Letërsia si vend kujtese
autobiografi për diktaturën
Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon shqip me Lekë Tasin
18 tetor 2019, Tiranë – Me rastin e Rezolutës së re të Parlamentit Europian mbi rëndësinë e një kujtese të përbashkët europiane, e cila u votua më 19 shtator 2019 me 535 vota pro, 66 kundër dhe 52 abstenime, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetje të Fondacionit Gjerman Konrad Adenauer organizoi aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", më datë 18 tetor 2019, ora 11:00–12:30 te salla e Bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar.
Nuk mund të ketë pajtim dhe paqe pa kujtesë historike, prandaj Parlamenti Europian sugjeron të thellohet puna në fushën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri, në rishikimin e kurikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale.
Eventi u hap nga drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe u përshëndet nga drejtori i Fondacionit Konrad Adenauer në Tiranë (KAS), Dr. Tobias Rüttershoff.
Dr. Godole ndau me pjesëmarrësit qëllimin e eventit. Ajo shpjegoi se eventi nisi në vitin 2015, kur nuk kishte ende memoriale në Shqipëri, vende të vërteta kujtese, pllaka përkujtimore apo muze që të përkujtonin viktimat e komunzimit. Dr. Godole shtoi më tepër se letërsia është një vend ku shumë dëshmi të kohës së komunzimit mund të gjenden përmes biografive dhe autobiografive, si dhe rrëfimeve të tjera dhe mund të shërbejë si e tillë si një vend kujtese.
Ndërsa Dr. Rüttershoff foli në emër të KAS për eksperiencën e ngjashme të së shkuarës në Gjermani. Ai tha se është shumë e rëndësishme të trajtosh këtë temë të rëndësishme, veçanërisht në një vend si Shqipëria ku e shkuara ishte shumë e ashpër, me njerëz që u vranë apo kaluan 30–40 vjet nëpër burgje. Ai theksoi rëndësinë jo vetëm të të ruajturit të këtyre dëshmive dhe transmetimit të tyre, por sidomos të arrish te të rinjtë me këto histori.
Nën moderimin e gazetares Fatmira Nikolli dhe kritikut letrar Agim Baçit, Z. Tasi ndau me pjesëmarrësit eksperiencën e persekutimit të familjes së tij. Ish- violonçelisti dhe piktori Lekë Tasi, ish i persekutuar i diktaturës prej viteve 1975–1990 në fshatin Grabjan të Lushnjës diskutoi dhe lexoi nga libri i tij "Grabjani rrëzë kodrave", ku artisti përcjell kujtime nga jeta në internim gjatë regjimit komunist. Diskutimi me z. Tasi i ofroi lexuesit një një analizë shumëdimesionale të ngjarjeve të ndodhura në kampin e internimit në Grabjan, duke sjellë kështu personazhe e karaktere me të cilët është njohur atje.
Organizator:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC)
Kontakt:
Matilda Karçanaj, Koordinatore e projekteve te IDMC | E-mail: karcanaj.matilda@idmc.al
Partner:
19‒20 maj 2016, Shkodër – E shkuara jo aq e largët diktatoriale e Shqipërisë është "ruajtur" në vende të ndryshme të kujtesës kolektive porsi muzeu i posaçëm i dëshmisë dhe kujtesës në Shkodër, në ngrehinat e burgjeve dhe kampeve të internimit, në arkivat e televizioneve dhe në librat shkollorë apo në krijimtarinë publicistike. Një vend po aq i rëndësishëm i kujtesës është edhe letërsia, në mënyrë të veçantë ajo autobiografike. Shumë nga të mbijetuarit e burgimeve dhe internimeve të diktaturës, shkrimtarë, por jo vetëm, na rrëfejnë përmes tregimesh autentike jo vetëm historitë e tyre individuale, por na japin njëkohësisht një diagnozë të shoqërisë dhe të kohës duke na lënë dëshmi historike me vlera shumëdimensionale. Këto vepra na japin një mundësi më shumë për një dialog sa subjektiv, aq edhe objektiv, sa letrar, aq edhe real.
Për këtë arsye, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë organizoi në Shkodër një aktivitet dyditor titulluar "Letërsia si vend kujtese". Ky aktivitet u konceptua si një mundësi për të zbuluar rolin e letërsisë në këtë dialog me historinë, vendin e saj në kujtesën kolektive si edhe mundësitë që ajo ofron për edukimin e brezave me ndërgjegje historike.
Në ditën e parë të aktivitetit u ftuan një panel profesionistësh nga fusha e letërsisë, publicistikës dhe akademisë për të folur mbi veprat që trajtojnë të shkuarën diktatoriale përmes rrëfimesh letrare, autobiografike, dhe mbi ngjarje reale të terrorit e dhunës komuniste. Aktiviteti u mbajt te Kisha Françeskane. Pjesë e panelit në ditën e parë të aktivitetit ishin Dr. Agron Gjekmarkaj, Prof. As. Dr. Eugen Pepa, znj. Brunilda Lleshi dhe z. Marçel Hila. Përmes një formati sa më interaktiv, nën moderimin e znj. Sara Michel, u arrit një dialog mes të gjithë pjesëmarrësve, qofshin këto dëgjues apo referues, me qëllim nxitjen e një diskursi publik dhe hapjen e perspektivave të reja mbi formimin dhe forcimin e kujtesës kolektive.
Dita e dytë e aktivitetit pati në fokus bashkëbisedimin e nxënësve të shkollës austriake "Peter Mahringer" në Shkodër me znj. Alma Liço. Pas shfaqjes së dokumentarit "Kujtesa e një vendi që harroi të harronte", ajo ndau me të rinjtë eksperiencën e saj gjatë diktaturës, nën moderimin e z. Parid Teferiçi. Historitë personale të rrëfyera nga ish të përndjekur politikë janë "vendtakimi" i të rinjve me historinë e errët të diktaturës dhe ballafaqimi i tyre me vende të kujtesës në topografinë e persekutimit të madh komunist në qytetin e Shkodrës. Shfaqja e dokumentarit u ndoq nga një vizitë në vendin e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër.
Pas vizitës, aktiviteti u kthye sërish te Kisha Françeskane, për të vazhduar ditën e dytë të takimit me letërsinë si vend kujtese. Pjesë e panelit këtë herë ishin z. Preç Zogaj, znj. Alma Liço dhe z. Alfred Lela, të cilët folën me të pranishmit për rëndësinë e njohjes me të shkuarën e vendit tonë. Nën moderimin e znj. Sara Michel, ky aktivitet shërbeu për të folur e reflektuar mbi kohën dhe të vërtetat tona në një përballje për të shkuarën dhe dialog për të tashmen, përmes narrativash të ndryshme, sepse letërsia është kujtesë dhe kujtesa është identitet.
29 shtator 2016, Tiranë – Pas Shkodrës, IDMC e solli aktivitetin "Letërsia si vend kujtese" edhe në Tiranë. Ky aktivitet u organizua më datë 29 Shtator 2016 në kuadër të aktivitetit "Tirana lexon".
Pjesa e parë e aktivitetit iu kushtua takimit me temë: "Letërsia e ndaluar: Tirana lexon Kasëm Trebeshinën". Aktiviteti u përshëndet nga Dr. Jonila Godole, drejtore ekzekutive e IDMC-së dhe Prof. As. Lili Sula, shefe e Departamentit të Letërsisë në UT. Më pas Dr. Anila Mullahi dhe Prof. As. Lili Sula theksuan rëndësinë e Kasëm Trebeshinës në letërsinë shqipe, diskutim ky i moderuar nga shkrimtari Krenar Zejno. Ai është padyshim një ndër shkrimtarët më të mirë shqiptarë, por krejt i panjohur në raport me ç'do duhej të ishte për vlerat që mbart pena e tij. Ky takim erdhi për publikun si një vëmendje e veçantë kushtuar këtij personaliteti të letrave shqipe me rastin e 90-vjetorit të lindjes së Kasëm Trebeshinës. Studentët e pranishëm lexuan pjesë të shkurtra nga vepra të ndryshme të autorit. Pjesa e parë u mbyll me workshop-in "Letërsia disidente në median shqiptare para dhe pas viteve 1990" me moderimin e gazetarit Saimir Muzhaka.
Pjesa e dytë e aktivitetit u përshëndet edhe nga Ministrja e Kulturës, Prof. Mirela Kumbaro, dhe solli në vëmendje autobiografitë si burim për të njohur dhe kuptuar të shkuarën. Në këtë takim të ftuarit diskutuan për "Letërsinë si vend kujtese" dhe lexuan pjesë që dëshmonin për periudhën e diktaturës në Shqipëri.
IDMC falënderon të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe veçanërisht Departamentin e Letërsisë në Universitetin e Tiranës për bashkëpunimin.
22 maj 2018, Tiranë – Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me "Fondacionin Konrad Adenauer" dhe "Europe House" në Tiranë, nisi dje serinë e aktiviteteve "Tirana Lexon 2018". Aktiviteti "Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon për të kujtuar" kishte si subjekt kombinimin e pasionit për leximin me reflektimin mbi të shkuarën. Ishte zgjedhur ky subjekt prej faktit se fillimi i javës përkonte me 45-vjetorin e "Revoltës së Spaçit" dhe se në të tillë mënyrë, përmes librit, mund të nxitet më mirë memoria historike.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, dhe përfaqësuesja e Delegacionit të BE-së, Monika Bylaite, e nisën ngrohtë aktivitetin duke mirëpritur në panel të ftuarit Fatbardha Saraçi, Arlinda Çausholli, Gëzim Peshkëpia dhe Fatos Lubonja. Në fjalën e saj, Godole rikujtoi rolin që ka letërsia në përçimin i përvojave njerëzore dhe vlerësoi jashtë mase interesin e të rinjve. Edhe Bylaite ndau të njëjtin mendim ndërsa tha se do ta ndiqte me mjaft vëmendje aktivitetin duke qenë se vinte nga një vend ish-komunist si Lituania.
Nën moderimin e drejtoreshës së IDMC dhe përgjegjëses së Departamentit të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Lili Sulës, si fillim fjala iu dha Fatbardha Saraçit. Mbledhëse e palodhur e dëshmive të grave që vuajtën përndjekjen dhe burgjet e diktaturës, ai tregoi me modesti se tre vëllimet e librit "Dhimbje" nuk janë punë e saja, por e atyre që rrëfyen. "Këtë mision e zgjodha sepse përndjekjen e vuajta vetë dhe nga ana tjetër isha afër atyre grave që vuajtën më tepër se unë. Të shkruaja për këtë temë e mendova menjëherë pas vitit 1990. Mendova se një roman nuk do të pritej mirë, mund të mendohej si trillim, prandaj dhe vendosa që gjithçka t'i përcjell prej intervistave direkte me të gjitha gratë," tregoi Saraçi, mbesë e Qazim Mulletit, mbledhëse e disa prej përjetimeve më rrëqethëse të kampit famëkeq të Tepelenës. Në sallë u përcoll një pasazh i dëshmive. Përballë reagimit, Fatbardha Saraçi tha: "Ju këshilloj t'i lexoni këto rrëfime, t'i lexoni ngadalë, mos i lexoni që të na mëshironi, sepse s'kemi më nevojë për mëshirë, por vetëm që ta kuptoni më mirë atë kohë dhe që ajo të mos ripërsëritet kurrë më."
Më tej profesoresha Lili Sulaj ftoi në diskutim Fatos Lubonjën. Sulaj tha për të pranishmit se për brezin e ri Lubonja nuk njihet shumë për publicistikën e tij, por më tepër për opinionet apo qëndrimet politike. Ajo e fokusoi diskutimin te libri "Ridënimi" për të cilin Lubonja tha se bazohej në histori të jetuar. Përballë pyetjes se përse kishte zgjedhur që personazhet kryesore të kishin emrat realë ai rrëfeu me emocion se ishte e detyrueshme. "Historia është e Xhelal Koprenckës, Fadil Kokomanit dhe Vangjel Lezhos, të cilët i shkruajnë një letër diktatorit dhe vetëm sepse thanë të vërtetat, u pushkatuan. Dy prej tyre, Fadili dhe Vangjeli ishin miq të mi, ishin gazetarë. Sot, në kohën kur gazetarët nuk thonë të vërtetën medoemos që më duhej t'i përmendja emrat e tyre, sepse e kisha për detyrë për gjithçka bënë," tha Lubonja, i cili më pas lexoi pjesë nga libri i tij.
Në pjesën që u lexua tregohej për "amanetin e ditëve të lirisë", amanet i përshkruar prej momentit përpara pushkatimit të dy miqve të tij Kokomani e Lezho, eshtrat e të cilëve, së bashku me ato të Koprenckës, Lubonja tha se "mbeten ende të pagjetura".
Më tej, me po aq emocione, ishte edhe diskutimi që nxiti libri "O njeri…!", libër i kujtimeve të burgut nga Gëzim Peshkëpia. Ai shpjegoi se titulli vinte nga histori e jetuar. "Për titullin kam marrë spunto nga një person real. Muço quhej, dhe ishte i verbër. Fjala "O njeri!" që ai thoshte gjithmonë teksa i drejtohej ndokujt në burg ishte prekëse, por kishte dashuri, dhe ngjallte kontrast për vendin ku ishim," tregoi Peshkëpia, i cili lexoi një pjesë nga libri dhe më tej tregoi edhe për përballjen e me prokurorin Siri Çarçanin, i cili kishte firmosur pushkatimin e të atit Manush Peshkëpia.
Arlinda Çausholli, publiciste, diskutoi për librin e saj "Çizmet e verdha" tregimin "Krahët e lirisë dhe Rini Monajka", mbi historinë e një heroi të lëvizjes antikomuniste në Shkodër të vitit 1990. Çausholli u shpreh se në libër gjenden përsiatjet e veta për gjëra që i bënin përshtypje për të ecur përpara dhe që kishte vendosur ti ndante me persona që mendojnë si ajo për vlerat dhe rëndësinë e lirisë. Ajo u bëri thirrje të rinjve të jenë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e lirisë që ata e kanë sot.
Drejtori i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) Agron Tufa, zbuloi për pjesëmarrësit se po shkruan diçka për kampin e Tepelenës, kampin shfarosës siç e quan ai. Tufa foli edhe për rëndësinë e dëshmive të rrëfyera nga ish të përndjekurit e sistemit komunist, për rëndësinë që ato kanë në edukimin e brezave të rinj.
"Tirana Lexon 2018" vazhdon më tej me "Netët e letërsisë austriake" që do të mbahet nga data 23 deri më 25 maj. Në plan janë edhe aktivitete të tjera gjatë muajve në vazhdim. Kjo është një nismë e IDMC që prej vitit 2015, e cila synon të afrojë publikun me librin dhe ta kthejë leximin në një trend.
PROGRAMI:
E MARTË
22
MAJ
2018
11:00 – 11:20
11:20 – 11:30
11:30 – 11:45
11:45 – 12:00
12:00 – 12:15
12:15 – 12:30
12:30 – 13:00
13:00
Vendi: Salla e Konferencave, Europe House
Adresa: Blv. "Dëshmorët e Kombit", Pallati i Kongreseve
Kontakt: Matilda Karçanaj, koordinatore projektesh, IDMC
E-mail: karcanaj.matilda@idmc.al
Regjistrimi i pjesëmarrësve
Fjala përshëndetëse
#TiranaLexon për të kujtuar: Letërsia si vend kujtese
Lexime dhe diskutime me autorët
Fatbardha Saraçi Mulleti lexon dhe diskuton librin e saj "Dhimbje", përmbledhje e historive të grave shqiptare që ishin viktima të regjimit komunist
Fatos Lubonja lexon e diskuton librin e tij "Ridënimi", me kujtime personale nga burgu komunist
Arlinda Çausholli, publiciste, lexon nga novela "Çizmet e verdha" tregimin "Krahët e lirisë dhe Rini Monajka" mbi historinë e një heroi antikomunist në Shkodër, 1990
Gëzim Peshkëpia lexon nga libri "O njeri", me kujtime personale nga burgu komunist
Moderatorë:
Dr. Jonila Godole, Drejtore e IDMC; Pedagoge te Departamenti i Komunikimit dhe Gazetarisë, Universiteti i Tiranës
Prof.asoc.dr. Lili Sula, Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, Universiteti i Tiranës
Pyetje dhe përgjigje
Fundi i aktivitetit
Organizator:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Partnerë:
Fondacioni Konrad Adenauer
Europe House
Kontakt:
E-mail: office@idmc.al
Identiteti dhe kujtesa në letërsi si aspekte të rëndësishme për reflektimin mbi të shkuarën
23 tetor 2018, Tiranë – Duke synuar zbulimin e rolit të letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, aktiviteti i ditës së dytë të "Ditëve të Kujtesës" u vendos në ambientet e "Europe House". Autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla, treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe po kështu përmes pyetje-përgjigjeve me të pranishmit në sallë.
Ashtu sikurse pritej, interesi ishte i madh. Ish-të përndjekur, zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, historianë dhe plot të rinj të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft vëmendje këndvështrimet e dy të ftuarve rreth shkatërrimit të identitetit njerëzor nga sistemet diktatoriale dhe pasojat që ndeshen në ditët e sotme në shoqëritë respektive, Gjermani apo dhe Shqipëri.
Tema e aktivitetit u përqendrua te "Identiteti dhe kujtesa". Për këtë pjesë Godole tha në fjalën e saj përshëndetëse se "identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë". Ajo tha se "çdo përpjekje për t'u dhënë kujtimeve formë është pjesë e pandalshme e këtij procesi". Ndërsa përfaqësuesi i Europa House, Erol Akdag, në fjalën e tij përshëndetëse u u shpreh se populli dhe politikanët e një vendi duhet të kenë vullnet të përbashkët për ballafaqimin me të shkuarën.
Nën moderimin e Drejtoreshës së IDMC Jonila Godole, u theksua fort rëndësia e letërsisë në përçimin e përvojave njerëzore. Autori gjerman Karsten Dümmel, i cili gjatë periudhës komuniste në Gjermaninë Lindore u përndoq dhe u burgos për shkak të natyrës së tij kritike me sistemin, tregoi për përjetimet e survejimit të përhershëm të Stasit. Përmes romanit "Strohblumenzeit" ("Koha e luleve prej kashte"), pjesë nga i cili u lexuan në sallë, Dümmel tregoi përmes historisë së lidhjes së dy të rinjve, pak a shumë atë çka gjermano-lindorët kalojnë rreth 50 vite nën regjimin diktatorial.
Interesante për të pranishmit ishte fakti se në këtë aktivitet u tregua se gjatë përndjekjes së tij Dümmel kishte kërkuar të dilte jashtë Gjermanisë Lindore plot 56 herë deri sa në vitin 1988 "u ble" nga Republika Federale. Dümmel tregoi se për këtë proces ishte e nevojshme ndërhyrja nga jashtë, sepse "mund t'i drejtoheshe gjithkujt me letra, por ishte e vështirë të të mundësohej kjo gjë". Ai theksoi gjithashtu se sikurse shqiptarët e thjeshtë edhe ai e kishte pasur të pamundur lëvizjen duke thënë se në përgjithësi "ata që lëviznin jashtë kishin lidhje politike ose ishin të Stasit".
Në diskutimin tjetër antropologu Albert Nikolla tregoi për librin e tij "Njeriu i ri shqiptar". Nikolla foli gjerësisht për aspektet që e formonin njeriun e periudhës së diktaturës. Ai tha se i ashtuquajturi "njeri i ri" duhej të ishte besnik ndaj Partisë dhe të jepte jetën për të, nuk duhej të ishte indiferent, por të spiunonte, të shpifte, të trillonte dhe të ishte agresiv ndaj "njeriut të vjetër". Duke u lexuar pasazhe nga libri, Nikolla theksoi se përmes krijimit të "njeriut të ri" komunistët arritën që të zhduknin elitat dhe në ditët e sotme të mundnin të trashëgonin një tipar sikurse është "ndjesia e mosbesimit dhe e frikës".
Karsten Dümmel i shtoi kësaj pjese se "njeriu i ri" në Gjermaninë Lindore ishte gjithashtu me frikën dhe terrorin, atë terror "që i duhej pushtetit për të mbajtur pushtetin". "Koreja e Veriut… Gjermania Lindore… Shqipëria gjithashtu… kanë gjëra të përbashkëta për sa i përket historisë diktatoriale, janë vende ku njerëzit janë marrë peng, jane skllaveruar për Partinë!" – tha më tej Dümmel në fund të një diskutimi që lindi edhe me të pranishmit në sallë.
Aktivitet përkujtimor në Spaç me letërsi dhe muzikë
29 maj 2019, Spaç – Në një nga godinat e ish-kampit famëkeq të Spaçit u organizua aktiviteti përkujtimor me letërsi dhe muzikë në 40-vjetorin e pushkatimit të ish të burgosurve të Spaçit, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Aktiviteti përkujtimor u organizua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë dhe Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave te Komunizmit, me mbështetjen e Ambasadës së Austrisë, "Fondacionit Konrad Adenauer" në Tiranë dhe Bashkisë së Rrëshenit.
Ambasadori Austriak, Johann Sattler, bëri një apel për të mos e lënë Spaçin në harresë, për të mos lejuar të degradohet në një gërmadhë dhe për t'u kthyer në një vend kujtese dhe reflektimi për të rinjtë. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi sidomos nevojën për dialog mbi të shkuarën, që duhet të përfshijë edhe vendet e kujtesës dhe ruajtjen e tyre. Drejtori i ISKK-së, Agron Tufa, deklaroi se Spaçi është lënë në harresë nga politika dhe se qeveritë e mëparshme thjesht kanë bërë premtime për të kontribuar në kthimin në muze të këtij kampi, por këto premtime nuk janë mbajtur. Apeli i tij ishte për t'u vënë fre shkatërrimeve të mëtejshme të vendeve të memories.
Drejtorja e IDMC, Jonila Godole, e vendosi theksin te disidenca brenda burgjeve komuniste si akt rezistence ndaj regjimit. Ajo u prezantoi të pranishmëve "tre rebelët e Spaçit", të burgosurit politikë Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka, të cilët u pushkatuan më 28 maj 1979. Dy të parët u u dënuan me vdekje pas dërgimit të letrës së tyre në Komitetin Qendror ku kritikonin largimin nga Bashkimi Sovjetik, dhe ku kërkonin shkarkimin e Enver Hoxhës. Kurse Xhelal Koprencka u dënua për një letër ku i kërkonte Byrosë politike afrimin me SHBA-në.
Fatos Lubonja lexoi fragmente nga libri i tij, "Ridënimi", pikërisht pjesën që lidhej me arrestimin e grupit "armiqësor" të Spaçit më 1979, ku përveç Lezhos, Kokomanit dhe Koprenckës ndodhej edhe ai vetë. Prekës sidomos ishte përshkrimi i çastit kur Lubonjës i tregojnë fotot e tre miqve të tij të ekzekutuar, ndërsa i kërkojnë të thërrasë "Rroftë Partia!". Bedri Çoku tregoi momente nga Revolta e Spaçit më 21–23 Maj 1973, meqenëse kishte qenë një nga personat kyç të saj. Kurse Shkëlqim Abazi, solli një përshkrim të detajuar të kampit në pesë vitet që kishte kaluar aty si dhe të Revoltës së Spaçit.
Veçantinë aktivitetit ia shtuan dy instrumentistë nga Austria, Bertin Christelbauer (violonçel) dhe Zamir Kabo (piano), të cilët luajtën për publikun pjesë nga një repertor i zgjedhur klasik, si Bach, Shubert, Shostakoviç etj., të cilat u mirëpritën nga të pranishmit si një risi për aktivitete të tilla përkujtimore.
12 tetor 2020, Pogradec – Në këtë aktivitet të organizuar nën moderimin e drejtoreshës së Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, shkrimtari pogradecar Ethem Fezollari pati mundësinë të prezantonte librin e tij të fundit. Në këtë libër me titull "Varka e shpëtimit" trajtohet jeta e familjes së tij e cila u detyrua të arratiset përgjatë diktaturës nga Ohri drejt Australisë. Takimi u ndoq nga shumë të pranishëm dhe ish-të përndjekur dhe pati diskutime të shumta dhe reflektime mbi këtë problematikë të kohës.
