çdo shtresë të shoqërisë." Njohja e së shkuarës për brezin e ri është thelbësore po aq sa mosharresa e saj nga të gjithë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjithashtu, përfaqësuesit e institucioneve si Autoriteti i Medias Audiovizive, Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Forumi i Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Departamenti i Gazetarisë në UT dhe anëtarë të Këshillit drejtues të RTSH, në fjalën e tyre shprehën përgëzimin për këtë nismë të IDMC dhe propozuan që rekomandimeve t'i bashkohen dhe sugjerimet e tyre për formimin e një grupi pune, i cili në fokus duhet të ketë përpilimin dhe miratimin e një projektligji për shfaqjen e këtyre filmave në televizion, për ta bërë atë në mënyrë të filtruar dhe me kontekstin përkatës.

Pjesëmarrësit në sallë patën mundësinë të shihnin dhe një ekspozitë me foto si dëshmi për përndjekjen dhe persekutimin që iu bë klerit gjatë regjimit diktatorial.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Një falënderim i veçantë i takon historianit z. Pjerin Mirdita, ekspert i çështjeve historike të periudhës komuniste, i cili në bashkëpunim me IDMC dhe fondacionin Konrad-Adenauer-Stiftung, prezantuan ekspozitën me titull "Dritë përtej errësirës" gjatë Ditëve të Kujtesës në vitin 2021.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube