Ngritja e kapaciteteve të mësuesve dhe të rinjve
bashkëveprimE për edukimin historik
20 maj 2022, Belsh – Qyteti i Belshit ka qenë ndalesa e radhës për promovimin e librit "Të mos harrojmë", një tekst ndihmues për mësuesit e historisë në trajtimin e regjimeve totalitare dhe mënyrën se si ato e kanë dëmtuar shoqërinë, botuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) dhe Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes.
Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole në fjalën e saj të përshëndetjes përmendi kontributin e vazhdueshëm të IDMC-së ndër vite për të qenë pranë mësuesve në nevojat që ata kanë pasur për dokumente arkivore, trajnime dhe vizita studimore, gjithashtu ajo theksoi nevojën e përfshirjes së përjetimeve personale në trajtimin e periudhës të komunizmit në lëndën e historisë, por gjithmonë të bazuara në fakte dhe argumenta.
Duke qenë se Belshi është një zonë që ka pasur pranë histori persekutimi dhe vende të vuajtjes si Reparti nr. 318 në Kosovë e Belshit, disa nga mësuesit pjesëmarrës gjatë diskutimit rrëfyen edhe përjetime personale.
Vlera e shtuar e këtij takimi ishte dhe diskutimi i mësuesve të letërsisë për nevojën e rishikimit të kurrikulës të lëndës të letërsisë duke evidentuar mungesën e autorëve të letërsisë të burgut ose letërsisë të kujtesës në kurrikulën aktuale.
Ekspertja e kurrikulës mësimore, Fatmiroshe Xhemalaj theksoi se lëndët mësimore nuk janë të ndara, por mësuesit edhe të lëndëve të tjera përtej historisë mund të shfrytëzojnë njohuritë e marra nga botime si libri "Të mos harrojmë" për të fuqizuar rolin e tyre në formimin qytetar të nxënësve.
4 maj 2022, Tiranë – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKPK) ishin në shkollën "Ernest Koliqi" në Tiranë, për të shfaqur dokumentarin "Fëmijët e diktaturës" dhe për të prezantuar botimin "Të mos harrojmë", me histori njerëzore persekutimi nga regjime totalitare në Europë, botuar nga Platform of European Memory and Conscience në bashkëpunim me IDMC.
Brisejda Lala, studiuese në ISKK dhe Oriada Dajko nga IDMC prezantuan projektet dhe aktivitetet e IDMC-së dhe ISKK-së që kanë në fokus ndërgjegjësimin e të rinjve për të kaluarën komuniste.
Pas shfaqjes së dokumentarit, Ergys Mërtiri, në një diskutim me nxënësit u diskutuan disa nga temat kryesore të trajtuara gjatë dokumentarit dhe për dukuri të jetës së përditshme gjatë diktaturës në Shqipëri.
Në përfundim të aktivitetit, IDMC dhe ISKK dhuruan botimet e tyre më të fundit për nxënësit dhe bibliotekën e shkollës "Ernest Koliqi".
IDMC falënderon stafin e shkollës për angazhimin e tyre në edukimin cilësor të rinisë shqiptare, duke ndërlidhur tekstet mësimore me shembuj konkret dhe aktivitete kulturore nga IDMC.
Nëse keni interes për shfaqjen e dokumentarit "Fëmijët e Diktaturës" ose për tekstin "Të mos harrojmë", ju lutemi të kontaktoni në adresën e emailit: office@idmc.al.
23 prill 2022, Elbasan – Në kuadër të ditës ndërkombëtare të librit, IDMC promovoi librin "Të mos harrojmë", në ambientet e Bibliotekës "Qemal Baholli" me pjesëmarrjen e mësuesve të rrethit Elbasan.
"Të mos harrojmë: Kujtesa e totalitarizmit në Europë" është një libër për nxënësit e shkollave të mesme europiane. Synimi është edukimi i brezit të ri për të kaluarën tragjike të Europës dhe rëndësinë që kanë të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe shoqëritë demokratike.
Botimi i këtij libri në shqip është menduar si një tekst ndihmues për mësuesit e historisë në trajtimin e regjimeve totalitare dhe mënyrën se si ato e kanë dëmtuar shoqërinë.
Gjatë diskutimit me mësuesit, drejtoresha e IDMC, Jonila Godole, theksoi se ndërgjegjësimi i brezit të ri nuk mund të kryhet pa impaktin e madh të mësuesve dhe se IDMC do të vazhdojë misionin e tij mbështetës nëpërmjet vizitave studimore dhe botimeve me histori jetësore dhe materiale arkivore.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për rishikimin e kurrikulës mësimore, si një ndër pikat e peticionit të organizuar nga IDMC dhe kërkesën e propozuar për t'u krijuar një grup pune i përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe ekspertë të tjerë, për t'i dhënë Ministrisë së Arsimit propozime konkrete. Kjo do të garantonte që brezi i ri të jetë më i informuar mbi historinë e diktaturës dhe më i ndërgjegjshëm për vlerat e sistemit demokratik.
22 prill 2022, Elbasan – Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë zhvilloi një diskutim të hapur për Peticionin për Dokumunistizim dhe Drejtësi me të rinj dhe studentë të universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan, në kuadër të një ndër kauzave më të rëndësishme, njohjen e të rinjve me të kaluarën komuniste.
Dretuesja e IDMC-së, Jonila Godole prezantoi për të rinjtë 6 kërkesat e peticionit duke nënvizuar se shoqëria shqiptare nuk mund të ecë dot përpara pa dekomunistizimin dhe pa zbardhur të kaluarën, prandaj shoqeria kanë nevojë të hapë debate të forta për të kaluarën e saj historike.
Së bashku me të rinjtë, Dr. Godole diskutoi për mënyrën se si mentaliteti i të kaluarës komuniste ka ndikuar në të gjithë strukturat e shoqërisë duke nënvizuar se problemet e të sotmes janë pasoja të së shkuarës dhe mësimeve që nuk u nxorën prej saj.
Në fund, të rinj dhe studentë mbështetën nismën e ndërmarrë nga IDMC duke e firmosur peticionin.
1 prill 2022, Shkodër – Në ambientet e qendrës rinore Arka në Shkodër, Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) zhvilloi një diskutim të hapur me të rinj dhe studentë për Peticionin për Dekumunistizim dhe Drejtësi.
Drejtoresha e IDMC, Jonila Godole prezantoi për të rinjtë 6 kërkesat e peticionit duke nënvizuar se shoqëria shqiptare nuk mund të ecë dot përpara pa dekomunistizimin dhe pa zbardhur të kaluarën.
Të rinjtë pjesëmarrës ngritën pyetje dhe diskutuan për nismat e munguara në këtë fushë duke dhënë edhe sugjerimet e tyre se si qasja e të rinjve ndaj të kaluarës komuniste në Shqipëri të mos mbetet sipërfaqësore.
Në fund të aktivitetit, të rinj, mësues dhe përfaqësues të medias mbështetën nismën e ndërmarrë nga IDMC duke firmosur peticionin.
31 mars 2022, Shkodër – Në kuadër të promovimit të librit "Të mos harrojmë", me histori njerëzore persekutimi nga regjime totalitare në Europë, përfshirë këtu edhe historinë e familjes shkodrane të Viktor Martinit, IDMC zhvilloi një diskutim të hapur me mësueset e rrethit Shkodër.
"Të mos harrojmë: Kujtesa e totalitarizmit në Europë" është një libër për nxënësit e shkollave të mesme europiane. Synimi është edukimi i brezit të ri për të kaluarën tragjike të Europës dhe rëndësinë që kanë të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe shoqëritë demokratike.
Botimi i këtij libri në shqip është menduar si një tekst ndihmues për mësuesit e historisë në trajtimin e regjimeve totalitare dhe mënyrën se si ato e kanë dëmtuar shoqërinë.
Ndër të tjera, u diskutua edhe për rishikimin e kurrikulës mësimore, si një ndër pikat e peticionit të organizuar nga IDMC dhe kërkesën e propozuar për t'u krijuar një grup pune i përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe ekspertë të tjerë, për t'i dhënë Ministrisë së Arsimit propozime konkrete. Kjo do të garantonte që brezi i ri të jetë më i informuar mbi historinë e diktaturës dhe më i ndërgjegjshëm për vlerat e sistemit demokratik.
17 qershor 2022, Tiranë – Gjatë kësaj jave u zhvillua një orë mësimore mbi përshtypjet dhe reflektimet për botimin "Të mos harrojmë" në klasën e 10-të të Gjimnazit "Sadik Stavileci", nën drejtimin e mësueses Mirela Ceca dhe Dr. Vojsava Kumbulla, drejtuese e Shoqatës së Mësuesve të Historisë "Rinia dhe Historia".
Nxënësit ishin të interesuar për t'i dhënë përgjigje pyetjeve dhe dilemave të tyre që synonin të zbulonin më shumë rreth natyrës së sistemeve totalitare në Evropë dhe në Shqipëri, në veçanti.
Këtë reagim e zhvilluan sidomos pas leximit të disa prej rrëfimeve nga historitë e dëshmuara në librin "Të mos harrojmë", botuar nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane dhe nga Instituti per Demokraci, Media dhe Kulture (IDMC).
Nxënësit diskutuan rreth pyetjeve të shtruara nga vetë ata:
Mesazhi që u përcoll tek të rinjtë gjatë kësaj ore mësimore ishte që të gjithë si individë, qytetarë dhe shoqëri duhet të jemi të përgjegjshëm në ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të qëndrueshme demokratike. Të mbajmë larg gjuhën e urrejtjes, diskriminimit, paragjykimit dhe presionit dhe të rrisim respektin, tolerancen, bashkëjetesën në çdo kohë.
3 qershor 2022, Tiranë – Drejtuesja e IDMC, Jonila Godole, ishte e ftuar në "New York Schools" për të prezantuar për nxënës dhe mësues të shkollës botimin më të fundit të IDMC në bashkëpunim me PEMC "Të mos harrojmë II".
Pas prezantimit të historive jetësore të përfshira në libër, Dr. Godole së bashku me nxënësit dhe mësuesit diskutuan për pasojat e të kaluarës komuniste në shoqërinë shqiptare, mbi format e ndryshme të propagandës dhe represionit, por edhe për fenomenet aktuale.
Në përfundim të aktivitetit, drejtuesja e "New York Schools", Lidra Meidani, dha një certifikatë mirënjohje me motivacionin "për kontributin e dhënë të Dr. Godole për edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve mbi forcën buruese të fjalës dhe nxitjes të kulturës historike, si pikëtakimi më domethënës i gjurmimit të vlerave".
Falënderojmë "New York Schools" dhe mësuesen e historisë, Anila Beshaj, për organizimin e aktivitetit.
30 maj 2022, Lezhë – Botimi "Të mos harrojmë" iu prezantua nxënësve dhe mësuesve në gjimnazin "Hydajet Lezha" në qytetin e Lezhës.
Mësuesit shprehën domosdoshmërinë dhe nevojën për të shfrytëzuar burime të ndryshme historike në orën e mësimit, me qëllim rritjen e bashkëveprimit mes nxënesve dhe edukimin të tyre historik.
Ndërsa nxënësit diskutuan për përjetimet nga leximi i librit "Të mos harrojmë" dhe për interesin për të mësuar të shkuarën përmes historive të nga jeta e atyre që e kanë ndjerë në shpirt peshën e regjimit diktatorial.
Kryetarja e Shoqatës së Mësuesve të Historisë znj. Vojsava Kumbulla theksoi se e shkuara duhet të shërbejë për të kuptuar të tashmen dhe për të ndërtuar më mirë të ardhmen.
Ky takim nuk do te ishte i mundur pa mbështetjen e koordinatores së rrjetit të Historisë, mësuese Valeria Laleci nga Shkolla e Mesme e Bashkuar Balldren, mësuese Liza Ndreca, drejtuese e ekipit lëndor në gjimnazin "Hydajet Lezha" dhe drejtorisë të këtij gjimnazi.
22 maj 2022, Spaç – Për 49-vjetorin e Revoltës së Spaçit, në burgun e Spaçit u organizua një ceremoni përkujtimore me pjesëmarrjen e disa prej aktorëve kryesorë të fushës së kujtesës në vend.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Jonila Godole shprehu keqardhjen se pavarësisht se Spaçi është kthyer në një vend pelegrinazhi për vizitat studimore të IDMC me të rinjtë ndër vite, ende nuk është shndërruar në një muze kombëtar. Gjithashtu Dr. Godole propozoi që vitin e ardhshëm në 50-vjetorin e Revoltës të Spaçit, 21 Maji të jetë kthyer në një ditë përkujtimore kombëtare.
Pjesë e ceremonisë përkujtimore, me fjalën e tyre përshëndetëse ishin edhe mësuesja nga Rrësheni, Tone Laska dhe nxënës nga gjimnazi i Rrëshenit, të cilët patën mundësi të kryenin një vizitë studimore në burgun e Spaçit dhe të paraqisnin punimet e tyre të zhvilluara gjatë orës të mësimit.
Belsh
Tiranë
Elbasan
Elbasan
Shkodër
Shkodër
Tiranë
Tiranë
Lezhë
Spaç
2022