Rezoluta e re e Parlamentit Europian
"Mbi Rëndësinë e një Kujtese të Përbashkët Europiane"

Tiranë, 25 shtator 2019 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) përshëndet Rezolutën e re të Parlamentit Europian mbi Rëndësinë e një Kujtese të Përbashkët Europiane, e cila u votua më 19 shtator 2019 me 535 vota pro, 66 kundër dhe 52 abstenime.

Nuk mund të ketë pajtim dhe paqe pa kujtesë historike, prandaj Parlamenti Europian sugjeron të thellohet puna në fushën e edukimit dhe ndërgjegjësimit të brezit të ri, në rishikimin e kurikulave shkollore përmes analizës së shkaqeve dhe pasojave që sollën regjimet diktatoriale, në nderimin e viktimave dhe mbi të gjitha në transparencën mbi krimet ndaj njerëzimit kryer nga regjimet naziste, fashiste, komuniste dhe sisteme të tjera diktatoriale. Në dallim nga rezolutat e tjera, rezoluta e këtij viti thekson rëndësinë imediate për t'u ballafaquar me krimet e regjimeve staliniste dhe diktaturave të tjera, meqenëse ato nuk janë dënuar si krimet e nazizmit përmes proceseve gjyqësore të Nurembergut.

Mosdënimi i krimeve të regjimit komunist vazhdon të mbetet një plagë e rëndë për shoqërinë shqiptare edhe 27 vjet pas rënies së regjimit sepse nuk ka vendosur në vend dinjitetin e viktimave dhe shoqëria shqiptare nuk e ka bërë ende një distancim thelbësor nga regjimi stalinist që u instalua në Shqipëri pas 29 nëntorit 1944 deri te zgjedhjet e para pluraliste në mars 1992.

IDMC i kërkon qeverisë shqiptare ta mirëpres dhe ta miratojë këtë Rezolutë dhe së bashku me të gjithë aktorët, grupet e interesit nga politika, shoqatat e të përndjekurve, shoqëria civile, institucionet publike dhe ato ndërkombëtare të shohin mënyrat dhe mjetet efikase për ta zbatuar atë në mënyrë që shoqëria shqiptare të ndërtojë të ardhmen në një frymë paqeje dhe pajtimi.

Ne mirëpresim gjithashtu vlerësimin që kjo rezolutë dhe Parlamenti Europian i bën në mënyrë të veçantë angazhimit të Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, ku IDMC aderon prej vitesh, dhe shpreson që aktivitetet e saj të vazhdojnë të ofrojnë një kontribut të vyer ndaj kujtesës historike europiane.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube