Ditët e Kujtesës 2017

16‒23 NËNTOR 2017, TIRANË

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në datat 16 deri më 23 nëntor 2017, te Muzeu Historik Kombëtar, në Tiranë, u mbajt edicioni i 2-të i aktivitetit DITËT E KUJTESËS, me moton e njohur tashmë "Kujtesa si mision". Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mundësimi i dialogut shoqëror për ballafaqimin me të shkuarën diktatoriale në Shqipëri. Organizimi i DITËVE TË KUJTESËS edhe këtë vit erdhi si projekt i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS).

Aktivitetet e këtij viti ishin të larmishme, ndër të tjera:

 

  1. Konferenca ndërkombëtare "Mes Apatisë dhe Nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private për komunizmin në Shqipërinë e sotme" në datat 17‒18 nëntor
  2. Vizitë studimore në vendet e kujtesës, më 19 nëntor
  3. Simpoziumi me titull: "Ligj dhe Drejtësi", më 20 nëntor
  4. Promovime veprash shkencore mbi diktaturën, më 21 nëntor
  5. Lexim publik i dosjes së Musine Kokalarit, më 21 nëntor
  6. Forumin mbi "Historinë Gojore", më 22 nëntor, më 22 nëntor
  7. Ndarja e çmimeve të konkursit "Pyet Gjyshërit 2", më 23 nëntor
  8. Ekspozita "Propaganda në diktaturë" qëndroi e hapur përgjatë gjithë "Ditëve të Kujtesës"

 

Informacione për aktivitetet në kuadër të "Ditëve të Kujtesës":

Programi i plotë i aktiviteteve (590 KB)

Fjala përshëndetëse e Prof. Sami Repishtit

16 NËN.

17

18

19

20

21

22

23

  • Dita e PARË, 16 nËntor 2017 – ceremonia hapËse

     

    8 ditë aktivitete si nevojë e shoqërisë shqiptare për ballafaqimin me të shkuarën.

    Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare kanë perceptim pozitiv mbi regjimin komunist, ky ishte rezultati i një anketimi të kryer nga OSBE vitin e kaluar (2016), një rezultat që e bën më se të nevojshëm një ballafaqim me të shkuarën. Pikërisht me këtë qëllim, pra me "Kujtesën si mision", Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer (KAS) nisi të enjten, edicionin e dytë të "Ditëve të kujtesës" që do të zgjasë për 8 ditë nga data 16 deri më 23 nëntor.

    Ky edicion nisi me prezantimin e ekspozitës "Propaganda në diktaturë", në Pavijonin e Persekutimit Komunist në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita paraqet aspekte të manipulimit të masës nga shteti komunist përmes fotografive, artikujve, kopertinave në gazeta dhe revista të ndryshme të kohës. Të gjitha së bashku dëshmojnë atë mekanizëm glorifikues që funksiononte për pushtetin e Enver Hoxhës dhe projektin e tij të partisë-shtet. Ekspozita do jetë e hapur përgjatë gjithë javës dhe do ta shoqërojë kështu gjithë aktivitetin e "Ditëve të Kujtesës".

    Si organizatorë të eventit, drejtoresha ekzekutive e IDMC, Dr. Jonila Godole dhe drejtori i KAS, Walter Glos, mbajtën fjalën hapëse. Godole e cilësoi procesin e përballjes me të shkuarën si një maratonë që nuk mbaron kurrë, këtu ajo përmendi faktin se ky vit përkon me 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, që la prapa miliona viktima, dhe që përkujtohet botërisht për krimet. Më tej Godole tha se qysh prej "Ditëve të Kujtesës 2016" deri më sot ka pasur disa zhvillime që janë për t'u vlerësuar. "Është krijuar Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, hapja e një muzeu të ri, nisja e punimeve për ngritjen e Muzeut të Spaçit, thellimi i punës për të mbledhur dëshmi, por mbi të gjitha përfshirja në këtë proces edhe e të rinjve," tha ajo duke nënkuptuar të njëjtat pritshmëri për zhvillime të mëtejshme edhe pas eventit të dytë të "Ditëve të Kujtesës". Drejtoresha e IDMC, përmendi interesin në rritje të të rinjve gjatë konkursit "Pyet Gjyshërit" të këtij viti, që sipas saj ngjall optimizëm se përballja me të kaluarën mund të jetë një mision i mundshëm në Shqipëri. Në fund të fjalës së saj ajo u shpreh se e kaluara jonë e hidhur është pjesë e historisë së Europës, dhe ndaj ajo duhet trajtuar si e tillë dhe falënderoi për bashkëpunimin dhe ndihmën e pakushtëzuar të ndërkombëtarëve në përballjen e Shqipërisë me të shkuarën e saj.

    Në fjalën e tij, drejtori i KAS, Walter Glos, theksoi nevojën dhe përpjekjen e vazhdueshme të shoqërive për t'u përballur me të kaluarën. Ai tha se kjo gjë arrihet përmes një procesi të vështirë, por të bashkërenduar. Glos tha se me të shkuarën ka gjithmonë probleme dhe së këto probleme i ka pasur dhe po vazhdon t'i hasë edhe Gjermania, një vend që këtë përballje e ka nisur që 27 vite më parë. "Diskutimi dhe përballja me të shkuarën ndikon në rikthimin e dinjitetit ndaj viktimave, forcimit të ndërgjegjes demokratike, por mbi të gjitha nevojitet për të ngritur pyetjet e duhura, kush i ka bërë, pse, dhe këtu nevojitet një proces ku shoqëria të përfshihet në tërësinë e saj. Edhe në Gjermani ende kërkohet një gjë e tillë, që persekutorët të kërkojnë falje," tha Glos duke mbështetur më tej hapat positive të ndërmarrë nga Shqipëria në këtë fushë sidomos në këto vitet e fundit.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Edicionin e dytë të "Ditëve të Kujtesës" e përshëndeti edhe Bernd Borchardt, ambasador i OSBE në Shqipëri. Borchardt përmendi të dhënat e nxjerra vitin e kaluar nga OSBE, që sipas tij e bëjnë tejet të nevojshëm një diskutim shoqëror për të kaluarën. "Është e rëndësishme që pikëpamje të ndryshme mbi të shkuarën, të respektohen për sa kohë nuk mbrojnë krimet dhe kriminelët. Shoqëria duhet të përpiqet të kuptojë se ç'ishte e drejtë dhe e gabuar nga e kaluara. Kujtesa ka një rëndësi të madhe në perspektivën e vendit. Projektet e kujtesës përkrahin dhe nxisin për kontribute të ndryshme që ajo e shkuar të mos kthehet më."

    Prezente dhe mbështetëse e këtij aktiviteti, Susanne Schutz, ambasadore e Gjermanisë në Shqipëri, tha se i kishte tërhequr vëmendjen aktiviteti i Parlamentit për të kujtuar përndjekjen e deputetëve të legjislaturës I pas L2B dhe po kështu hapja e muzeve rreth së kaluarës komuniste. Ajo tha se Gjermania ka qenë gjithmonë përkrah këtij procesi të përballjes me të shkuarën dhe theksoi se bashkëpunimi do të vazhdojë më tej. "Jemi të gatshëm për të ndarë përvojën tonë dhe të ndihmojmë Shqipërinë edhe në të ardhmen. Dua ta falënderoj KAS-in dhe IDMC për punën dhe do uroja sa më shumë diskutime dhe debat për këtë çështje", tha Schutz.

    Ekspertja Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI-t në Thüringen, Gjermani tha se "komunistët e kanë falsifikuar historinë, sundimi mbi historinë mbarti me vetvete edhe sundimin mbi të tashmen dhe ata e dinin mirë këtë gjë. Prandaj kujtesa është antihelmi i traumatizimit që shërbimet sekrete kishin ndërfutur në ndërgjegjen e shoqërisë". Neubert tha se ky proces do kërkojë më shumë kohë pasi "indoktrinimi ideologjik ndikon gjatë". Neubert tha se është pikërisht bashkëpunimi me aktorë të tjerë në të tilla procese që garanton rezultate në të ardhmen. Fondacioni Konrad Adenauer do të ndihmojë edhe në të ardhmen në këtë maratonë të historisë dhe vetëm kështu mund të themi se atëherë e kemi fituar një perspektivë të së ardhmes së Europës së përbashkët.

    Tejet me vëmendje u ndoq fjala përshëndetëse e intelektualit disident Prof. Dr. Sami Repishtit, i cili jeton në SHBA. Historiani, i cili u përndoq gjatë periudhës së komunizmit, përshëndeti aktivitetin përmes një letre të gjatë, të cilën e lexoi mbesa e tij Ardita Repishti. Në fjalën e tij Repishti theksoi se "sot na duhet të luftojmë harresën sepse jemi të bindur se heshtja përfaqëson rrezikun më të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluar". Repishti shtoi më tej se në ditët e sotme shoqëria shqiptare ballafaqohet me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës. "Në fazën e parë kemi përbuzur urrejtjen e hakmarrjen, ndërsa sot kemi shpresë se do të jetë e mundur për të bërë hapin e dytë: pajtimin mes nesh". Këtë pikë ai e konsideroi tejet të vështirë për t'u arritur, sidomos për njerëzit që e vuajtën mbi kurriz terrorin dhe përndjekjen.

  • OrganizatorËt, PartnerËt

     

    Organizatorët:

    Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë • Fondacioni Konrad Adenauer

     

     

     

     

     

     

    Kontakt:

    Tel: +355 69 268 7226

    E-mail: office@idmc.al

    Twitter: #MEMORYDAYS2017 | www.idmc.al | www.kas.de/albanien

     

    Partnerët:

    Prezenca e OSBE në Shqipëri Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Shoqata e Mësuesve të Shqipërisë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Muzeu Historik Kombëtar Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave Instituti "Musine Kokalari"

  • Dita e dytË dhe e TretË, 17‒18 nËntor 2017 – KONFERENCA NDËrkombËtare

     

    "Mes apatisë dhe nostalgjisë", konferenca shkencore që nxit edhe më tej diskutimin rreth përballjes me të shkuarën komuniste në Shqipëri.

    Përballja me të shkuarën është një proces, të cilin e kanë ndërmarrë shumë vende ish-komuniste dhe edicioni i dytë i "Ditëve të Kujtesës" synon të sjellë në vendin tonë jo vetëm diskutimin rreth kësaj teme, por edhe përvojën e vendeve si Gjermania, Bullgaria apo dhe Rumania. Pas prezantimit të ekspozitës "Propaganda në diktaturë", e cila do të qëndrojë hapur për gjatë gjithë javës në Muzeun Historik Kombëtar, dita e dytë e "Ditëve të Kujtesës" parashikoi një konferencë me temën "Mes apatisë dhe nostalgjisë: Kujtesa publike dhe private për komunizmin në Shqipërinë e sotme", konferencë që do të vazhdojë edhe ditën e tretë të edicionit, më 18 nëntor.

    Sondazhi i OSBE publikuar vitin e kaluar nxori në pah atë çka ishte dhe perceptimi i përgjithshëm i studiuesve në Shqipëri. Roli i diktatorit Enver Hoxha në historinë e vendit shihej si pozitiv nga thuajse gjysma e qytetarëve. Nga ana tjetër, sipas anketës, grupmosha 16‒35 vjeç kishin një mendim më të fortë negativ për kontributet e diktatorit krahasuar me grupmoshat e tjera.

    Drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, tha se në Shqipëri "nostalgjia ndihet në jetën e përditshme, në komunikimin publik, apo në filmat e vjetër që shfaqen çdo ditë duke ushqyer një përshtypje sikur ajo periudhë ka qenë një periudhë kur njerëzit e kanë pasur më të lehtë jetesën, e ka bërë të nevojshme këtë përballje me të shkuarën."

    "Si kujtojnë shqiptarët, në aspektin privat, por edhe në kulturë, në art, në muzikë, si kujtojnë në rajone, në jug apo në veri. Jam e kënaqur që kemi këtu studiuesit më të njohur të kësaj fushe, që mund të ndajnë me ne edhe përvojat e vendeve të huaja," tha Godole.

    Më tej Walter Glos, drejtor i KAS, prezantoi shkurtimisht eksperten gjermane Hildigund Neubert, ish-komisionere e hapjeve të dosjeve të STASI-t në Gjermani. Ai tha se Neubert është një personalitet i ardhur nga opozita e ish-Republikës Demokratike Gjermane, dhe që nga 2003‒2013 ka qenë përgjegjëse e hapjeve të dosjeve atje. "Jam i sigurt që prej saj mund të dëgjojmë një kumtesë tejet interesante dhe se kjo mund të ndikojë në rastin e Shqipërisë.

    Më tej, Hildigund Neubert tregoi përvojën dhe historikun e qasjes me të shkuarën në Gjermani. Ajo tha se vazhdimisht ka pasur debate, që kur u ideua dhe u aplikua "politika e kujtesës". Neubert u ndal më së shumti te "traumatizimi i çështjeve historike". Ajo tha se populli gjerman e kishte të vështirë, por jo të pamundur, që të përballej sidomos me të kaluarën naziste.

    "Sigurisht marrja me historinë s'është se i shëron të gjithë plagët e vjetra. Duhet një emancipim i brezit të ri. Adenauer ka thënë se populli duhet të jetë i ndërgjegjshëm pasi me veprimet e tij mund të formësojë fatin e vet. Pikërisht prej kësaj e dimë se çfarë force ka historia, pasi nëse ti e di të shkuarën tënde, mundet që të ndërtosh një të ardhme të sigurt. Prandaj komunistët e falsifikonin historinë, pasi mendonin se duke ndryshuar faktet mund të sundonin gjithmonë edhe të tashmen. Megjithatë gjërat kanë ndryshuar tashmë dhe ne në kohën kur kufijtë po humbasin rëndësinë e tyre, tashmë duhet të jemi bashkë në këtë temë, për një Evropë të historisë së përbashkët," tha Neubert.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Më pas ekspertja e kujtesës për komunizmin, Assoc. Prof. Daniela Koleva (Bullgari) referoi temën "Nostalgjia post-socialiste: Çfarë është dhe çfarë duhet bërë për të?".

    Koleva foli për punën e saj në identifikimin e nostalgjisë në Bullgari. Ajo tha se kishte kryer rreth 90 intervista në periudhën 2005‒2006 dhe ia bashkëngjiti ndjesinë e nostalgjisë situatave ku përgjithësisht shoqëritë ndjejnë momente krize, si për shembull krizat ekonomike.

    "Nostalgjia është një formë e kritikës sociale. Me idealizimin e së kaluarës, i drejtohet gishti mangësive të së tashmes. Çfarë është nostalgjia post-socialiste? Inerci nga e kaluara, rezultat i socializimit me sistemin komunist, një produkt i një tranzicioni të vështirë dhe nëse ndihet nostalgji atëherë nuk ka më tranzicion, pra nostalgjia vjen pas tranzicionit, jo gjatë tranzicionit. Nëse ka nostalgji, tranzicioni ka mbaruar," shtoi më tej ekspertja bullgare.

    "Nëse ke nostalgji, atëherë ti ke një demokraci. Nëse ka nostalgji për komunizmin në Shqipëri, atëherë unë them se ka demokraci, por sigurisht nuk di të them se në çfarë gjendje është kjo demokraci. Duhet të kuptojmë se nostalgjia është trans-ideologjikale do të thotë se nuk ka një ideologji të veten," theksoi më tej në kumtesën e saj Koleva.

    Seksioni i parë vazhdoi më tej me diskutime të tjera, ku në qendër ishte "Politika e kujtesës". Në moderimin e Dr. Elidor Mëhillit, referuan Dr. Rigels Halili, Dr. Sokol Lleshi dhe Prof. Dr. Afrim Krasniqi, ky i fundit si drejtues edhe i Institutit të Studimeve politike (ISPE).

    Dr. Rigels Halili, në kumtesën e tij "Kujtesa e komunizmit" tha se "nostalgjia nuk duhet ngatërruar me mungesën e njohurive mbi të shkuarën, pasi kjo është krejt tjetër gjë". Ai bëri krahasime me raste në Poloni dhe vende të tjera, ndërsa theksoi se në rastin e Shqipërisë gjërat kanë ecur shumë ngadalë për sa i përket përballjes me të shkuarën.

    Dr. Sokol Lleshi foli për efektet institucionale në betejat kulturore mbi kujtesën, ai krahasoi përgjithësisht rastin shqiptar me atë çekosllovak, që krahas ndryshimeve politike, kaloi edhe në një ndryshim shtetëror, pra ndarjen.

    Për të njëjtën temë foli edhe Prof. Dr. Afrim Krasniqi, por ai u fokusua kryesisht te rasti i Shqipërisë. Profesori e përqendroi diskutimin me momentet e fundit të komunizmit, vitet 90‒92.

    "Në shkurt '91, u mblodhën 1,1 milionë firma pro-Enver Hoxhës. Një muaj më vonë 1 milionë votuan pro-Enver Hoxhës në zgjedhje, pas një viti, po ata votuan kundër ish-diktatorit. Kjo lëvizje prej më shumë se 700 000 votash tregon praktikisht se më shumë se ndërgjegjia, apo akti politik, ishte më tepër një "ecje e turmës" të diktuar nga individët dhe situatat politike," shtoi më tej drejtuesi i Institutit të Studimeve politike (ISPE).

    Krasniqi veçoi si aspak pozitive në raport me çështjet e përballjes me të shkuarën, faktin se asnjë nga kryetarët e partive kryesore politike, nuk është i përndjekur.

    Në seksionin e dytë të konferencës, nën moderimin e Dr. Francesco Iacono u fol për hapësirat dhe trashëgimitë urbane të komunizmit.

    Kailey Rocker, kishte kryer një studim duke u nisur nga vepra e Ismail Kadaresë, "Piramida", dhe te debati i ndezur 7 vite më parë kur Qeveria e asaj kohe hodhi idenë e shembjes së Piramidës në qendër të Tiranës, për të ndërtuar aty një godinë të re të Parlamentit. Ajo tha se kishte mbledhur dëshmitë e atyre që dolën në mbrojtje të kësaj godine në vitin 2011 dhe njerëzit e identifikonin Piramidën thjesht si një vend ku kishin kaluar fëmijërinë, apo ishin dëfryer nga koncertet e mbajtura atje.

    Ilir Parangoni e zgjeroi këtë diskutim me raste të tjera të trashëgimisë urbane të komunizmit në Shqipëri. Kryesisht ish-parqet industriale, por dhe zonat e banimit që iu bashkangjitën qytezave.

    Dr. Irena Myzeqari, Dr. Julie Vullnetari dhe Dr. Sonila Danaj patën në qendër të diskutimit komunizmin në hapësirat urbane, në muze dhe në diskurset publike. Këto ishin fokuset e tre seksioneve që pasuan.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Alsena Kokalari dhe Konstantinos Giakoumis folën rreth kujtesës së të kaluarës komuniste në Shqipëri. Ndërsa Giakoumis u përqendrua përgjithësisht në muzeologjinë, Kokalari përmendi për të pranishmit rastin e projektit "Bunk'Art". Pikërisht muzeu i ndërtuar vitin e fundit nxiti disi debat. I pranishëm në konferencë, i përndjekuri Saimir Maloku përmendi pakënaqësinë e tij për faktin që vendi ende nuk kishte një memorial për viktimat e komunizmit, ndërsa sipas tij "Qeveria e majtë mundësoi më përpara një Bunk-Art".

    Në këtë diskutim Rigels Halili tha se kjo nuk ka të bëjë me kontekstin politik, por me përgjegjësitë që ka në tërësi pushteti, sidomos nëse pyetjen e kthejmë ndryshe: "Në po të njëjtin debat do të jemi edhe nëse pyesim, se përse qeveria e djathë përgjatë viteve të saj nuk e bëri një memorial?" tha Halili.

    Më tej mbajtën kumtesat e tyre Blerina Kellezi dhe Gilles de Ropper të cilët folën më konkretisht rreth diskursit publik dhe kujtesës vetjake në raport me të shkuarën.

    Ashtu sikurse dhe vitin e kaluar, IDMC i ka kushtuar një hapësirë edhe studiuesve të pavarur, ku seksioni i pestë, që u moderua nga Dr. Sonila Danaj, solli prezantime nga 4 studiueset Brisejda Lala, Rashela Shehu, Romina Kali dhe Leonora Lacit.

    Brisejda Lala solli për të pranishmit një këndvështrim të marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike parë nga kujtesa private por edhe kolektive.

    Më tej Rashela Shehu në prezantimin e saj, solli shembullin e kafe-muzeut "Komiteti" në Tiranë. Ajo tha se sipas studimit të saj, përgjithësisht këtë vend e frekuentonin të rinjtë dhe se pothuajse gjysma e tyre shkonin atje jo vetëm për kafe, por edhe për t'u njohur me të kaluarën, pasi objektet i lidhnin me trashëgiminë.

    Romina Kali, solli për të pranishmit përndjekjen e familjeve intelektuale të qytetit të Shkodrës. Në prezantimin e saj, ajo tha se si e lindur e pas viteve 90, shpesh e kishte pyetur të atin, se "si mundet që njeriu mundet t'i bëjë njeriut ato lloj gjërash? Harresa është dënim dhe dhunim ndaj kujtimit të atyre që mbijetuan," shtoi më tej ajo.

    Leonora Laci u ndal gjithashtu te Shkodra, por te e ashtuquajtura "Lufta e Reçit në vitin 1943". Ajo theksoi përplasjen e dy qëndrimeve të ndryshme rreth kësaj lufte, ku komunistët e konsideruan fitore të madhe të tyre, ndërsa për nacionalistët ata nuk kishin aspak kontribut. Leonora tha se ky ishte shembulli konkret se si komunistët ndryshonin të vërtetat historike.

    Ky diskutim do të vazhdojë edhe ditën e ardhshme me 5 seksione të tjera. Synimi është po ai, ngritja e një diskutimi dhe mbajtja në vazhdimësi të çështjes së përballjes me të shkuarën, sikurse edhe mundësia që eksperienca shqiptare të vendoset në një kontekst krahasimor.

  • Dita e gjashtË, 21 nËntor 2017 – prezantimi i librit, musine kokalari

     

    Material plotësues për nxënësit, IDMC sjell punimin që synon t'u vijë në ndihmë mësimdhënies së historisë së komunizmit në shkolla.

    Dita e gjashtë e edicionit të dytë të "Ditëve të Kujtesës", parashikoi promovimin e veprave shkencore mbi diktaturën, ku u paraqitën libri i Elidor Mëhillit, volumi VI enciklopedik i Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), por edhe projekti i IDMC për materialet plotësuese për lëndën e Historisë në gjimnaze.

    Në moderimin e Idrit Idrizit, libri i parë që u prezantua dhe që kishte mjaft interes për të, ishte ai i Dr. Elidor Mëhilli "Nga Stalini te Mao: Shqipëria dhe bota socialiste" (From Stalin to Mao: Albania and the Socialist World).

    Si fillim dita e promovimeve u hap me përshëndetjen e drejtoreshës ekzekutive të IDMC, Jonila Godole. Ajo përmendi aktivitetet e "Ditëve të Kujtesës" – sidomos konferencën shkencore "Mes apatisë dhe nostalgjisë" – dhe tha se ishte kënaqësi që të kishte në këto aktivitete studiues si Dr. Mëhilli, të cilët "kanë një punë të rëndësishëm edhe jashtë vendit për sa i përket përballjes me të shkuarën". Ajo rikujtoi fokusin e IDMC, që është "ndërgjegjësimi me të kaluarën për brezin e ri dhe për shoqërinë në përgjithësi" dhe tha se ky fokus do të vazhdojë më tej të trajtohet nga Instituti.

    Duke folur për librin, Mëhilli tha se i ishte dashur tetë vite punë kërkimore. Ai tregoi se e kishte parë të nevojshme një libër të tillë, pasi kishte vënë re që botime për Shqipërinë në perëndim nuk botoheshin "prej dhjetëra vitesh". Historiani tregoi se sillte këtë punim për tre qëllime kryesore.

    "Doja të trajtoja historinë e socializmit, përtej prapaskenave të Byronë, apo personalizimit te Diktatori, doja ta shihja në këndvështrimin e komunizmit si një fenomen më të komplikuar se kaq. Ideja e komunizmit si një histori trans-kombëtare, ku historia të mos mbetet peng e interesave shtetërorë, por të fokusohet shumë te shkëmbimet, te fluksi, trafiku. Ishte me rëndësi që ta shihja socializmin te ky trafik idesh, iluzionesh, dhe po kështu sistemi, që kalonte nga Tirana në Moskë, Pekin e gjetkë," tha Mëhilli që theksoi se e shihte socializmin si një ide globale dhe përgjithësisht për rastin shqiptar të diktuar nga ideologjia dhe pragmatizmi në të atillë mënyrë saqë stalinizmi u mitizua dhe nuk u kritikua kurrë.

    Në prezantim, Mëhilli tregoi disa faza të komunizmit në Shqipëri duke përcjellë edhe fotografi të kohës. Pasi e paraqiti librin në vija të gjera, historiani mirëpriti pyetje nga të pranishmit, të cilët e pyetën rreth punës së tij me arkivat por edhe rreth këndvështrimit të tij për teza të historisë.

    Në prezantimin e dytë, një vëmendje të veçantë mori botimi i IDMC, "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore: Represioni në periudhën e vetizolimit" një projekt që synon t'u vijë në ndihmë mësuesve për t'u përcjellë nxënësve sa më mirë historinë e së kaluarës komuniste. Të pranishëm përveç drejtoreshës së IDMC, Jonila Godole dhe historianit Idrit Idrizi, ishte ekspertja e historisë shkollore Fatmiroshe Xhemalaj, mësues të historisë dhe gjithashtu nxënës nga gjimnazet e Tiranës.

    "Ky është një bashkëpunim mes historianëve dhe mësuesve të Historisë, të përzgjedhur nga e gjithë Shqipëria në një seri workshop-esh që kemi pasur në aktivitetet tona. Qëllimi ka qenë që një material mësimor me dokumente të vihet në përdorim nga mësuesit në mënyrë që t'u shpjegohet sa më mirë ajo periudhë nxënësve. Ky është libri i parë që bëhet në Shqipëri dhe ka edhe shtjellimin e kontekstit se kur kanë ndodhur të gjitha ngjarjet e trajtuara. Fakti që për herë të parë sjellim edhe një fjalor të termave në fund ka një rëndësi të madhe," tha Jonila Godole, e cila theksoi se ky punim është vetëm fillimi, pasi në të ardhmen do të trajtohen tema të tjera, ku ndër to drejtoresha ekzekutive e IDMC përmendi trajtimin e përditshmërisë së asaj kohe, kjo për të mos nxitur "nostalgjinë e asaj kohe".

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Historiani Idrit Idrizi, i cili punon dhe jeton në Vjenë, si autor i botimit, shpjegoi se "dokumentet janë marrë nga Arkivi Qendror Shtetëror, dhe janë përcjellë në formë origjinale duke i dhënë mundësinë nxënësve që të njihen më mirë me to". "E rëndësishme për ne ka qenë të shpjegojmë termat dhe konceptet më të rëndësishme, kjo pasi njohuritë e të rinjve janë të pakta," tha Idrizi i cili theksoi se modeli që është marrë në shqyrtim për këtë material plotësues për nxënësit është modeli gjerman.

    Fatmiroshe Xhemalaj më tej theksoi domosdoshmërinë që historia e së kaluarës të shkruhet dhe të mësohet përmes qasjes me dokumentet arkivore. "Me këtë material plotësues që kemi punuar, dokumenti nuk mbetet i vdekur, por nxënësi ka mundësi të orientohet dhe të kuptojë më qartë çdo detaj," tha më tej ajo.

    Kryesisht të pranishmit pyetën se si mundet që ky material të jetë i pranishëm në shkolla. Mësuesit ishin të interesuar që punimi të jetë i aksesueshëm në ambientet shkollore.

    "Kurikulat zyrtare asnjëherë nuk përmbajnë dot të gjitha periudhat historike. Sot për shembull, ka gjithsej 6‒7 tema që s'e tregojnë dot të gjithë periudhën e komunizmit, ndaj është e nevojshme që mësuesit dhe nxënësit të kenë materiale plotësuese që kurrsesi nuk ndalohet të jetë i pranishëm në orët e mësimit," u përgjigj Xhemalaj e cila përmendi se IDMC ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Arsimit që këto materiale të jenë të pranishme në orët e zakonshme të mësimit të Historisë.

    Në këtë aktivitet kishte të pranishëm edhe ish-të përndjekur të sistemit komunist, të cilët përgëzuan nismën e IDMC dhe kërkuan që "ide të tilla për mësimin sa më objektiv të së kaluarës nga të rinjtë, të gjejë mbështetje të vazhdueshme".

    Në pjesën e tretë të prezantimeve, Çelo Hoxha, nëndrejtori i Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit paraqiti volumin VI enciklopedik të viktimave të komunizmit, një punim mjaft me vlera për studiuesit dhe sidomos familjet e të përndjekurve.

    "Ky botim, njëjtë si paraardhësit, përmbledh viktimat e identifikuara të komunizmit, përqendrohet në vuajtjet njerëzore dhe në ngjarjet konkrete të tyre. Nga ana historike është po aq e rëndësishme sa kodikët e mesjetës, pasi gjendet vlerë identifikuese rreth së vërtetës së mundshme," tha Hoxha, i cili theksoi se qëllimi është identifikimi dhe shtysa që historia e së shkuarës të ketë sa më tepër baza nga ku mund të nisen studime të ndryshme.

    Hoxha theksoi vështirësitë e përmbledhjeve arkivore. "Arkiva e Ministrisë së Brendshme është e mbyllur, pasi kemi vite që na thonë që s'ka mjaftueshëm punonjës, pra ka burokraci në qasjen e dokumenteve, por pavarësisht kësaj ne kemi vazhduar," tha drejtori i ISKK, i cili mirëpriti edhe komentet nga ish-të përndjekurit që ishin të pranishëm në aktivitet.

     

    Leximi publik i dosjes së Sigurimit të Musine Kokalarit

    Në kuadër të "Ditëve të Kujtesës" 2017, në Muzeun Historik Kombëtar u zhvillua leximi publik i dosjes së disidentes Musine Kokalari, organizuar nga IDMC në bashkëpunim me Institutin "Musine Kokalari" dhe Autoritetin për hapjen e dosjeve të komunizmit. Përmes performancës dhe leximit publik të pjesëve nga dosja e saj publiku mësoi mbi survejimin, terrorin dhe izolimin e vazhdueshëm dhe metoda të tjera që Sigurimi përdorte për të frenuar rezistencën antikomuniste.

    Aktiviteti u moderua nga Edlira Agolli, eksperte pranë OSBE, dhe u hap me një lojë me role, nga studentë të cilët, të veshur me rroba që të çonin pas në kohë, lexuan letrat që Musine Kokalari kishte shkëmbyer me autoritetet e kohës. Në fjalën e hapjes drejtorja e IDMC, Jonila Godole, u shpreh se ky lloj aktiviteti është shumë i rëndësishëm jo vetëm për shoqërinë, por veçanërisht për brezin e ri që rritet pa kujtesë. Angazhimi i IDMC përmbledh një punë disavjeçare, në shumë nivele, siç është ndërgjegjësimi i të rinjve, trajnimi i mësuesve të historisë, vizitat në vendet e kujtesës etj. Godole, falënderoi të pranishmit dhe mbi të gjitha familjarët e zonjës Kokalari, që vuri në dispozicion këtë dosje, për ta bërë publike gjatë "Ditëve të Kujtesës".

    Skënder Vrioni, nga Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit u shpreh se ka pasur një interes të gjerë për dosjet e kësaj periudhe, ardhur kjo edhe si një nevojë për rehabilitimin e figurave të personave të dënuar. Ai theksoi se shumë dosje, fatkeqësisht janë zhdukur, por ata mundohen të punojnë me ato materiale që disponojnë. Shefja e administratës së AIDSSH, shprehet se ka punuar personalisht për dosjen Kokalari, por ka hasur vështirësi pasi ka emra dhe data, të cilat nuk përputhen. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, lexoi një pasazh të dosjes Kokalari, ku ndër të tjera i bëhej biografia: "Ajo ka ndjekur studimet në Itali, por qëndrimi i familjes së saj ndaj regjimit të Ahmet Zogut, ka qenë indiferent. Vëllanë ia kanë vrarë partizanët, gjatë çlirimit të Tiranës. Më vonë ajo ka punuar kundër pushtetit tonë duke formuar edhe grupin social-demokrat. Edhe në burg, qëndrimi i saj nuk ka qenë i mirë, ajo hedh parulla të vazhdueshme kundër pushtetit."

    Përfaqësuesja e familjes, Linda Kokalari, drejtuese e Institutit me të njëjtin emër, lexoi një pasazh nga ditari i Musinesë, për të treguar palëkundjen e saj në lidhje me kritikat ndaj regjimit të kohës: "18 prill 1945, e shtunë. Hija e vdekjes mbulon qytetin. Kënga e vdekjes hyn shtëpi më shtëpi. Pse hesht njerëzia? Pse shtëpia është e ftohtë, dhe dhembja dëgjohet akoma më shumë... Unë jam fajtore, sipas pikëpamjeve tuaja, sipas të mijave jo".

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Përmes dosjes së Musinesë del në pah terrori edhe ndaj shumë personave të tjerë që u arrestuan, u vranë dhe u burgosën. Musineja është përndjekur për 38 vjet nga momenti i arrestimit, ajo u dënua me 20 vjet burgim në Rrëshen, ku pas 10 vjetësh i dhanë mundësinë të lirohet me kusht, por për këtë duhet të pranonte akuzat ndaj saj, gjë që ajo nuk e pranoi kurrë. Ajo është konsideruar "Armike e Popullit", pasi ka bërë agjitacion kundër pushtetit duke vënë në pah si varfërinë materiale krahasuar me vendet e tjera më të zhvilluara, ashtu edhe mungesën e lirisë së shprehjes për shkrimtarët. Gjithashtu në dosje të Musine Kokalarit shkruhet se ka qenë "agjente e mundshme e shërbimit sekret italian", për të vetmen arsye pse kishte studiuar atje.

    Përmes dosjes së saj dhe dosjeve të tjera të Sigurimit dalin në pah edhe probleme të tjera siç është inkriminimi i ish të përndjekurve si bashkëpunëtorë të regjimit, gjë që do kërkojë kohë të provohet. Nevila Nika, ish-drejtoreshë e AQSH e pranishme në takim, u shpreh se studiuesit nuk janë marrë aspak me fajtorët e vërtetë, drejtuesit që erdhën në pushtet pasi forcat partizane morën pushtetin. "Ata asgjësuan shumë njerëz, kush ishin ata që i shërbyen me zell diktatorit?" Drejtorja e IDMC, Jonila Godole, e mbështeti këtë shqetësim, por tërhoqi gjithashtu vëmendjen e të pranishmëve se dosjet e Sigurimit janë të rëndësishme për të treguar historinë e represionit shtetëror, por ato kurrsesi nuk mund të mbajnë brenda "të vërtetën e madhe" pasi u shkruan dhe u përgatitën me vetëdije kështu siç janë, nga vetë sistemi dhe ata që i shërbenin. Përballja me të shkuarën është një maratonë të cilën shqiptarët tani më në fund po bëhen gati ta fillojnë. Leximi publik i dosjeve do të shërbejë në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi atë sistem që mbahej në këmbë nga ushtarë të zellshëm të partisë përmes dhunës, represionit. Por siç u shpreh Asllani, dosjet tregojnë edhe anën qesharake, absurde të sistemit, pushtetin e të pashkolluarve dhe urrejtjen e tyre kundrejt elitës së asaj kohe.

    Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, lexoi një pasazh nga dosja e Musinesë mbi aktivitetin e saj: "Ajo ka qenë drejtuese e gazetës 'Zëri i Lirisë', organ i socialdemokratëve, por pjellë e Ballit Kombëtar, pra ajo ka bashkëpunuar me autoritetet e Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Ka shkruar vazhdimisht kundër Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe është financuar nga Balli Kombëtar. Në aktivitetin e saj anti-nacionalçlirimtar, ajo ka shkruar duke tradhtuar atdheun. Ajo shkonte në shtypshkronjën Gutenberg, e mbuluar me maskë dhe nuk shkonte kurrë kur atje kish njerëz të tjerë." Në këtë pasazh përdoret gjuha e urrejtjes, dhe sipas Koçit, dihet që personat e rekrutuar nga Sigurimi ishin njerëz të pashkolluar. Gjatë luftës, Musineja ka qenë pjesë e rezistencës, por jo mbështetëse e komunistëve, dhe ky ishte faji kryesor i saj. Sipas Skënder Vrionit, Musine Kokalari ka qenë një nga personat e vetëm që nuk ka bërë apologji, nuk ka kërkuar falje për veprimet e saj, të cilat në ndërgjegjen e saj kanë qenë gjithmonë të drejta.

  • Dita e ShtatË, 22 nËntor 2017 – historia gojore

     

    Historia gojore, burim i vlefshëm për të rinjtë në të kuptuarit komunizmin.

    Dita e shtatë e edicionit të dytë të "Ditëve të Kujtesës", parashikoi një diskutim mbi historinë gojore (Oral History). Në sallën e bibliotekës në Muzeun Historik Kombëtar, prezenca e OSBE në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) mblodhi bashkë historianë, ekspertë të arsimit, por edhe të rinj gjimnazistë të Tiranës, për të folur konkretisht rreth historisë së treguar, se si është përcjellë kujtimi i komunizmit te brezi i sotëm.

    Në moderimin e Edlira Agollit, Sarah McGuckin, përfaqësuese e prezencës së OSBE në Shqipëri, tha se "historia gojore është historia e njerëzve që flasin për të kaluarën e tyre, ose të përvojave të mësuara gjatë kohëve të shkuara". Ajo tha se diskutimi rreth kësaj teme, ndihmon shumë që të rinjtë të kuptojnë më mirë atë periudhë.

    Agolli theksoi se historia e treguar, ka gjithashtu rëndësinë e saj në procesin e "shkrimit" të historisë. "Është mirë që të marrim prej atyre që e kanë jetuar atë kohë, atë përndjekje dhe ato vuajtje, pasi në të tillë mënyrë, sidomos të rinjtë e konceptojnë më mirë të kaluarën," tha ajo.

    Miran Butka, historian, përfaqësues i Institutit të Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) tregoi për projektin "Zërat e kujtesës", që përmbledh historitë e ish-të burgosurve politik. Butka përmendi rastin e ish-kampit të Tepelenës dhe intervistimin me dy të persekutuar që asokohe ishin fëmijë dhe që janë ndër të vetmit që kanë mbijetuar. "Na kanë thënë se këto gjëra që kemi rrëfyer, nuk ua kemi thënë as familjarëve tanë," tha Butka i emocionuar, teksa tregoi se nuk e kishte përjetuar komunizmin, por nga studimet që kishte kryer, gjithmonë e më tepër historia e komunizmit shqiptar i dukej rrëqethëse. Ai tregoi për një varr masiv në ish-kampin e Tepelenës, ku thuhet se rreth një mijë fëmijë janë vrarë në mënyrë çnjerëzore nga kushtet e internimit.

    Të rinjtë e pranishëm, kryesisht gjimnazistë, thanë se nuk kishin njohuri për ish-kampin e Tepelenës, këtu Fabian Kati, antropolog, regjisor por gjithashtu ish i persekutuar tha se "ky kamp ka funksionuar për 7 vite pas Luftës së Dytë Botërore, në të cilin janë dërguar familje, kryesisht nga veriu, dhe janë mbyllur aty".

    "Ata njerëz janë mbajtur në kushtet si ato të kampeve naziste, kanë vuajtur nga uria, nga dhuna, terrori dhe kanë vdekur atje, atje ku varroseshin rrëzë lumit të Bënçes. Pikërisht procesi i varrosjes pranë lumit bëhej që rrjedha t'i zhvendoste herë pas here eshtrat dhe gjurmët. Është një përvojë që ka ndodhur në komunizëm dhe që të rinjtë nuk e dinë, dhe ky s'është faji i të rinjve, por që duhet trajtuar pasi ka rëndësi që këto ngjarje kurrsesi mos të harrohen". Kati tregoi historinë e përndjekjes së tij, ndërsa në sallë u prezantua edhe video-filmimi që ai kishte përgatitur në vitin 2003 për ish-burgun e Gjirokastrës (sot i rrënuar).

    Kati tregoi se u arrestua për "agjitacion-propagandë dhe për biseda për tentativë arratisje" kur sapo kishte mbaruar gjimnazin dhe u dërgua në Spaç. "Spaçi ishte sikurse të ishte Ferri mbi Tokë. 7 rrethime të ndriçuara si 7 rrathët e Ferrit. Në një luginë të rrethuar nga kodra e rrëpira, të ruajtur nga ushtarë dhe roje të brendshme. Kishte një përrua atje që në dimër mbushej, në dimër sillte pirit, ngjyrë të kuqërremtë që të ngjallte ndjesinë e gjakut. Një pamje sureale të kësaj egërsie natyrore dhe këtij përroi që të burgosurit e konsideronin sikur të ishte gjaku i tyre," tha Kati, i cili theksoi se është e nevojshme që të rinjtë duhet ta vizitojnë ish-burgun, për ta perceptuar më mirë se si ishte të vuaje një burg të atij sistemi.

    Fatmiroshe Xhemalaj eksperte e historisë, ambasadore e EUROCLIO (European Association of History Educators) në Shqipëri, por dhe nxënësit e gjimnazit "Ismail Qemali" në Tiranë, kujtuan në këtë pikë projektin e IDMC, "Pyet Gjyshërit" që sipas tyre "i ka sensibilizuar më tepër të rinjtë që të kërkojnë të dinë më shumë nga historitë e së kaluarës, të jetuara nga të afërmit e tyre, por jo vetëm". Sipas saj, aktualisht historia e komunizmit ka shumë pak vëmendje në tekstet zyrtare të lëndës së historisë në shkolla. Në këtë pikë ajo prezantoi dhe projektin e IDMC, për të ndihmuar në procesin e mësimdhënies. Punimi "Komunizmi përmes dokumenteve arkivore: Represioni në periudhën e vetë-izolimit" sipas saj "do t'i përballë të rinjtë me fakte dhe të vërteta historike që do t'u mundësojë atyre një kuptim më të saktë se si funksiononte ai sistem".

    Më tej Valbona Bezati, gazetare, koordinatore e projektit të IDMC, "Unë dëshmoj" përcolli disa nga video-intervistat e ish-të përndjekurve, të cilët tregonin historitë e tyre. Ajo tregoi se projekti ka filluar nga janari i këtij viti (2017) dhe ka intervistuar shumë njerëz nga të gjitha vendet e Shqipërisë. Koordinatorja e projektit të IDMC tha se "intervistat i kemi shkurtuar disi për të përcjellë vetëm pikat kulmore të përndjekjes që kanë vuajtur". Çdo të hënë publikohet nga një intervistë e re në platformën online "Observatori i Kujtesës". Bezati tha se shpesh dëshmitë janë në sinkron me dëshmitë e të tjerëve, pra "përvojat e përndjekjeve kanë qenë përgjithësisht të njëjta pavarësisht vendit dhe kohës kur kanë ndodhur". Ajo përmendi gjithashtu kontributin e "Terminologut komunist" që është gjithashtu i nevojshëm dhe praktik për të rinjtë, për ta kuptuar komunizmin në Shqipëri.

  • Dita e tetË, 23 nËntor 2017 – fituesit e konkursit "pyet gjyshërit 2"

     

    Konkursi "Pyet Gjyshërit 2" përmbyll "Ditët e Kujtesës" duke shpallur fituesit prej mbi 250 gjimnazistëve pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria.

    Konkursi në multimedia "Pyet Gjyshërit 2017", organizuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Shoqatën e Mësuesve të Historisë së Shqipërisë "Rinia & Historia", shpalli të enjten fituesit. Ceremonia e shpalljes së fituesve të konkursit "Pyet Gjyshërit 2" shënoi mbylljen me sukses të edicionit të dytë të aktivitetit tetë-ditor "Ditët e Kujtesës". Mbi 250 të rinj nga gjimnaze të ndryshme të Shqipërisë aplikuan në këtë konkurs me mbi 100 punime, por vetëm 33 të rinj arritën të vlerësoheshin me çmime falë punës së tyre në grup. Pas rreth dy muajsh konkurrim, juria vendosi të shpërblente të rinjtë duke vlerësuar punimet e tyre me 8 çmime kryesore (një çmim inkurajues, një çmim rrjeti, tre çmime të treta, dy të dyta dhe një të parë).

    Ceremonia nisi me përshëndetjen e drejtores së IDMC, Jonila Godole, e cila e vlerësoi tej mase angazhimin e të rinjve në këtë konkurs duke theksuar se "të gjithë ishin fitues, pasi përmes kësaj pjesëmarrjeje ata kanë mundur të kenë një reflektim mbi të kaluarën, çka pikërisht ka qenë fokusi i këtij organizimi".

    Pjesëmarrjen e madhe, e vlerësoi edhe drejtori i fondacionit gjerman Konrad Adenauer, Walter Glos, i cili e ka mbështetur këtë konkurs që në fillimet e veta. Ai shtoi se ndërgjegjësimi dhe reflektimi i të rinjve mbi të shkuarën është prioritar edhe për KAS, prandaj do të vazhdojë ta mbështes këtë konkurs edhe më tej.

    Konkursin e këtij viti e përshëndeti nga Tel Avivi (Izrael), Erlisa Kulla, e cila ishte fituesja e edicionit të kaluar.

    Juria që vlerësoi punimet përbëhej nga personalitete të nderuara të medias, shkencës dhe kulturës, si Ilva Tare, gazetare prej më shumë se 20 vitesh, drejtuese e emisionit "Tonight" në Ora News, Ylljet Aliçka, autor dhe pedagog i përkushtuar në Akademinë e Arteve, me një eksperiencë të gjatë në kinematografi, si dhe Fatmiroshe Xhemalaj, eksperte e historisë, ambasadore e EUROCLIO (European Association of History Educators) në Shqipëri. Në përshëndetjen e saj, ajo inkurajoi të rinjtë që të vazhdojnë këtë nismë reflektimi pasi "vetëm duke njohur të kaluarën mund ta kuptojmë të tashmen". Aliçka u shpreh se i kishte ndjekur me shumë kënaqësi të gjitha punimet e pjesëmarrësve, ndërsa Tare tha se kishte mbetur me mbresa dhe besim për brezin e ri.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Çmimet

    Punimi multimedial "Unë jam..." u vlerësua nga juria e IDMC me çmimin e parë, një realizim i Elios Shulit, Marta Gështenjës, Renis Lamit, Gentian Kojelit dhe Eri Allës, nga shkolla "Sami Frashëri" Tiranë. "Unë jam..." mori vlerësim maksimal edhe nga më shumë se 200 të pranishmit në sallë që nuk reshtën së duartrokituri. Fituesit e çmimit të parë do të kenë tashmë mundësinë e një udhëtimi në Gjermani për të vizituar vendet e kujtesës atje, ndërsa drejtoresha e IDMC premtoi se punimi fitues do të mund të shfaqet edhe për publikun gjerman. Dy vendet e dyta u vlerësuan me vizitë studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri që do të organizohet nga IDMC dhe me kupon librash. Tri vendet e treta dhe çmimi i rrjetit u vlerësuan po ashtu me vizitën studimore në vendet e kujtesës në Shqipëri, si dhe me kupon librash nga Bukinist.al. Fituesit e çmimit inkurajues përveç vlerësimit me libra nga Shtëpia Botuese "Filaria" do t'i bashkohen po ashtu vizitës studimore në Shqipëri.

    Të gjithë të rinjtë e vlerësuar me çmime i gjeni si më poshtë:

     

    Çmimi i parë

    Punimi multimedial: "Unë jam…"

    1. Elios Shuli

    2. Marta Gështenja

    3. Renis Lami

    4. Gentian Kojeli

    5. Eri Alla

     

    Çmimi i dytë

    Punimi multimedial: "Një hap drejt dritës"

    1. Enis Kalemi

    2. Sindi Leka

    3. Endi Baxhaja

     

    Çmimi i dytë

    Punimi multimedial: "I burgosur - Pa burg"

    1. Martina Ramadani

    2. Saidi Lamçe

    3. Xhevair Pelivani

    4. Spiro Frashëri

    5. Laura Kadena

     

    Çmimi i tretë

    Punimi multimedial: "Mënyra e jetesës në kohën e komunizmit"

    1. Alesia Baca

    2. Kejsona Idrizi

    3. Xheraldo Kurti

    4. Mërgim Kurmeka

     

    Çmimi i tretë

    Punimi multimedial: "Muzika e huaj në diktaturë…"

    1. Aldi Hidi

    2. Zhaklina Elezaj

    3. Aldo Dervishi

    4. Aranit Lleshi

    5. Donaldo Biba

     

    Çmimi i tretë

    Punimi multimedial: "Pas në kohën e tij"

    1. Anxhela Shehi

     

    Çmimi inkurajues i "Shoqatës së Mësuesve të Historisë"

    Punimi multimedial: "Gruaja labinotase – Një skllave e lindur"

    1. Ardit Allushi

    2. Aurora Çili

    2. Denada Hoxha

    4. Jonida Skorra

    5. Jonida Leçaj

     

    Çmimi i rrjetit

    Punimi multimedial: "Pyet gjyshen"

    1. Anxhelo Zuno

    2. Endi Qose

    3. Kleida Dervishi

    4. Xhuliana Xhaferaj

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2021 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube