Konferenca "Mitet komuniste në Shqipëri,
përpara dhe pas ndryshimit të sistemit"
18 SHKURT 2022
#ditëtekujtesës2022
Konferenca ndërkombëtare "Mitet komuniste në Shqipëri, përpara dhe pas ndryshimit të sistemit"
18 shkurt 2022, Tiranë – DITËT E KUJTESËS sollën në ditën e dytë të edicionit 2022, konferencën shkencore ndërkombëtare "Mitet komuniste, para dhe pas rënies së sistemit", e cila përfshiu dhjetëra studiues dhe pjesëmarrës të interesuar mbi drejtësinë tranzitore dhe jo vetëm. Sesioni I i fjalëve përshëndetëse nisi nën moderimin e znj. Jonila Godole, Drejtore e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë me prezencën e përfaqësuesit të Prezencës së OSBE në Shqipëri, z. Mauro Puco dhe z. Marek Mutor, President i PEMC.
Në fjalën e saj hyrëse, znj. Godole theksoi rëndësinë e rishikimit të kurrikulave, si një problematikë e paadresuar në këto 31 vite pas rënies së regjimit komunist dhe se ky është një proces që duhet marrë me seriozitetin që duhet të ketë për dekomunistizimin e shoqërisë në shekullin e 21-të. Njëkohësisht, znj. Godole kërkoi mbështetjen për peticionin e sapolançuar si një risi e DITËVE TË KUJTESËS për t'ju drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një paketë të plotë ligjore për të bërë atë që është bërë pak apo keq në këto 31 vite.
"Përmes kërkimit akademik, debatit të hapur e të vërtetë dhe përfshirjes së njëmendtë të shoqërisë civile mund të ndihmojmë në shërimin e plagëve që vendi ka trashëguar nga barra e rëndë e së kaluarës komuniste," tha z. Puco në hapje të konferencës. Ai tha se, me gjithë përparimin strukturor, duhen forcuar më shumë mekanizmat e drejtësisë tranzitore që trajtojnë të shkuarën dhe rrëzojnë mitet e regjimit komunist në Shqipëri.
Idrit Idrizi shpjegoi për të gjithë pjesëmarrësit se cili ishte qëllimi i kësaj konference dhe qasja mbi te cilën u pranuan kumtesat.
Konferenca vijoi me fjalën e një prej folëseve kryesore te kësaj konference, Prof. Stefani Shvandner-Sivers, antropologe sociale ne Universitetin Bournemouth, e cila referoi mbi të kalurën si një vend i huaj. Ajo tha se është krejt e ndryshme kur bëhet fjalë për kujtimet e historisë së jetuar. Pluraliteti i memories, në vend të kujtesës së ngurtësuar e të formalizuar, mund të jetë pjesë e peizazhit demokratik. Megjithatë kujtesa e Shqipërisë komuniste duket thellësisht e ndarë dhe shpesh antagoniste me vëzhguesit e jashtëm.
Në panelin e parë referoi z. Enis Sulstarova mbi mitin politik të qëndresës përmes romaneve të Ismail Kadaresë. Znj. Anjeza Xhaferaj u ndal te fenomeni i punës vullnetare dhe miti i krijuar në letërsinë e realizmit socialist. Znj. Inis Shkreli referoi punimin në bashkautorësi me znj. Zhaneta Gjyshja mbi instrumentalizimin e arkeologjisë dhe etnologjisë në komunizëm. Znj. Rovena Vata foli mbi mitet komuniste në këngë, duke marrë në analizë vëllimet "Për partinë shqipe mali". Ky panel u moderua nga Prof. Dr. Valentina Duka.
Në panelin e dytë referoi z. Çelo Hoxha, i cili trajtoi çështjen e ekzistencës së PKSH në aspektin teorik dhe juridik. Ai argumentoi se në Shqipëri në 1941 nuk ekzistonin kushtet e domosdoshme për krijimin e një partie komuniste, siç parashikonin parimet e teorisë marksiste, sepse mungonte proletariati. Mungesa e proletariatit do të thoshte se mungonte klasa borgjeze, e cila, duke zotëruar mjetet e prodhimit, krijonte klasën punëtore. Duke munguar të dy klasat, mungonte antagonizmi klasor. Për rrjedhojë, PKSH, argumentoi Hoxha, ishte një filial i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (i administruar përmes jugosllavëve). Në aspektin juridik, zoti Hoxha argumentoi që PKSH ishte e paligjshme, që nga krijimi i saj deri në rënien e komunizmit.
Në vijim të panelit ishte kumtesa e studiuesve Egin Ceka dhe Doan Dani mbi mitin e parazitit. Znj. Mrika Limani solli në këtë panel studimin mbi perceptimin e Shqipërisë komuniste dhe Enver Hoxhës nga grupet marksiste në Kosovë. Ndërsa znj. Isabel Strohle solli në analizë "Shqipëria e Enver Hoxhës në imagjinatën dhe politikat e Jugosllavisë socialiste". Paneli u moderua nga Dr. Klejd Këlliçi.
Gjatë pushimit të kafes u sollën punimet në formatin poster të studiuesve Ardit Metani, Ardita Dylgjeri dhe Irgen Xhyra, Aris Dougas Chavarria, Etleva Cani, Ines Stasa, Irena Gorica, Nuredin Nazarko dhe Vojsava Kumbulla. Pjesëmarrësit u njohën me punimet e posterave dhe mbi qasjen e këtyre punimeve ne lidhje me mitet komuniste dhe postkomuniste.
Paneli i tretë, që konsistoi në mitet e komunizmit pas rënies se regjimit, u moderua nga Prof. Merita Poni. Tre kumtesat ishin të z. Artan Hoxha me punimin mbi çmitizimin dhe riprodhimin e miteve komuniste në Shqipërinë postsocialiste. Dr. Këlliçi u ndal te Varrezat e Dëshmorëve dhe eshtrat e lëvizshme në postkomunizëm mbi heronjtë dhe joheronjtë martirë. Kumtesa e fundit e panelit ishte nga një gup studiuesish mbi narrativën e vuajtjes së përbashkët, një studim psikologjik për rolin e komuniteteve në krimet komuniste.
Konferenca vijoi me fjalën e folëses kryesore të radhës, Prof. Lavinia Stan, e cila u ndal te shpjegimi i 5 miteve kryesore. Transformimi postkomunist në Evropën Qendrore dhe Lindore është përpjekur të përballet me tmerrin e të shkuarës komuniste po aq sa edhe për të ngritur një demokraci të qëndrueshme për të ardhmen, dhe për të trajtuar problemet shoqërore dhe ekonomike. Pavarësisht metodës së përzgjedhur për zbatimin e drejtësisë tranzitore, si lustracion, gjyqe në gjykatë, qasjen në dosjet sekrete, kthim apo vendosjen e pronave si vende të kujtesës, ndër të tjera vendet e Evropës Lindore ndajnë një sërë mitesh që lidhen me politikën e tyre të kujtesës. Në vend që të jenë sisteme koherente që shpjegojnë realitetin, këto mite dhe besime kanë themele që shkojnë përtej logjikes, dhe kështu ka pak gjasa që provat e siguruara të mund të thyejnë imunitetin e tyre pseudokonjitiv. Këto mite prekin një sërë supozimesh, presupozimesh dhe argumentesh thjeshtëzuese, të cilat kanë shërbyer si bazë e politikave të drejtësisë tranzitore, e debatit publik për dobinë, legjitimitetin dhe realizueshmërinë e procesit, dhe kanë shërbyer si kuadër i punimeve studimore mbi temën.
Shoqëritë e Evropës Qendrore dhe Lindore janë prirur të konsiderojnë agjentët e policisë sekrete politike si më mizorë dhe më të fajshëm se zyrtarët komunistë, megjithëse provat tregojnë se nomenklatura vepronte si truri që orkestronte torturën, shtypjen dhe kanosjen që ushtrohej nga muskuli i policisë sekrete. Në të gjithë rajonin kishte interes të konsiderueshëm në hapjen e dokumentacionit të mbledhur nga policia sekrete politike, por jo dhe aq interes për arkivat e partisë komuniste, që i janë hapur publikut vetëm në raste të përzgjedhura. Disa analistë vendorë e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në ngjashmëritë midis veprimtarisë së inteligjencës të ndërmarrë nga partia dhe nga policia sekrete dhe kanë argumentuar se partia mblidhte informacion mbi anëtarët dhe kandidatët përmes informatorëve sekretë në operacione të ngjashme me ato të policisë sekrete. Sipas këtyre kërkuesve, arkivat e policisë sekrete duhet të plotësohen me arkivat e partisë për një panoramë më të qartë të veprimtarive të spiunimit dhe denoncimeve, bashkëpunimit apo modeleve të rezistencës që lidheshin me to.
Është e vështirë të përcaktohen saktë arsyet që çojnë në dënimin e agjentëve sekretë më shumë se sa të zyrtarëve të partisë komuniste, por karakteri sekret dhe i fshehur i punës së tyre mund të jetë një shpjegim i pranueshëm. Për më tepër, evropiano-lindorët pranojnë se edhe midis spiunëve kishte shkallë fajësie, ku bashkëpunëtorët me kohë të pjesshme të marrë nga të gjitha fushat e jetës ishin më të dënueshëm se sa oficerët me kohë të plotë. Në hierarkinë e komandës zyrtarët e partisë vendosnin për kuadrin e përgjithshëm brenda të cilit vepronin shërbimet sekrete, oficerët me kohë të plotë zbatonin programin e partisë dhe përzgjidhnin metoda të veçanta për ta përkthyer në realitet, ndërsa informatorët me kohë të pjesshme mblidhnin informacionin e nevojshëm për të shantazhuar dhe për t'iu kanosur disidentëve. Detalet më të vogla, pra informatorët me kohë të pjesshme, janë ata që nguliten në mendjen e publikut. Ata ishin më pranë viktimave, dhe i bënin punët e tyre të fshehta nga pozicione të padyshueshme si të afërm, miq, kolegë pune dhe fqinjë. Ndërkohë që në disa raste oficerët shfajësoheshin me argumentin se ato po bënin punën e tyre, informatorët me kohë të pjesshme denoncoheshin unanimisht për dyfytyrësinë e tyre dhe gatishmërinë për të tradhtuar ata që u besonin. Sa më shumë viktimat kishin besim tek informatorët që në sekret spiunonin për ta, aq më të befasuar dhe të zhgënjyer ishin ata kur merrnin vesh identitetin e spiunëve.
Drejtësia tranzitore është rrekur të zbulojë të vërtetën dhe të izolojë gënjeshtrën e regjimit komunist, të ndajë viktimat nga viktimizuesit dhe të përcaktojë se sa përgjegjësi ndajnë midis tyre udhëheqësit komunistë dhe qytetarët e thjeshtë për abuzimet e kryera në periudhën 1944–1989. Të paktën për momentin, çdokush duket se ka mendimin e vet lidhur nga gjithë e vërteta e zbuluar deri tani. Kjo vjen sepse kjo përpjekje e bashkërenduar është prirur të theksojë numrin (e dosjeve sekrete të vëna në dispozicion të publikut, të informatorëve të identifikuar, të zyrtarëve të komunizmit që iu nënshtruan lustracionit, të gjyqeve të hapura, të ish-agjentëve sekretë të përjashtuar), duke dëmtuar cilësinë e procesit (zbulimin e atyre që kanë projektuar shtypjen më shumë se atyre që kanë vepruar si spiunë me kohë të pjesshme, identifikimin dhe lustrimin e "kokave të mëdha" dhe jo "të vegjëlve", ose dallimin ndërmjet shkallëve të përfshirjes dhe fajit).
Organizues:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, Universiteti i Tiranës,
Instituti për Historinë e Evropës Lindore pranë Universitetit të Vjenës dhe
Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri
Vendi:
Tiranë, Shqipëri
Data:
18 shkurt 2022
Afati:
30 tetor 2021
14 shtator 2021, Tiranë – Mitet politike janë themel i jetës politike. Ato nuk e përshkruajnë realitetin, por e përfytyrojnë atë sipas interesave politike. Lindja e këtyre miteve lidhet me mospërputhjen midis realitetit dhe aspiratave. Në mënyrë të veçantë, duke prekur emocionet, mitet synojnë të thjeshtëzojnë shpjegimin e dështimeve, të frymëzojnë besnikëri dhe të mobilizojnë popullsinë për t'u hedhur në veprim (Tismaneanu 1998). Regjimet totalitare të shekullit të njëzetë mbështeteshin gjerësisht mbi mitet politike për të përligjur pushtetin dhe politikat e tyre, duke përfshirë krimet dhe persekutimin. Mitet për Luftën e Dytë Botërore, për udhëheqësin gjenial, për partinë si mishërim i urtësisë historike, për arritje të lavdishme, për armiq të brendshëm e të jashtëm, si dhe për njeriun e ri komunist, ndër të tjera, ishin mbizotëruese në mbarë vendet komuniste. Nga fundi e kësaj periudhe, mitet e propaganduara nga shteti priteshin nga pjesa më e madhe e popullsisë me indiferentizëm, skepticizëm ose indinjatë. Rënia e regjimeve komuniste i tronditi mitet e tyre dhe u pasua nga përpjekje për t'i demaskuar ato. Megjithatë, tranzicioni i vështirë çeli shtegun për ringritjen dhe përshtatjen e miteve komuniste, si dhe krijimin e miteve të reja gjatë procesit të kujtimit dhe vlerësimit të jetës së shkuar në komunizëm.
Në Shqipëri, mitologjia komuniste ka gjetur dhe vazhdon të gjejë kushte veçanërisht të favorshme: një radikalitet të theksuar të regjimit komunist sa iu përket ambicieve për të transformuar kushtet socio-ekonomike dhe për të indoktrinuar ideologjikisht shoqërinë, një mospërputhje të thellë midis aspiratave dhe realitetit, një tranzicion dramatik postkomunist, duke përfshirë kriza të rënda politike dhe ekonomike dhe pasiguri të theksuar, një dështim thuajse total të drejtësisë tranzicionale, politika kufizuese dhe problematike për aksesin në arkiva dhe një numër jashtëzakonisht të ulët studimesh profesionale tri dekada pas rënies së regjimit. Shumica e miteve më të përhapura, të fuqishme dhe problematike lidhen me udhëheqësin e vendit, partinë komuniste, Luftën e Dytë Botërore, klasën punëtore, njeriun e ri komunist, heronjtë socialistë, emancipimin e grave, arritjet ekonomike, autarkinë, forcën ushtarake, rrethimin dhe komplotet armiqësore, mungesën e ndjesive fetare tek shqiptarët, reputacionin e vendit si fanar ndriçues i komunizmit në botë, barazinë dhe vlera sociale të perceptuara si te lidhura me komunizmin si sinqeriteti dhe solidariteti, cilësinë e lartë të arsimit si dhe shkallën e ulët të kriminalitetit dhe korrupsionit.
Në këtë kuadër, konferenca "Mitet komuniste në Shqipëri, përpara dhe pas ndryshimit të sistemit" synon të hedhë dritë mbi një temë kritike, të gjerë dhe pak të studiuar. Ne jemi të interesuar në të gjitha elementet e miteve komuniste, sesi ato ndërveprojnë me kujtesën dhe diskurset postkomuniste. Përtej demaskimit të narrativave, ne synojmë të analizojmë proceset e krijimit, shpërndarjes, perceptimit, përshtatjes dhe transformimit të miteve si dhe të reflektojmë mbi mitet si pikëhyrje të rëndësishme në aspekte të ndryshme socio-politike të periudhës komuniste dhe postkomuniste (krahaso Claudia-Florentina Dobre 2017).
Organizuesit e kësaj konference mirëpresin kumtesa shkencore mbi tematikat e lartpërmendura dhe më gjerë. Ju lutem dërgoni abstraktet tuaja (deri në 300 fjalë), një CV të shkurtër akademike si dhe çdo pyetje tjetër që mund të keni në adresën conference@idmc.al deri në datën 30 tetor 2021. Kumtesat e përzgjedhura synohen të botohen në një numër të veçantë të një reviste shkencore me sistem peer review.
Kjo konferencë organizohet nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Institutin për Historinë e Evropës Lindore pranë Universitetit të Vjenës dhe Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Ajo është pjesë e aktivitetit të përvitshëm "Ditët e Kujtesës", që IDMC organizon prej vitit 2016, në partneritet me Fondacionin Konrad Adenauer në Tiranë.
Gjuhët: anglisht dhe shqip.
Folësit kryesorë (të konfirmuar): Stephanie Schwandner-Sievers dhe Lavinia Stan.
Komiteti shkencor: Jonila Godole (IDMC & Universiteti i Tiranës), Idrit Idrizi (Universiteti i Vjenës), Stephanie Schwandner-Sievers (Universiteti Bournemouth), Oliver Jens Schmitt (Universiteti i Vjenës), Lavinia Stan (Universiteti St. Francis Xavier), Valentina Duka (Universiteti i Tiranës), Egin Ceka (Vjenë), Klejd Këlliçi (Universiteti i Tiranës).