Bashkëbisedim me shkrimtaren Fatbardha Saraçi
21 shtator 2021, Shkodër – Gjatë vizitës studimore në vendet e kujtesës në Shkodër, IDMC zhvilloi edhe aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", një nismë e IDMC-së që nga viti 2015.
Në një bashkëbisedim aktiv me nxënësit dhe mësuesit, shkrimtarja Fatbardha Saraçi (Mulleti), e internuar që në moshën 5-vjeçare nga regjimi komunist, rrëfeu për ta detaje nga botimi "Kalvari i grave në burgun komunist", përmbledhje me përjetimet më rrëqethëse të grave në kampin famëkeq të Tepelenës bazuar mbi intervista, të dhëna arkivore dhe dëshmitë e të mbijetuarve.
Në mungesë të dokumenteve filmikë që mund të dëshmojnë ekzistencën e kampit të Tepelenës ose memorialeve, pllakave përkujtimore apo muzeve që duhet të përkujtonin viktimat e komunizmit edhe në vendet e tjera të kujtesës në Shqipëri, letërsia shndërrohet në dëshmi dhe në të vetmin vend kujtese që u mundëson të rinjve njohjen me të kaluarën komuniste.
Historia e përndjekjes së Fatbardha Saraçi Mulleti (shkëputur nga Observatori i Kujtesës)
Ka lindur më 8.11.1939 në Tiranë. Nga i ati, Haki Mulleti, nëpunës i ndershëm dhe atdhetar trashëgoi dhe u ushqye me ndjenja fisnike. Që në moshën 5 vjeçare provoi persekutimin sllavo-komunist.
Babai i burgoset në vitin 1945, ndërsa familja internohet në Kavajë, ku edhe kreu shkollën 7-vjeçare në vitin 1952. Mbaron gjimnazin "28 Nëntori" në vitin 1957 në Shkodër. Më pas punon si arsimtare në fshatrat e Lezhës: Kallmet, Manati, Blinisht dhe ne Dajç të Zadrimës. Vazhdoi studimet e larta pa shkëputje nga puna dhe mbaron Institutin Pedagogjik (2-vjeçar) në Tiranë, dega Biologji-Gjeografi-Kimi më 1963. Ndërsa më 1970 mbaron Universitetin e Tiranës në degën Kimi-Biologji.
Në vitin 1975 e largojnë nga arsimi për shkak të "biografisë" dhe sepse nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit. Më vonë punoi si punëtore në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Jeta e shkurtër bashkëshortore (mbasi i shoqi, Kolë Saraçi, vdes në vitin 1990, mbas 8 vitesh martesë) i dhuroi një djalë, Peterin. Ka punuar e publikuar në shtypin e kohës artikuj në mbrojtje të bashkëvuajtësve, të nënave e motrave shqiptare.
Bashkëbisedim me shkrimtaren Alma Liço
19 nëntor 2021, Cërrik – IDMC ishte në Cërrik në kuadër të projektit "Letërsia si vend kujtese" me mësues dhe nxënës të zonës, si dhe me të ftuar shkrimtaren, ish-të përndjekur në zonën e Dragotit (Elbasan), Alma N. Liço.
Pas prezantimit të dokumentarit të IDMC "Fëmijët e diktaturës", shkrimtarja Liço lexoi pjesë nga libri i saj "Krahë të këputur" dhe u bë pjesë e një bashkëbisedimi me të rinjtë.
Dokumentari "Fëmijët e diktaturës" është prodhuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, me regji të Besnik Bishës. Filmi ka në qendër fatin e katër personave në mosha të ndryshme që lindën dhe kaluan fëmijërinë e tyre në burgje apo vende të internimit: Simon Mirakaj, Alma Liço, Ritvana Mena dhe Lurian Mena.
"Krahë të këputur" është botimi i përjetimeve të shkrimtares Liço mbi internimin e saj dhe të familjes.
Drejtorja e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe ekspertja e kurrikulës Fatmiroshe Xhemalaj, theksuan rëndësinë e njohjes së të shkuarës, të takimit të dëshmitarëve si dhe vizitat që të rinjtë duhet të kryejnë në vendet e kujtesës.
Tiranë
Shkodër
Tiranë
Tiranë
Tiranë
Tiranë
Pogradec
Shkodër
Cërrik
2016
2018
2019
2020
2021