Në kuadër të 27-vjetorit të rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha
Ekspozita "Komunizmi në epokën e tij"

Tiranë, 19 shkurt 2018 — Instituti për Demokraci, Media & Kulturë (IDMC) në prag të 27-vjetorit të rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës, që shënon simbolikisht rënien e diktaturës në Shqipëri, solli në Tiranë ekspozitën "Komunizmi në epokën e tij". Kjo ekspozitë e lëvizshme e përgatitur nga Fondacioni Federal për Studimin e Diktaturës në Gjermaninë Lindore është prezantuar në gjuhën angleze, franceze, spanjolle, ruse, ukrainase, armene, estoneze, gjeorgjiane, rumune dhe çeke, në vende të ndryshme të botës, dhe u soll për herë të parë në gjuhën shqipe në bashkëpunim me IDMC.

Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin XX të pasqyruara në këtë ekspozitë, erdhi si nevojë për të kuptuar se historia që Shqipëria përjetoi për rreth 45 vite nuk ishte dhe aq e ndryshme nga ato që përjetuan vendet e tjera të bllokut komunist. Ngritja dhe rënia e komunizmit në shekullin XX përcjell ideologjinë, që përmes kultit të individit dhe represionit të pashembullt u bë shkaktare e mbi 100 milionë viktimave, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole, u shpreh: "Shtylla kurrizore e demokracisë që është krijimi i shtetit të së drejtës, ende pas 27 vjetësh nuk është vendosur në Shqipëri. Kjo na bën ne ta kthejmë kokën pas dhe të shohim a kanë mbase disa ngjashmëri me kohën e sotme." I ftuar për ta përshëndetur këtë ekspozitë ishte edhe drejtori i Muzeut Historik, Dr. Dorian Koçi i cili u shpreh se ekspozita të tilla ndihmojnë të rinjtë të njihen me të kaluarën. Ekspozita u prezantua nga kuratori i saj, Dr. Ulrich Maehlert, i cili ndau me të pranishmit entuziazmin me të cilin Fondacioni Federal per Studimin e Krimeve të Diktaturës në Gjermaninë Lindore kishte pritur propozimin e IDMC për ta sjellë ekspozitën edhe në Shqipëri.

Dr. Maehlert u shpreh se është e nevojshme një analizë të komunizmit për të bërë drejtësi për viktimat e tij. "Shumë fate familjesh, shumë trauma pas të cilave shumë njerëz vuajnë sot, i kanë rrënjët tek e kaluara," tha Dr. Maehlert. Fjalimi kryesor i aktivitetit u mbajt nga z. Fatos Lubonja, ish-i burgosur politik, i cili solli në vëmendje të të gjithëve rastin shqiptar dhe pse Shqipëria sipas tij mbeti ende Staliniste. Sipas Lubonjës: "Në thelbin e vet Stalinzimi është egërsia maksimale e regjimit të terrorit."

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Prezantimi i kësaj ekspozite nga ana e IDMC në muajin shkurt nuk është i rastësishëm, pasi ai mund të konsiderohet vërtetë si muaji i kujtesës kolektive shqiptare, sepse përmban mjaft data domethënëse historike. Më 19 shkurt 1951 në ambasadën Sovjetike u inskenua "bomba" që justifikoi arrestimin dhe më vonë pushkatimin pa gjyq të 22 personave. Gjithashtu në shkurt 1967, diktatori Hoxha nisi të ashtuquajturën "luftë kundër paragjykimeve dhe zakoneve fetare" si rezultat i së cilës rreth 2 200 vende kulti u prishën, u mbyllën apo u tjetërsuan. Me luftën ndaj besimeve fetare, regjimi i Hoxhës e cilësoi "të likuiduar funksionin e klerit", përndoqi dhe burgosi pjesën më të madhe të tyre. Shqipëria u bë i vetmi vend ateist në botë. Po shkurti do të mbante edhe një datë tejet domethënëse, rrëzimin simbolik të regjimit. Ishte 20 shkurti i vitit 1991 kur studentët dhe qytetarët e Tiranës thyen frikën dhe rrëzuan shtatoren e Enver Hoxhës. Ky gjest popullor shembi përfundimisht heshtjen përballë përndjekjes shtetërore dhe nxiti përshpejtimin e ndryshimit të sistemit.

Ekspozita "Komunizmi në epokën e tij" jep mundësinë për të njohur zhvillimin dhe përhapjen e komunizmit në botë, si dhe synon të nxisë reflektimin dhe përballjen e shoqërisë shqiptare me të kaluarën e saj.

Ekspozita "Komunizmi në epokën e tij" u hap më datë 19 shkurt 2018, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar dhe do të qëndrojë e hapur deri në fillim të marsit. Hyrja është pa pagesë.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube