Tchange

programi "Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë"

#tërinjtë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Thirrje për pjesëmarrje në projektin "Tchange"

 

Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në kuadër të programit "Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë", hap thirrjet për aplikime për të rinj nga mosha 15–25 vjeç, të cilët dëshirojnë të bëhen pjesë e projektit "Tchange".

 

Nëse dëshironi të bëheni zëri i të rinjve të Tiranës, keni ambicie të trajnoheni dhe të mësoni në një mjedis ndërkombëtar, keni ide dhe po kërkoni një vend ku t'ju dëgjojnë, ky projekt është për ju!

 

Tani është e mundur që TË SJELLËSH NDRYSHIMIN përmes projektit TCHANGE!

 

APLIKONI

Afati përfundimtar është 26 qershor 2022.

 

* Granti financohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana European Youth Capital 2022, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës.

  • PËrshkrimi i projektit

    Bashkimi Europian (BE) është mbi të gjitha një bashkësi vlerash, si respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, liria, demokracia, barazia dhe shteti i së drejtës. Këto vlera i bashkojnë të gjitha shtetet anëtare dhe janë kusht jo vetëm për zgjerimin e BE-së, por edhe për ruajtjen dhe garantimin e paqes në kontinent. Shqipëria aspiron prej vitesh anëtarësimin në BE, prandaj është imediate që qytetarët dhe veçanërisht të rinjtë të punojnë së bashku për një shoqëri që ka në thelbin e vet vlerat Europiane; për një shoqëri ku mbizotëron pluralizmi, toleranca, solidariteti apo barazia gjinore, dhe për t'u ndjerë qytetarë të Europës (P8).

    Nga ana tjetër, vendi ynë aktualisht përballet me fenomenin e ‘rrjedhjes së trurit', papunësinë, cenimin e demokracisë, mungesën e medieve të pavarura dhe objektive e deri në raste të shkeljes së të drejtave të njeriut, probleme këto që mund të zgjidhen vetëm përmes pjesëmarrjes aktive të të rinjve, si pjesë e shoqërisë civile, si aktivistë apo pjesëtarë në grupe presioni për pushtetin lokal dhe qendror (P4).

     

    Strategjia e BE-së për Rininë përqendrohet në tri fusha thelbësore veprimi: Angazho, Bashko, Fuqizo.

     

    Përmes këtij projekti, IDMC synon të nxisë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike;gjithashtu mbështet angazhimin shoqëror dhe qytetar duke fuqizuar të rinjtë dhe duke u krijuar atyre hapësirën e nevojshme për të qenë aktivë në kauzat e tyre.

    Objektivat specifike të projektit janë:

     

    1. Lidhja e Rinisë me BE-në – Përtej klishesë, rinia është e ardhmja e një vendi. Prandaj, edukimi i saj me vlera demokratike që janë thelbi i identitetit europian, do e ndihmonte dhe përshpejtonte integrimin e vendit në BE;
    2. Shoqëritë gjithëpërfshirëse, hapësirë dhe pjesëmarrje për të gjithë – Nxitja e të rinjve dhe krijimi i hapësirave të nevojshme për t'u përfshirë në proceset e planifikimit, vendimmarrjes, aktivizimit në politikëbërje;
    3. Informacion dhe Dialog Konstruktiv – Informimi dhe edukimi i të rinjve mbi demokracinë, lirinë dhe nxitjen e dialogut midis hallkave të ndryshme të shoqërisë, si dhe midis të rinjve nga vende të ndryshme të Europës;
    4. Kujtesa si Mision – Promovimi i rëndësisë së kujtesës kolektive dhe ballafaqimit me të shkuarën, prezantimi i fakteve historike dhe nxitja e mendimit kritik rreth mënyrës se si mund të përdoren sot, mësimet që na vijnë nga e shkuara, vizitat në vendet e vuajtjes dhe të kujtesës;
    5. Promovim i vullnetarizmit – Vullnetarizmi ndihmon brezin e ri të fitojë aftësi të reja si lidershipi, aftësitë e komunikimit, besueshmëria, menaxhimi i kohës dhe vendimmarrja.

     

    Projekti pritet të realizohet përmes angazhimit, mbështetjes dhe motivimit të brezit të ri, pjesëmarrjes qytetare, shkëmbimit kulturor dhe promovimit të diversitetit, reflektimit mbi të shkuarën etj.

    IDMC është një organizatë e pavarur, e cila ka në mision të saj studimin, kuptimin dhe promovimin e vlerave demokratike. Këtë mision IDMC merr përsipër ta kryejë përmes përfshirjes qytetare, veçanërisht të brezit të ri. IDMC synon të promovojë vlerat demokratike duke shërbyer si think tank, duke inkurajuar sondimin e opinionit publik për çështje të ndryshme të politikëbërjes në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Përmes mbështetjes dhe motivimit të brezit të ri drejt formave të reja të pjesëmarrjes politike, duke përdorur teknologjinë, mediet e reja (Fluid Democracy) në shërbim të riforcimit të demokracisë në shek. XXI. IDMC mbështet artin dhe kulturën, si dhe shkëmbimet kulturore në të gjitha fushat përmes promovimit të diversitetit kulturor dhe tolerancës, duke mundësuar një pikëtakim të kulturave të ndryshme në shkallë lokale dhe ndërkombëtare (cross-border). Për më shumë informacion mbi punën tonë, ju ftojmë të lexoni: www.idmc.al

  • GRUPI I INTERESIT DHE ZHVILLIMI i projektit

    IDMC targeton brezin e ri, të rinjtë, të cilët përmes këtij projekti mund të informohen, mësojnë të zhvillojnë kapacitetet kreative dhe të menduarit kritik, ndërkohë që japin një kontribut konkret në shoqëri. Duke u ndjerë të angazhuar, të dëgjuar dhe të vlerësuar, mendojmë që rinia shqiptare do gjejë një dritare të re në Tiranë dhe do shikojë më pak alternativën e emigrimit dhe braktisjes nga vendi. Vullnetarizmi gjithashtu do të shërbejë për ndërtimin e kapaciteteve të reja për të rinjtë, që u shërbejnë për tregun e punës.

    Rezultati final i projektit pritet të jetë një Rezolutë e hartuar nga të rinjtë shqiptarë, pas përvojës që do të marrin duke njohur modele të ndryshme nga shkëmbimi kulturor me moshatarët e tyre në kuadër të këtij projekti. Rezoluta me rekomandimet që të rinjtë do hartojnë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme të qytetit dhe komunitetit ku jetojnë, do bëhet publike dhe do të dorëzohet ndër të tjera në Këshillin Bashkiak të Tiranës, i cili të mund ta marrë parasysh atë në hartimin e planit të vitit të ardhshëm.

    Përmes këtij projekti pritet të përfitojnë në mënyrë indirekte qytetarët e kryeqytetit, nëse Bashkia Tiranë vendos të hartojë dhe zbatojë politika të reja, më gjithëpërfshirëse, të dala nga eksperienca e Tchange.

    Vetë qyteti bëhet si pikë takimi për 45 të rinj nga e gjithë bota, duke promovuar jetën në Tiranë, spotet turistike dhe kulturore që ndikon në mënyrë indirekte në përmirësimin e imazhit të qytetit dhe vendit, por edhe të zhvillimin e turizmit në të ardhmen.

    Nga ana tjetër, të rinjtë ndërkombëtarë që do të vijnë në Tiranë në konferencën e hartimit të rezolutës, fitojnë një eksperiencë të re, sfidojnë veten dhe mund të marrin shembull praktika shqiptare të punës me të rinjtë, të cilat mund t'i implementojnë më vonë në shtetet e tyre.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2022 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Facebook IDMC në Twitter IDMC në Twitter IDMC në YouTube