Çelet sipari i aktiviteteve nën siglën #TiranaLexon
Netët e Letërsisë Austriake

Tiranë, 23 maj 2018 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), në bashkëpunim me Ambasadën Austriake çelën dje siparin e aktiviteteve "Netët e Letërsisë Austriake" nën siglën "Tirana Lexon".

Ky aktivitet i cili vjen në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri, përmbylli me sukses natën e tij të parë, mes shumë të rinjsh që mbushën plot Sallën "Gëte" të Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Të ftuar prezentë ishin tre autorët e huaj Andrea Grill, Klemens Renoldner, Christina Maria Landerl, dhe autori shqiptar Agron Tufa.

Drejtoresha e IDMC, Dr. Jonila Godole, përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi shkurtimisht qëllimin e këtij aktiviteti, duke ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj çfarë vlen të diskutohet sot me të rinjtë, krizës së letërsisë, faktorëve të transformimit të saj ndër vite, ndikimi që lëvizja e autorëve ka në vende të ndryshme tek letërsia e tyre, tek ajo që ata sjellin përpara publikut.

I pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishte ambasadori austriak në vendin tonë, z. Johann Sattler, i cili mbajti një fjalim përshëndetës për të pranishmit dhe vuri theksin në sinergjinë e krijuar nga shkëmbimi i këndvështrimeve të autorëve austriakë dhe autorëve e përkthyesve shqiptarë, dhe falënderoi të gjithë ata që e mundësuan këtë aktivitet.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në fjalën e tij, shkrimtari Agron Tufa u shpreh se sot përpiqet të bëhet një letërsi e njeriut nga strukturat totalitare. "Shkrimtari shqiptar është shumë kokëfortë dhe i lidhur fort me rrënjët, qoftë edhe kur eksperimenton me fjalë, dhe nëse ka diçka që e bën të ngjashëm me shkrimtarët e popujve të tjerë, ai është një repertor ëndrrash kolektive," shtoi ai.

Autorja Andrea Grill e vuri theksin tek lexuesi i saj, për të cilin mendon gjithmonë kur shkruan. "Kur shkruaj, mendoj për një tip publiku të cilit dua t'i drejtohem sepse nuk mund të mendoj për të gjithë," tha ajo. Grill shtoi ndër të tjera se teknologjia do ta ndryshojë letërsinë e këtij fundshekulli, ashtu siç po ndryshon gjithçka tjetër në sfera të ndryshme.

Në pjesën e dytë të aktivitetit autori Klemens Renoldner lexoi për të rinjtë pjesëmarrës një fragment nga romani i tij më i ri që pritet të publikohet në 2019, "Kepi i Shpresës së Mirë", në të cilin rrëfehen kujtimet e një fëmije për gjyshin e tij, flitet për edukatën dhe moralin e dy poleve, po-ja dhe jo-ja, toleranca dhe autoriteti etj.

 

Aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" vijon maratonën e tij të leximit më datë 24 dhe 25 Maj, ora 18:00–20:00 te Salla "Gëte" e Teatrit Eksperimental.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2021 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube