LIBRA

Albumi "Kujtesa si mision"

 

Viti: 2020

Redaktorët shkencorë: IDMC

Albumi "Kujtesa si mision" që merr lexuesi sot në dorë përmban punime të përzgjedhura të të rinjve pjesëmarrës në konkurset e organizuara nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë nga viti 2015 deri më sot. Përmes këtyre konkurseve ne synuam të motivonim të rinjtë që në mënyrë kreative të gjenin zërin e tyre në lidhje me çfarë nënkupton për ta e shkuara dhe e sotmja. Përgjithësisht, kur flasim për brezin e ri, sidomos në fushën e njohjes së të shkuarës komuniste, mendojmë për indiferencën dhe mungesën e tyre të interesit. Kjo padyshim mbetet një sfidë dhe është ushqyer nga mungesat e thella në kurikulën shkollore, nga heshtja e brezit të prindërve dhe gjyshërve, nga kakofonia në medie ku botohen pa kritere si historitë e të përndjekurve politikë, ashtu edhe ato të persekutorëve të tyre. Kështu që nuk është faji i të rinjve që janë të painformuar ose të informuar gabim. Edukimi i tyre mbi këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë duhet të kishte qenë prioritar në 30 vitet e fundit.

Kalendari i Kujtesës 2021

 

Viti: 2020

Redaktorët shkencorë: Uran Butka, Pjerin Mirdita

Në këtë 30-vjetor të demokracisë së brishtë shqiptare, Kalendari i Kujtesës i printuar me iniciativë të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, vjen si një sprovë për të regjistruar ngjarjet historike dhe zhvillimet kryesore që lidhen me përpjekjet për liri, demokraci dhe të drejta e njeriut në Shqipëri. Në pamundësi për t'i përfshirë të gjitha datat përkujtimore në këtë kalendar xhepi janë përzgjedhur ato data që mendojmë se janë më përfaqësueset për të kuptuar mungesën e përvojës demokratike dhe arsyet e instalimit të diktaturës në Shqipëri (1944–1991), si dhe sfidat e sukseset pas vitit 1991 deri më sot. Kalendari i Kujtesës mund të aksesohet në faqen e Observatorit Shqiptar (www. observatorikujteses.al) dhe mbetet i hapur për plotësime dhe sugjerime, për të arritur në një material sa më të plotë dhe më të konsoliduar. Dëshirojmë që Kalendari i Kujtesës t'ju shoqërojë përgjatë gjithë vitit në menaxhimin e axhendës suaj të përditshme, por të shërbejë edhe si një kronikë e ngjarjeve dhe kujtesës historike. Sepse mbajtja gjallë e kësaj kujtese është garanci që e shkuara e errët nuk do përsëritet më.

Western Balkans Youth Together for a Shared Future

 

Viti: 2020

Redaktorët shkencorë: IDMC dhe Partnerët

IDMC në bashkëpunim me organizata të rajonit të Ballkanit Perëndimor si: BRAVO në Bosnjë-Herzegovinë, SOMBOR në Serbi, SINK në Kosovë dhe MERSP në Mal të Zi, organizoi projektin "Western Balkans Youth Together for a Shared Future" përgjatë 8 muajve. Ky projekt i ideuar nga IDMC dhe financuar nga organizata Regional Youth Cooperation Office (RYCO) dhe United Nations Peacebuilding Funds (UNPF) konsistonte në shkëmbimin kulturor dhe historik mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor. Produkt i këtij projekti është revista e cila paraqet këndvështrimin dhe eksperiencën e 24 të rinjve pjesëmarrës nga 6 vendet e Ballkanit.

Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 3: Shkolla, rinia dhe "revolucioni ideologjik e kulturor" (1967–71)

 

Viti: 2020

Redaktorët shkencorë: Idrit Idrizi, Jonila Godole, Fatmiroshe Xhemalaj

Në vëllimin e tretë të serisë "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" fokusi është vendosur te shkolla dhe rinia gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Dy fjalime të diktatorit Hoxha do të shënjojnë indoktrinimin masiv ndaj rinisë dhe instrumentalizimin e shkollës dhe kurrikulës shkollore në shërbim të forcimit të pushtetit komunist. Fjalimi i datës 6 shkurt 1967 për "Revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë dhe pushtetit" do të mobilizonte masivisht popullatën dhe sidomos të rinjtë në luftë kundër fesë dhe çdo lloj mendësie që regjimi e konsideronte të dëmshëm për interesat e tij. Fjalimi i dytë në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH më 7 mars 1968, kërkonte rishikimin e të gjitha planeve, programeve dhe teksteve shkollore përmes shtimit të orëve mësimore të lëndëve të drejtpërdrejta politike si "Edukata politike dhe morale" dhe "Njohuri të marksizëm-leninizmit" si dhe leximin e detyruar të veprave të Hoxhës.

Debati mbi filmat e ish-Kinostudios

 

Viti: 2020

Përgatiti: Erblin Vukaj | Redaktore shkencore: Jonila Godole

Televizioni publik shqiptar, por edhe televizione të ndryshme private, vazhdojnë të transmetojnë filmat e ish-Kinostudios "Shqipëria e Re", edhe pse kanë kaluar rreth 30 vite nga rrëzimi i regjimit komunist. Paralelisht me këtë shtrirje kohore, procesi i rehabilitimit të ish-të përndjekurve nga diktatura, i nisur në vitin 1991, ka ecur me hapa të ngadaltë, shoqëruar shpesh me frymë konfliktuale. Ky studim përshkruan debatin më të fundit të hapur rreth çështjes, analizon dhe e shtjellon atë duke rendur t'i japë elemente shtesë, dhe në fund disa përfundime dhe rekomandime.

Mes apatisë dhe nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private e komunizmit në Shqipërinë e sotme

 

Viti: 2019

Redaktorë shkencorë: Jonila Godole, Idrit Idrizi

Në përgjithësi dallohet një mungesë e theksuar ndërgjegjësimi për kompleksitetin e fenomeneve të përjetimit dhe kujtimit të komunizmit. Në shkencën shqiptare, debatet në këtë fushë dhe mbi problemet teoriko-metodologjike në hulumtimin e komunizmit dhe kujtesës së tij janë inekzistente. Kujtimet ose janë injoruar si burim historik ose janë trajtuar si burimet më autentike. Sidoqoftë, ky vëllim, duke prezantuar punimet e një konference shkencore ndërkombëtare kushtuar specifikisht kujtesës së komunizmit shqiptar, synon të ofrojë sadopak një kontribut në këtë fushë dhe të shërbejë si impuls për rritjen e interesit në shkencën dhe shoqërinë shqiptare ndaj hulumtimit dhe diskutimit të kujtesës së të shkuarës në diktaturë.

(Mos)rehabilitimi i ish-të përndjekurve politikë: Në procesin e drejtësisë tranzicionale (1991–2018)

 

Viti: 2019

Autorët: Erblin Vukaj | Redaktore shkencore: Jonila Godole

Kanë kaluar 28 vite nga rrëzimi i diktaturës në Shqipëri dhe shumë pak është bërë deri më sot për rehabilitimin e ish të përndjekurve, viktima të persekutimit të regjimit komunist. Sipas Konventës së OKB kundër torturës dhe trajtimeve ose dënimeve të tjera mizore, çnjerëzore ose poshtëruese "rehabilitimi i viktimave duhet të synojë të rivendosë, për aq sa është e mundur, pavarësinë, aftësinë fizike, mendore, sociale dhe profesionale si dhe përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri". Në këtë studim, procesi i rehabilitimit do të kufizohet në shpërblimin dhe kompensimin financiar për viktimat, bazuar në kuadrin ligjor në Shqipëri për këtë proces në periudhën kohore 1991–2018.

Manual mbi historinë gojore

 

Viti: 2019

Autorët: Jonila Godole, Kailey Rocker, Edlira Agolli

"Manual mbi historinë gojore", është një botim i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) mbështetur nga KAS. Manuali është shkruar nga Jonila Godole, Kailey Rocker, Edlira Agolli dhe synon të inkurajojë mësuesit e shkollave të mesme, nxënësit dhe studiuesit e rinj që të mësojnë më shumë rreth historisë gojore dhe procesit të intervistimit. Manuali paraqet mjetet e nevojshme për t'i përfshirë këto intervista në detyrat dhe projektet kërkimore në shkollat e mesme. Për të arritur këto objektiva, materiali është organizuar në mënyrë të tillë, ku disa kapituj trajtojnë zhvillimin e historisë gojore dhe metodave të intervistimit, nga fillesat e saj dhe deri te përcaktimi bashkëkohor.

Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 2: Jeta e përditshme në periudhën e vetizolimit

 

Viti: 2018

Redaktorët: Idrit Idrizi, Jonila Godole, Fatmiroshe Xhemalaj

Cikli i botimeve të dokumenteve arkivore si materiale pedagogjike për mësues dhe nxënës ka për qëllim njohjen e mekanizmave se si ka funksionuar diktatura, në mënyrë që ajo të mos mbetet një nocion abstrakt. Në mënyrë që të jenë të përdorshme edhe në orën e mësimit, materialet që janë përzgjedhur janë shoqëruar me një aparat pedagogjik ku nxënësit dhe mësuesit kanë mundësi të shpjegojnë, debatojnë, shprehin opinione dhe të mbajnë qëndrime në mënyrë kritike, për t'u përgatitur si qytetarë të një shoqërie demokratike

Për vëllimin e dytë të kësaj serie për mësuesit kemi përzgjedhur dokumente që nxjerrin në pah elemente të jetës së përditshme nën regjimin komunist kryesisht në vitet 1970–1980 përmes shembujve konkretë për ta bërë më të lehtë kuptimin e kohës kur ato ndodhën.

Botimi është i pajisur me fjalorth të termave dhe një sërë dokumentesh që janë përdorur si burime. Një pjesë e këtyre termave janë përpunuar në mënyrë kreative në videot e animuara me titull "Terminologu Komunist" si pjesë e Observatorit të Kujtesës dhe mund të konsultohen në çdo kohë nga të interesuarit. Ne shpresojmë që oferta jonë pedagogjike "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore" të shërbejë si një burim frymëzues për mësuesit dhe nxënësit dhe një platformë pune e përbashkët mbi temën e diktaturës në Shqipëri.

Komunizmi përmes dokumenteve arkivore 1: Represioni në periudhën e vetizolimit

 

Viti: 2017

Redaktorët: Idrit Idrizi, Jonila Godole, Fatmiroshe Xhemalaj

Në bazë të rekomandimeve nga seria e workshop-eve të organizuara nga IDMC me mësues historie nga e gjithë Shqipëria gjatë vitit 2017, në bashkëpunim me historianin Idrit Idrizi (Austri) dhe eksperten e historisë Fatmiroshe Xhemalaj, u hartua libri "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore", me fragmente dokumentesh arkivore dhe sqarime e komente, të cilin mësuesit mund ta përdorin në të ardhmen.

Në këtë volum janë përzgjedhur vetëm ato dokumente që nxjerrin në pah represionin e diktaturës nga gjysma e dytë e viteve 70 deri te gjysma e parë e viteve 80. Në këtë periudhë arriti kulmin politika vetizoluese e shtetit shqiptar e nisur që pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961.

Përmes këtij botimi, IDMC synon sensibilizimin e mësuesve dhe nxënësve mbi përmbajtjen e materialeve arkivore të periudhës së komunizmit duke qenë se opinioni publik në përgjithësi ka pak informacione për to. Botimet profesionale të dokumenteve janë të pakta. Në tekstet shkollore ato mungojnë. Ndërsa në media këto materiale botohen rregullisht, qasja ndaj tyre është shpeshherë shumë problematike, meqenëse kriteri kryesor i përzgjedhjes është ngjallja e sensacionit.

Transformimi i medias dhe kujtesa kolektive në Shqipëri

 

Viti: 2015

Redaktorët: Jonila Godole, Sonila Danaj

Ky libër është produkt i konferencës së parë ndërkombëtare për median dhe kujtesën: "Covering the Communist Past – Media Transformation and Memory in Albania" që u mbajt më 9‒10 nëntor 2015 në Tiranë. Si konferenca, ashtu edhe ky botim, u konceptuan nga editorët me bindjen se gazetarët dhe media luajnë një rol kyç në kujtesën kolektive të një vendi përmes mënyrës se si ata raportojnë mbi figura dhe ngjarje të ndryshme historike. Gjatë diktaturës, ashtu si edhe në vendet e tjera komuniste, media dhe gazetaria shqiptare ishin pjesë e aparatit propagandues të regjimit. Siç thotë edhe një nga autorët kontribues, Peter Gross, transformimi i tyre në një media të pavarur e demokratike në filllim të viteve 1990 nuk ka qenë i lehtë. Kanë kaluar 25 vjet nga rënia e regjimit stalinist në Shqipëri, dhe është koha të ekzaminojmë rolin që media dhe gazetaria shqiptare kanë luajtur në reflektimin shoqëror në të kaluarën e vendit gjatë kësaj periudhe.

BROSHURA

Memory as a Mission

2016

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2021 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube