Workshop

Raportimi mbi dosjet e sigurimit dhe
kËrkimi nË arkiva

 

13‒14 SHTATOR 2018, TIRANË

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në bashkëpunim me fondacionin gjerman "Konrad Adenauer", Prezencën e OSBE në Shqipëri, Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Fondacionin Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore hapin thirrjen për aplikime për workshop-in "Raportimi mbi dosjet e ish-Sigurimit dhe kërkimi në arkiva" që do të organizohet në datat 13–14 shtator 2018.

Që pas rënies së sistemit e deri më sot çështja e dosjeve të Sigurimit është përdorur gjithmonë politikisht dhe ende nuk ka një proces të hapur për publikun edhe pse ligji dhe Autoriteti i Dosjeve janë vënë në punë prej dy vitesh. Ky workshop synon të trajnojë gazetarët dhe studentët e interesuar se si të lexojnë këto dosje apo dhe materialet arkivore në përgjithësi. Si të raportojnë mbi to, si t'i kontekstualizojnë ato dhe në cilat burime të mbështeten. Në këtë mënyrë synohet të nxitet raportimi mbi të shkuarën, gjithmonë duke iu referuar arkivave.

Fakti që 27 vite pas ndryshimit të sistemit nuk punohet në mënyrë të thelluar në lidhje me zbardhjen dhe raportimin mbi dokumentet shtetërore të mbajtura nga diktatura komuniste e bën tejet të domosdoshëm një proces të tillë trajnues.

Trajnimi do të funksionojë në formën e dy workshop-eve të ndara. Kushdo që është i interesuar mund ta ndjekë trajnimin të dyja ditët ose edhe vetëm njërën ditë.

Dita e parë e workshop-it do të ofrojë trajnim mbi raportimin në dosjet e ish-Sigurimit dhe sugjerohet veçanërisht për gazetarët dhe studentët e gazetarisë, kjo pasi media konsiderohet si kanali kryesor i procesit të reflektimit dhe përballjes me të shkuarën.

Përvoja e ish-vendeve të tjera komuniste, si Çekia, Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Gjermania, na tregon për shembuj mjaft pozitivë. Në këto vende dosjet e shërbimeve sekrete u hapën në fillim të viteve '90.

Dita e dytë do t'i kushtohet trajnimit mbi dosjet në arkiva dhe sugjerohet edhe për studentët e çdo fushe tjetër, por që kanë një interes të veçantë në kërkimin në arkiva.

IDMC konsideron shumë të rëndësishëm informacionin që gjendet në arkivat e shtetit shqiptar sepse ashtu sikurse shprehet edhe historiani Klaus Gestwa, "vetëm përmes vizitës në një arkiv, mund të vëzhgojmë nga afër gjëra të rëndësishme që mprehin vështrimin tonë mbi ndryshimet me rëndësi mes teorisë dhe praktikës." Gjithashtu është shumë e rëndësishme që t'i lexojmë dokumentet arkivore në mënyrë që t'ju japim mundësinë të flasin.

Pjesëmarrësit do të trajnohen nga ekspertë, specialistë të huaj në fushën e kujtesës pranë Fondacionit Federal për Studimin e Krimeve të Diktaturës Komuniste në Gjermaninë Lindore.

Kriteret për përzgjedhjen e pjesëmarrësve:

  • Gazetarë që kanë përvojë pune
  • Studentë të nivelit master ose në vitin e fundit të Bachelor
  • Të rinj të tjerë të interesuar në kërkimin në arkiva
  • Njohuri të gjuhës angleze
  • Gatishmëri për ta ndjekur trajnimin të plotë
  • Gatishmëri për pjesëmarrje aktive në diskutim


Të interesuarit, në varësi të workshop-it që duan të ndjekin, duhet të dërgojnë CV dhe një letër të shkurtër motivimi në office@idmc.al me subjektin "Raportimi mbi dosjet e Sigurimit", "Raportimi në arkiva" ose "Raportimi mbi dosjet e Sigurimit dhe në Arkiva".

Afati i aplikimeve: 25 gusht 2018

  • Trajnimi ofrohet në gjuhën angleze me përkthim simultan në gjuhën shqipe
  • Trajnimi ofrohet pa pagesë
  • Pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë

 

Më poshtë gjeni një përmbledhje të workshop-it të vitit të kaluar:

⇒ "Raportimi mbi dosjet e sigurimit", 2017

Afati i aplikimeve: 25 gusht 2018

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube