Të jetosh ndërmjet kulturave
Shkolla verore


 

 

  •  

    2–6 shtator 2019 – Në datën 02.09.2019 filloi aktivitetin shkolla verore "Të jetosh ndërmjet kulturave" e iniciuar nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, dhe e vendosur me qendër në Voskopojë. Në këtë shkollë morën pjesë 21 studentë të Universitetit "Fan S. Noli" Korçë, pesë ekspertë (Jonila Godole, Fatmiroshe Xhemalaj, Edlira Agolli, Eriseld Kalemaj, Maria Dojçe) të cilët zhvilluan kompetencat teorike dhe praktike mbi çështje studimi të parashikuara në këtë projekt.

    Vlen për tu theksuar se dy ditët e para aktiviteti u ndoq nga Drejtori i Fondacionit Gjerman "Konrad Adenauer", në Shqipëri, Dr. Tobbias Ruttershoff, i cili inkurajoi të rinjtë të njohin më tepër historinë e shkuar të vendit të tyre.

    Në ditën e parë studentët u njohën me misionin e IDMC, qëllimet dhe objektivat e shkollës verore, zhvilluan katër orë të hapura (leksione) sipas tematikave të programit, më pas studentët u ndanë në grupe pune ku çdo grup përcaktoi rolin e secilit anëtar në këtë studim, çdo grup pati një mentor.

    Në ditën e dytë studentët së bashku me mentorët, zhvilluan intervista në terren, përkatësisht, grupi i parë dhe grupi i tretë me mentor (Matilda Karçanaj, Maria Dojçe) zhvilluan katër intervista në fshatin Pustec, ndërsa grupi i dytë dhe i katërt me mentor (Eriseld Kalemaj, Fatmiroshe Xhemalaj) zhvilluan tri intervista në fshatin Gollomboc. Gjatë zhvillimit të intervistave studentët u njohën nga afër me problematika dhe përparësi të minoritetit maqedonas në Republikën e Shqipërisë. Ata u njohën me aspekte të bashkëjetesës sociokulturore, socioekonomike, sociopolitike dhe me parimet e të drejtave të njeriut konkretizuar në këtë komunitet.

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

     

    Në ditën e tretë studentët vazhduan me punën ekipore në terren duke zhvilluar intervista konkretisht, grupi i parë dhe i tretë zhvilluan intervista në fshatin Bezmisht dhe grupi i dytë dhe i katërt në fshatin Goricë e Vogël, ku u zhvilluan gjashtë intervista.

    Gjatë ditës së katërt të shkollës verore studentët punuan në zonën e Prespës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku përveç njohjes krahasimore të realitetit jetësor ndërmjet zonave që banojnë në kufi, studentët u ballafaquan me fakte kontradiktore të cilat kanë bashkekzistuar në të njëjtat periudha kohore midis banorëve që jetojnë në këtë zonë kufitare.

    Në fund të kësaj shkolle verore studentët diskutuan lidhur me pritshmëritë e tyre ndaj punës në terren, gjetjeve më esenciale të të dhënave si dhe mundësinë e vazhdimësisë së këtij projekti në një fazë të dytë.

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2019 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube