Edicioni IV
#TIRANALEXON SHQIP
17‒19 TETOR 2019, TIRANË
#TIRANALEXON SHQIP
#tiranalexon është një nismë letrare publike, që nisi si një maratonë leximi në kafenetë letrare, shkolla, biblioteka etj., nën organizimin e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, mbështetur nga Ministria e Kulturës.
Në dallim nga edicionet e shkuara, këtë vit, kjo iniciativë vjen nën moton #tiranalexon shqip. Studiuesit, autorët dhe vetë botuesit kanë ngritur kambanat e alarmit për uljen drastike të numrit të atyre që zgjedhin të lexojnë shqip. Pas viteve '90, tirazhet e botimeve shqiptare nuk i kalojnë 500 kopjet, në rastin më të mirë, e letërsia shqipe duket sikur po shkon gjithnjë e më tepër drejt zgripit. Ndaj, me synim ndërgjegjësimin e lexuesve mbi letrat shqipe, ky edicion do të quhet: #tiranalexon shqip.
Është konceptuar si një aktivitet në lëvizje, që do të udhëtojë përgjatë qytetit, për të shkuar tek lexuesit. Takimet do të mbahen tek; Biblioteka "Hamit Beqaj", Salla e bibliotekës, Muzeu Historik Kombëtar, Hemingway Tirana, Libraria Tirana Times. Shtrirja në disa pika të ndryshme e kryesore të qytetit synon ta kthejë #tiranalexon në një ngjarje për kryeqytetasit.
Pjesë e leximeve do të bëhen disa nga autorët bashkëkohorë shqiptarë, si: Agron Tufa, Enkel Demi, Evis Cerga, Lekë Tasi, por edhe studiues e kritikë letrarë. Përballë tyre do të jenë lexuesit, gjimnazistë dhe mësues, anëtarë të klubeve letrare dhe të ftuar të tjerë, të cilët do të diskutojnë mes tyre dhe do të lexojnë fragmente nga krijimtaria dhe autorët e preferuar të letërsisë shqipe.
Përgjatë tri ditëve, në datat 17, 18 dhe 19 tetor 2019, takimet letrare do të mbahen gjatë mbrëmjeve, në harkun kohor 17:00–21:00.
17 tetor 2019
PROGRAMI
17 tetor, Biblioteka "Hamit Beqaj"
17:30–17:40
Fjalët përshëndetëse:
Elva Margariti (Ministre e Kulturës)
Jonila Godole (Drejtore Ekzekutive, IDMC)
17:40–19:00
Lexime dhe diskutime nga lexuesit e bibliotekës, anëtarë të klubit letrar, gjimnazistë dhe studentë.
Të ftuar: Bujar Hudhri (botues) dhe studiues e pedagogë të letërsisë nga Universiteti i Tiranës.
Moderon: Anisa Ymeri (përgjegjëse e bibliotekës, gazetare)
18 tetor, Salla e Bibliotekës, Muzeu Historik Kombëtar
11:00–12:30
Letërsia si vend kujtese
Lexime dhe diskutime: Lekë Tasi (autor)
Moderojnë: Agim Baçi (kritik letrar) dhe Fatmira Nikolli (gazetare)
–
Ish-violonçelist e piktor, biseda me Lekë Tasin do të përqendrohet tek libri i tij "Grabiani rrëzë kodrave", ku artisti përcjell kujtime nga jeta në internim gjatë regjimit komunist. Përmes ditarit të viteve nën shtrëngim ai sjell personazhe e karaktere me të cilët është njohur.
18 tetor, Hemingway Tirana
18:00–19:30
Lexime dhe diskutime: Agron Tufa (autor)
Moderon: Lili Sula (kritike letrare)
–
Agron Tufa është poet, prozator, përkthyes dhe studiues; fitues i disa çmimeve letrare, mes të cilëve "Pena e Argjendtë" për romanin më të mirë ("Fabula Rasa", 2005), Çmimi i Madh Letrar Kombëtar për gjithë veprën letrare (2009), etj. Është përkthyes i disa prej autorëve më të rëndësishëm rusë të shekullit XX. Vepra e tij në prozë e poezi është përkthyer në disa gjuhë të huaja. Libri i tij i fundit "Zonja Asnjeri dhe Zoti Askurrkush", do të jetë në fokus të këtij takimi.
19 tetor, Libraria "Tirana Times"
19:30–20:45
Lexime dhe diskutime: Enkel Demi (autor), Evis Cerga (autore)
Moderon: Edlira Agolli (letrare)
–
Enkel Demi është gazetar, moderator dhe shkrimtar, ndonëse i njohur me një tjetër emër në fushën e letërsisë shqipe. Ai është autor i dy librave të suksesshëm që titullohen "Hide mbi kalldrëm" dhe "Gurët e vetmisë", të cilët u botuan nën pseudonimin Tom Kuka. Në prag të botimit të librit të tij të tretë, që fokusohet po tek Tirana, por në një tjetër periudhë historike, ai do t'u përgjigjet pyetje të lexuesve dhe do të rrëfejë Tiranën e Tom Kukës.
Evis Cerga ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Kajros, në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega Letërsi Angleze. Ka punuar për trembëdhjetë vjet si përkthyese në Përfaqësinë e Përhershme të Zyrës së Bankës Botërore në Tiranë. Që nga viti 2007 është përkthyese në profesion të lirë. Me librin e parë Rruga "Miqësia", ajo i shtohet listës së shkrimtareve femra, me një zë të veçantë dhe origjinal, ku sjell copëza jete, personazhe të Tiranës së sotme dhe të Tiranës së kohës së dikurshme.
Organizatorët:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Ministria e Kulturës
Partnerët:
Biblioteka "Hamit Beqaj"
Hemingway Tirana
Libraria "Tirana Times"
Netët e Letërsisë Austriake
#TiranaLexon Letërsi Austriake
23‒25 MAJ 2018, TIRANË
Më 23–25 maj 2018 u organizua në sallën "Gëte" të Teatrit Eksperimental aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" nga IDMC Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, në bashkëpunim me Ambasadën Austriake dhe me mbështetjen e Raiffeisen Bank,
në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri.
Informacion për aktivitetin:
NAta e parë, 23 MAJ 2018
"Netët e Letërsisë Austriake" vijnë në Tiranë në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri.
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Ambasadën Austriake çelën më 23 maj 2018 siparin e aktiviteteve "Netët e Letërsisë Austriake" nën siglën "Tirana Lexon". Ky aktivitet i cili vjen në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri, përmbylli me sukses natën e tij të parë, mes shumë të rinjsh që mbushën plot sallën "Gëte" të Teatrit Eksperimental "Kujtim Spahivogli". Të ftuar prezentë ishin tre autorët e huaj Andrea Grill, Klemens Renoldner dhe Christina Maria Landerl dhe autori shqiptar Agron Tufa.
Drejtoresha e IDMC-së, Dr. Jonila Godole përshëndeti të pranishmit dhe shpjegoi shkurtimisht qëllimin e këtij aktiviteti, duke ngritur shumë pikëpyetje rreth asaj çfarë vlen të diskutohet sot me të rinjtë, krizës së letërsisë, faktorëve të transformimit të saj ndër vite, ndikimit të lëvizjes së autorëve në vende të ndryshme tek letërsia e tyre, tek ajo që ata sjellin përpara publikut.
I pranishëm në hapjen e këtij aktiviteti ishte ambasadori austriak në vendin tonë Z. Johann Sattler i cili mbajti në fillim një fjalim përshëndetës për të pranishmit, dhe ndër të tjera vuri theksin në sinergjinë e krijuar nga shkëmbimi i këndvështrimeve të autorëve austriakë dhe autorëve e përkthyesve shqiptarë si dhe falënderoi të gjithë ata që mundësuan këtë aktivitet.
Në fjalën e tij shkrimtari Agron Tufa u shpreh se sot përpiqet të bëhet një letërsi e njeriut nga strukturat totalitare. "Shkrimtari shqiptar është shumë kokëfortë dhe i lidhur fort me rrënjët, qoftë edhe kur eksperimenton me fjalë, dhe nëse ka diçka që e bën të ngjashëm me shkrimtarët e popujve të tjerë, ai është një repertor ëndrrash kolektive", shtoi ai.
Autorja Andrea Grill e vuri theksin tek lexuesi i saj për të cilin mendon gjithmonë kur shkruan. "Kur shkruaj, mendoj për një tip publiku të cilit dua t'i drejtohem sepse nuk mund të mendoj për të gjithë", tha ajo. Grill shtoi ndër të tjera se teknologjia do ta ndryshojë letërsinë e këtij fundshekulli, ashtu siç po ndryshon gjithçka tjetër në sfera të ndryshme.
Në pjesën e dytë të aktivitetit autori Klemens Renoldner lexoi për të rinjtë pjesëmarrës një fragment nga libri i tij më i ri që pritet të publikohet në 2019-ën, romani "Kepi i Shpresës së Mirë", në të cilin rrëfehen kujtimet e një fëmije për gjyshin e tij, flitet për edukatën dhe moralin e dy poleve, po-ja dhe jo-ja, toleranca dhe autoriteti etj.
NAta e DYTë, 24 MAJ 2018
Përfundon nata e dytë e e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake".
Nën "magjinë" e librit, në sallën e teatrit të mbushur plot me të rinj u përmbyll edhe nata e dytë e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake", me kujdesin e IDMC-së dhe Ambasadës Austriake.
Autorja austriake Andrea Grill erdhi "më shqiptare" se vetë shqiptarët duke përcjellë përpara të pranishmëve pjesë nga vepra e saj. Me moderimin e shkrimtarit të njohur Lazër Stani, autorja Grill tregoi përpara publikut për ndikimin që ka pasur kontakti i saj me Shqipërinë, me shkrimtarët tanë, në krijimtarinë e saj artistike brenda dhe jashtë vendit. Andrea, përkthyese dhe promovuese e kulturës shqiptare në Austri, tregoi mbështetjen që kishte marrë nga ata, të cilët ndër të tjera e kishin ndihmuar për të njohur gjuhën shqipe, të cilën ajo e flet mjaft mirë, madje është edhe përkthyese e disa materialeve në disa vepra shqiptare.
Andrea lexoi për të pranishmit edhe një pjesë të tregimit të saj "Daja i verdhun", një tregim që bazohej në një histori të vërtetë e mjaft frymëzuese. Diskutimi me autoren Grill u bë edhe më i gjallë, dhe interaktiv nga pyetjet e shumta të të rinjve në sallë, dhe sigurisht edhe përgjigjeve e saj tejet interesante, dhe jo pa humor.
E veçanta e natës së sotme ishte "Kuarteti i Leximit", atë që ideatorja Jonila Godole e kishte konceptuar si një tavolinë rrumbullake ku në të u ulën 4 autorë, kritikë të njohur në vendin tonë, të cilët i paraqitën publikut 4 autorë austriakë me veprat e tyre përkatëse të botuara në gjuhën shqipe, si Elfride Jelinek (Dashnoret), Rainer M. Rilke (Elegji Duine), Stefan Zweig (Bukinisti Mendel), Andrea Grill (Qaj e Qesh). Të katër autorët, Jonila Godole, Agim Baçi, Alda Bardhyli dhe Lili Sula njihnin mirë veprat e përzgjedhura dhe shkëmbyen këndvështrimet e tyre, shpesh të kundërta, mbi këto vepra të letërsisë bashkëkohore që janë sa të ngjashme, aq edhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Me anë të diskutimit ata sollën historitë e autorëve që i kanë shkruar, kohës kur janë shkruar, fabulës së tyre, mesazheve të dukshme dhe ato të nënkuptuara, dhe ndikimit të tyre si tek vetë ata, ashtu edhe tek publiku. Jo pa shkas secila vepër ishte e ndryshme nga njëra-tjetra duke sjellë kështu për publikun edhe libër më poezi, edhe prozë, edhe tregime, edhe roman...
Ky format diskutimi në këtë formë interesante dhe mjaft tërheqëse për publikun, vjen për herë të parë në aktivitete të tilla letrare, ku libri është "mishi dhe shpirti i tij".
Aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" do të zhvillohet sërish sot për publikun dashamirës të librit, në natën e tij të tretë përmbyllëse, 25 maj, por jo më të parëndësishme. Përpara të rinjve do të jetë autorja e njohur austriake Christina Maria Landerl e cila do të ndajë me publikun pjesa nga vepra e saj, dhe më pas nën moderimin e Drejtorit të "Qendrës Stefan Zweig", Klemens Renoldner do të flitet gjerësisht për shkrimtarin, dramaturgun, gazetarin dhe biografistin e shquar, Stefan Zweig, veprën dhe krijimtarinë e tij të gjerë e cila ka lënë jo pak gjurmë në letërsinë botërore.
NAta e TRETë, 25 MAJ 2018
Mbyllet me sukses aktiviteti "Netët e Letërsisë Austriake" 2018.
Përfundon nata e tretë dhe e fundit e aktivitetit "Netët e Letërsisë Austriake", me kujdesin e veçantë të IDMC-së dhe Ambasadës Austriake. Të rinjtë studentë mbushën edhe mbrëmjen e 25 majit sallën e Teatrit duke treguar interes të veçantë për veprat e njohura të letërsisë bashkëkohore.
Pjesa e parë e aktivitetit iu dedikua autores mysafire në këtë aktivitet, Christina Maria Landerl, e cila ndau me publikun momente të jetës dhe veprës së saj. Landerl e cila vonë i ishte futur botës së letërsisë, të shkruarit, tregoi në një bashkëbisedim me përkthyesen Edlira Agolli se ky pasion i saj i madh vinte si frymëzim nga vendi i saj i lindjes Austria, nga historitë apo ndodhitë e përditshme aty, ndaj jo më kot një prej tregimeve me titull "Braktisni Qytetin" i dedikohej pikërisht asaj. Me tregime të shkurtra, një gjuhë të thjeshtë dhe lineare, të shkruar në vetën e parë dhe të tretë, Landerl kënaq gjithmonë publikun e saj. Ajo lexoi për publikun në sallë disa fragmente nga vepra e saj, të cilat ngjallën jo pak kureshtje nga të rinjtë pjesëmarrës të cilët i drejtuan asaj disa pyetje.
Ndërsa pjesa e dytë iu dedikua dramaturgut dhe gazetarit të njohur Stefan Zweig. Një panoramë të gjithë jetës së tij, krijimtarisë, mesazheve që përçon, ndikimit të tij nga autorë të tjerë, përhapja e ideve të tij për filozofinë e jetës, marrëdhënieve shoqërore apo rolit të letërsisë në shoqëri u përcollën nga Drejtori i "Qendrës Stefan Zweig" në Salzburg, Z. Klemens Renoldner, nën moderimin e autorit dhe kritikut shqiptar Agim Baçi.
Pyetje të shumta zbuluan mbi të gjitha karakterin e krijimtarisë së vetë Zweig-ut, i cili me veprat e tij, duke filluar nga novelat e famshme e deri tek letrat apo dorëshkrimet e tij ka pushtuar botën. Gjatë diskutimit, ndër të tjera u theksua se Franca është vendi ku Zweig është botuar më shumë, por nuk u la pa përmendur fakti se edhe në vendin tonë librat e tij janë përkthyer herët duke zënë kështu vend edhe në bibliotekat tona.
Rikujtojmë që "Netët e Letërsisë Austriake" treguan edhe njëherë këtë vit kujdesin e veçantë ndaj veprave të njohura të letërsisë botërore, duke i sjellë ato në vëmëndjen e publikut. Me mesazhin se libri kur kalon kufijtë merr shumë me vete dhe i përjetëson ato në realitetin ku ndodhet u përmbyll ky aktivitet që vinte në kuadër të vitit kulturor Austri–Shqipëri.
Programi:
NATA 1
NATA 2
NATA 3
Vendi: Salla Gëte, Teatri Eksperimental "Kujtim Spahivogli", Tiranë
18:00 – 18:15
Fjalët përshëndetëse
Dr. Jonila Godole, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC)
Dr. Johann Sattler, Ambasador i Austrisë në Tiranë
18:15 – 19:00
Letërsia austriake në ditët e sotme
Forum me autorë austriakë e shqiptarë:
Klemens Renoldner, Andrea Grill, Christina Maria Landerl, Jonila Godole, Agron Tufa
19:15 – 20:00
Lexim dhe bisedë me autorin Klemens Renoldner
Moderator:
Marsela Lika
E mërkurë, 23 maj
Vendi: Salla Gëte, Teatri Eksperimental "Kujtim Spahivogli", Tiranë
18:00 – 18:45
Lexim dhe bisedë me autoren Andrea Grill
Moderator:
Lazër Stani
19:00 – 20:00
Kuarteti Letrar: #TiranaLexon Letërsi Austriake!
Prezantim dhe diskutim mbi katër libra të letërsisë austriake nga:
Agim Baçi (Stefan Zweig – Bukinisti Mendel), Jonila Godole (Rainer Maria Rilke – Elegji Duine), Alda Bardhyli (Elfride Jelinek – Dashnoret), Lili Sula (Andrea Grill - Qaj e Qesh)
E enjte, 24 maj
Vendi: Salla Gëte, Teatri Eksperimental "Kujtim Spahivogli", Tiranë
18:00 – 18:45
Lexim dhe bisedë me autoren Christina Maria Landerl
Moderator:
Edlira Agolli
19:00 – 20:00
Stefan Zweig në peizazhin shqiptar të leximit
Klemens Renoldner, Drejtor i "Qendrës Stefan Zweig" në Salzburg diskuton me autorin dhe kritikun letrar shqiptar Agim Baçi
20:00
Koktej te holli i teatrit
E premte, 25 maj
Organizator:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Partnerë:
Ambasada Austriake
Raiffeisen Bank
Edicioni II
TIRANA LEXON
29‒30 SHTATOR 2016, TIRANË
<
>
29–30 shtator 2016, Tiranë – Tirana lexon 2016 erdhi si maratonë leximi për herë të dytë në kryeqytet në kuadrin e TILF (Tirana Literature Festival) dhe u organizua nga IDMC (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë) me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Konrad Adenauer. Aktiviteti çeli siparin më datë 29 shtator me aktivitetin "Letërsia si vend kujtese", duke i paraprirë leximeve me gazetarë e shkrimtarë në Ditën Botërore të Përkthimit më 30 shtator.
Për dy ditë me radhë, Tirana lexon 2016 mblodhi në disa skena kulturore dashamirës të librit dhe shkrimtarë e përkthyes të njohur shqiptarë, të cilët lexuan nga librat e tyre të preferuar dhe përcollën emocionet e procesit të të shkruarit. Për ta bërë sa më të aksesueshëm nga publiku i gjerë, leximet u zhvilluan në ambiente publike si "Galeria Zenit" "Qendra Rinore e Tiranës", "Friend's Book House", "Hemingway", "E për7shme" dhe "Biblioteka Kombëtare".
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ishte i pari që hapi serinë e leximeve, me një pjesë nga romani "Kronikë në gur" i Ismail Kadaresë. Arta Marku zgjodhi të lexonte pjesë nga "Zjarret e vjeshtës", të shkrimtares Irene Nemirovsky. Ben Andoni zgjodhi pjesë nga libri në shqip i shkrimtarit të njohur grek Niko Kazanzaqi, ndërsa Alda Bardhyli pjesë nga romani i shkrimtarit Veton Surroi, "Përcaktimi i dashurisë së Marie Gjonit". Alfred Lela zgjodhi poezi spanjolle nën përkthimin e Aurel Plasarit.
Përgjatë dy ditëve, të gjithë të ftuarit e tjerë dhe të rinjtë e pranishëm lexuan pasazhe nga më të ndryshmet. Në kuadër të Letërsia si vend kujtese, Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Tiranës organizoi takimin "Lexojmë Kasëm Trebeshinën", me pjesëmarrëse Anila Mullahin dhe moderatore Lili Sulan. Të pranishmit Ylljet Aliçka dhe Vera Bekteshi diskuan për "Letërsinë si vend kujtese" dhe lexuan pjesë që dëshmonin për periudhën e diktaturës në Shqipëri. E pranishme në këtë takim ishte edhe ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.
Në ditën e dytë, në këtë maratonë leximesh u shkëmbyen mendime mbi librin dixhital, përmes një diskutimi të moderuar nga gazetarët Beti Njuma dhe Agim Baçi, të cilëve iu bashkuan dhe ideatorja e VolumiAudioLibra.com, Violeta Volumi, dhe drejtuesi i faqes bukinist.al, Albert Gjoka. Në Tirana lexon 2016 nuk munguan as orët kushtuar Ditës Botërore të Përkthimit, nën diskutimin e Diana Kastratit dhe Edmond Tupjas. Leximeve iu bashkuan edhe dy moderatorët e njohur të "Top Channel", Eno Popi dhe Isli Islami. Shtëpia botuese "Saras" u bë pjesë e Tirana lexon me prezantimin e romanit më të ri të Mustafa Nanos. Përpara të rinjve, z. Nano lexoi një pasazh nga libri dhe iu bashkua një bisede mbi raportin e tij të hershëm me letërsinë dhe të shkruarit.
IDMC shpreh mirënjohje ndaj të gjithë atyre që morën pjesë në këtë aktivitet, veçanërisht:
Mirela Kumbaro, Erion Veliaj, Alfred Lela, Arta Marku, Alda Bardhyli, Ben Andoni, Ylljet Aliçka, Vera Bekteshi, Krenar Zejno, Beti Njuma, Agim Baçi, Blendi Salaj, Violeta Volumi, Albert Gjoka, Mustafa Nano, Eno Popi, Isli Islami, Edmond Tupja, Diana Kastrati, Redjan Mulla, Eljan Tanini, Elona Çuliq, Lisiana Demiraj, Arti Lushi dhe Gerhard Pregapuca.
PROGRAMI:
DITA 1
DITA 2
9:00 – 10:00
Ceremonia e hapjes – Diskutim dhe lexime
Vendi: Galeria "Zenit"
LIBRA PA BESTSELLER-APPEAL (S)KANË SHANS?!
Erion Veliaj, Kryetar i Bashkisë së Tiranës
Arta Marku, TVSH
Alda Bardhyli, Gazeta Shqip
Ben Andoni, Gazeta Shqiptare
Alfred Lela (Moderator), Gazeta Mapo
LETËRSIA SI VEND KUJTESE
PJESA I: LETËRSI E NDALUAR – TIRANA LEXON KASËM TREBESHINËN
10:00 – 12:30
Diskutime në panel
Fjalë përshëndetëse
Dr. Jonila Godole, IDMC
Prof. As. Lili Sula, Departmenti i Letërsisë, UT
VENDI I KASËM TREBESHINËS NË LETËRSINË SHQIPTARE
Dr. Anila Mullahi, Departamenti i Letërsisë, UT
Prof. As. Lili Sula, Departamenti i Letërsisë, UT
12:30 – 14:00
Drekë dhe shkëmbim idesh
14:00 – 16:30
Workshop me studentët e letërsisë
LETËRSIA DISIDENTE NË MEDIAN SHQIPTARE PARA DHE PAS VITEVE '90
Moderator: Saimir Muzhaka, Gazetar, Shkrimtar
PJESA II: LETËRSIA SI VEND KUJTESE
18:00 – 20:30
Diskutime dhe lexime
Fjalë përshëndetëse
Dr. Jonila Godole, IDMC
Prof. Mirela Kumbaro Furxhi, Ministre e Kulturës
AUTOBIOGRAFITË SI BURIM PËR TË NJOHUR DHE KUPTUAR TË SHKUARËN
Vera Bekteshi, Shkrimtare (ish-e persekutuar)
Maks Velo, Shkrimtar (ish-i persekutuar)
Ylljet Aliçka, Shkrimtar dhe regjisor
Moderatorë: Dr. Jonila Godole & Krenar Zejno, Shkrimtar, Përkthyes
20:30
Darkë
E enjte, 29 shtator
9:30 – 10:30
Diskutim në panel dhe lexime
Vendi: Qendra Rinore Tiranë
HOW MY READING CHANGED OVER TIME – E-BOOKS
Beti Njuma, Top Channel TV, bashkideatore e rubrikës në Facebook "Mbi libra"
Violeta Volumi, ideatore e volumiaudiolibra.com, ku librat dëgjohen dhe nuk lexohen
Albert Gjoka, platforma e librit online bukinist.al
Agim Baçi (Moderator), kritik letrar
Lexime nga panelistët dhe të ftuarit
12:00 – 13:00
Lexime publike
Vendi: "Friend's Book House"
I ftuar special:
Mustafa Nano, i cili do të lexojë pjesë nga libri i tij. Pjesëmarrësit lexojnë pjesë të zgjedhura nga vetë ata.
Alda Bardhyli (Moderatore), revista letrare "Saras"
16:00 – 17:00
Lexime publike
Vendi: "Hemingway"
Të ftuar specialë, shkrimtarë të rinj:
Elona Çuliq, Arti Lushi, Gerhard Pregapuca, Lisiana F. Demiraj do të lexojnë pjesë nga librat e tyre. Pas tyre, pjesëmarrësit do të lexojnë pjesë të zgjedhura.
Eljan Tanini (Moderator), gazetar, autor
17:30 – 18:30
Lexime publike
Vendi: "E për7shme"
Të ftuar specialë:
Eno Popi dhe Isli Islami (gazetarë në Top Channel TV) do të lexojnë bashkë me të pranishmit.
19:00 – 10:30
Diskutim në panel dhe lexime
Vendi: Biblioteka Kombëtare
NO JOKE! HUMORI NË LETËRSINË E PËRKTHYER
30 Shtatori njihet si Dita Ndërkombëtare e Përkthimit - Data e vdekjes së Shën Jeronimit, i cili përktheu Biblën në gjuhën latine. Përgjatë kësaj dite, në mbarë botën organizohen takime dhe aktivitete të ndryshme që kanë lajtmotiv artin e përkthimit dhe përkthyesin.
Bisedë me përkthyesit:
Edmond Tupja dhe Diana Kastrati
Blendi Salaj (Moderator), Club FM-TV
E premte, 30 shtator
Organizator:
Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë
Partnerë:
Fondacioni Konrad Adenauer
Ministria e Kulturës
Edicioni III
#TIRANALEXON PëR Të KUJTUAR
22‒24 TETOR 2018, TIRANË
#TiranaLexon është një nismë letrare publike, e cila nisi si një maratonë leximi në kafenetë letrare, shkolla, biblioteka nga IDMC-ja në partneritet me Ministrinë e Kulturës. Bashkë me të rinjtë dhe qytetarët lexojnë edhe personazhe të njohur të skenës kulturore, mediatike dhe politike të vendit.
Në dallim nga sezonet e kaluara, këtë vit, #TiranaLexon vjen me disa risi, së pari në zgjedhjen e një tematike të saj: #TiranaLexon për të kujtuar. Në qendër të aktiviteteve do të jetë tema "Identiteti dhe Kujtesa". Identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë. Çdo përpjekje e jona për t'i dhënë kujtimeve, përvojave të jetuara, synimeve, anktheve dhe shpresave tona një formë të caktuar, për t'i rikonstruktuar dhe ridimensionuar ato, është pjesë e pandashme e këtij procesi. Autorët e pranishëm gjatë ditëve të #TiranaLexon2018 do të ndajnë me publikun pikërisht qasjet e tyre autobiografike në veprën e tyre dhe pengesat e hasura në procesin identifikues në të shkuarën e deri më sot.
PROGRAMI
DITA 1
DITA 2
DITA 3
Vendi: Europa House, Pallati i Kongreseve, Tiranë
10:00 – 12:00
Lexime dhe diskutime: Besa Myftiu (autore)
Moderon: Lili Sula (kritike letrare)
Besa Myftiu është autore shqiptare-zvicerane që shkruan në gjuhën franceze. Ajo është autore e dhjetëra librave në proze e poezi të botuara në Zvicër. Një pjesë e tyre janë përkthyer e botuar në gjuhën shqipe. Mes tyre përmendim: "Rrëfime nga vendet e harruara", "Dashuri në kohën e komunizmit". Librat e Besës kanë brenda pjesë të kujtesës parë me një vështrim nga e ardhmja. Gjithashtu, në to mbizotëron gjuha e gjallë, epërsia e elementit femëror dhe mendjehapësia.
E hënë, 22 tetor
Vendi: Europa House, Pallati i Kongreseve, Tiranë
10:00 – 12:00
Lexime dhe diskutime: Karsten Dümmel (autor), Albert P. Nikolla (antropolog)
Moderon:
Jonila Godole
Karsten Dümmel është autor gjerman dhe aktivist i të drejtave civile të RDGJ-së. Për shkak të qëndrimit të tij opozitar dhe kritik gjatë regjimit ai u përndoq, u burgos dhe u persekutua. Prej vitit 1988, Dümmel ka dhënë leksione në shumë vende të botës dhe ka botuar shumë vepra letrare dhe eseistike.
Albert P. Nikolla është antropolog kulturor. Ka kryer studimet universitare dhe doktoraturën në Itali. Është autor i disa botimeve shkencore në Itali dhe Shqipëri. Botimi i tij mbi "Njeriun e ri shqiptar" ka qenë veçanërisht i vlerësuar nga qarqet shkencore në Itali. Është pedagog i ftuar në Universitetin e Firences në Itali.
Vendi: Shkolla e mesme "Isa Boletini", Vorë, Tiranë
11:00 – 12:00
Lexime dhe diskutime: Agim Baçi (autor)
Moderon:
Ergisa Cenuka (gazetare)
Agim Baçi është kritik, eseist dhe gazetar, autor i disa librave me ese dhe me poezi. Mes tyre përmendim studimin "Përse e sollën Doruntinën?" dhe "Letër Dylqinjës së Tobozës", për esenë me të njëjtin titull u nderua nga Ambasada Spanjolle në Tiranë me çmimin "Don Kishot në Letërsi". Prej vitit 1992 boton në shtypin shqiptar. Aktualisht është editorialist në gazetën "Panorama" dhe drejtues i revistës 3-mujore "Medius".
E martë, 23 tetor
Vendi: Salla Franceze e Leximit, Biblioteka Kombëtare, Tiranë
10:00 – 12:00
Kuarteti letrar lexon veprat:
"Kohë e pamjaftueshme" - Helena Kadare
"Valsi i lumturisë" - Ylljet Aliçka
"A është vallë njeri?" - Primo Levi
"Më kujtohet" - Ylli Demneri
Moderojnë:
Jonila Godole, Agim Baçi, Ledia Dushi, Beti Njuma
Kuarteti letrar është një risi në diskutimin dhe leximin e letërsisë, i cili bashkon gazetarë, profesorë, kritikë e dashamirës arti në prezantimin dhe diskutimin e veprave letrare që kanë lidhje me temën. Ata diskutojnë me njëri-tjetrin përballë një publiku në sallë dhe komentojnë, promovojnë e analizojnë veprat.
Vendi: Shkolla e mesme "Ismail Qemali", Tiranë
15:00 – 17:00
Lexime dhe diskutime: Saimir Muzhaka (autor), Gëzim Peshkëpia (autor)
Moderon:
Teuta Berisha (letrare)
Gëzim Peshkëpia ka qenë i përndjekur familjarisht dhe i burgosur nga regjimi komunist në Shqipëri, prej vitit 1990 jeton mes Gjermanisë dhe Shqipërisë. Ai është autor i disa memuareve, mes tyre përmendim "O Njeri" dhe "Një zemër në mërgim". Një librat e Gëzimit gjen fakte domethënëse për vuajtjet që ka kaluar familja e tij, por edhe shoqëria shqiptare. Të bën përshtypje mendja e hapur dhe dëshira për të dialoguar me optimizëm për një të kaluar të errët. Dhe shumë këshilla te vlefshme për brezin e ri.
Saimir Muzhaka është një autor i ri, si cili sapo ka botuar romanin e tij të parë "Qyteti plak". Ky roman është shpallur fitues i Fondit për Krijimtarinë Letrare të Ministrisë së Kulturës. Në libër Saimiri shkruan për të kaluarën që është në rrënjët tona, por parë nga përditshmëria e një të riu që duhet të përballet me luftën e brezave, por edhe me shpresat për të ardhmen.
E mërkurë, 24 tetor
#TIRANALEXON2018
Përmbledhje e aktivitetit #TiranaLexon2018.
Të nderuar partnerë dhe mbështetës të projektit #TiranaLexon2018,
edicioni i pestë i #TiranaLexon, i kësaj nisme letrare, e cila tashmë ngjan kaq familjare për të gjithë miqtë e librit, këtë vit ngjalli interes të veçantë falë tematikës së përzgjedhur: "Identiteti dhe Kujtesa" në veprat e autorëve të njohur. Vëmendje të madhe për këtë aktivitet treguan kryesisht studiuesit, gazetarët , autorët, shkrimtarët, dhe botuesit të cilët ishin të pranishëm gjatë 3 ditëve të aktivitetit tonë (22–24 tetor 2018).
Autorja shqiptaro-zvicerane Besa Myftiu, ishte ajo e cila çeli këtë vit të #TiranaLexon nën moton "Tirana Lexon për të kujtuar". Besa Myftiu lexoi dhe diskutoi me moderatoren Prof. Doc. Lili Sula dhe me publikun pjesëmarrës për jetën e saj përtej Shqipërisë, por dhe krijimtaria e saj që vjen me një këndvështrim individual dhe të veçantë të së kaluarës u prit me kuriozitet dhe dëshirë nga publiku, i cili në jo pak raste i drejtoi asaj pyetje apo komente.
Duke synuar zbulimin e rolit të letërsisë në fushën e ballafaqimit me të shkuarën, aktiviteti i ditës së dytë të "Ditëve të Kujtesës" u zhvillua në ambientet e "Europa House". Autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe po kështu përmes pyetje-përgjigjeve me të pranishmit në sallë.
Ashtu sikurse pritej, interesi ishte i madh. Ish-të përndjekur, zyrtarë të përfaqësisë diplomatike, historianë dhe plot të rinj të shkollave të Tiranës ndoqën me mjaft vëmendje këndvështrimet e dy të ftuarve rreth shkatërrimit të identitetit njerëzor nga sistemet diktatoriale dhe pasojat që ndeshen në ditët e sotme në shoqëritë respektive, Gjermani apo dhe Shqipëri.
Tema e aktivitetit u përqendrua te "Identiteti dhe kujtesa". Për këtë pjesë Godole tha në fjalën e saj përshëndetëse se "identiteti krijohet në një proces autobiografik, ku ndërthuren kujtimet dhe rrëfimet që kanë shoqëruar jetën tonë". Ajo tha se "çdo përpjekje për t'u dhënë kujtimeve formë është pjesë e pandalshme e këtij procesi".
Interesante për të pranishmit ishte fakti se në këtë aktivitet u tregua se gjatë përndjekjes së tij Dümmel kishte kërkuar të dilte jashtë Gjermanisë Lindore plot 56 herë deri sa në vitin 1988 "u ble" nga Republika Federale. Dümmel tregoi se për këtë proces ishte e nevojshme ndërhyrja nga jashtë, sepse "mund t'i drejtoheshe gjithkujt me letra, por ishte e vështirë të të mundësohej kjo gjë". Ai theksoi gjithashtu se sikurse shqiptarët e thjeshtë edhe ai e kishte pasur të pamundur lëvizjen duke thënë se në përgjithësi "ata që lëviznin jashtë kishin lidhje politike ose ishin të Stasit".
Në diskutimin tjetër antropologu Albert Nikolla tregoi për librin e tij "Njeriu i ri shqiptar". Nikolla foli gjerësisht për aspektet që e formonin njeriun e periudhës së diktaturës. Ai tha se i ashtuquajturi "njeri i ri" duhej të ishte besnik ndaj Partisë dhe të jepte jetën për të, nuk duhej të ishte indiferent, por të spiunonte, të shpifte, të trillonte dhe të ishte agresiv ndaj "njeriut të vjetër". Duke u lexuar pasazhe nga libri, Nikolla theksoi se përmes krijimit të "njeriut të ri" komunistët arritën që të zhduknin elitat dhe në ditët e sotme të mundnin të trashëgonin një tipar sikurse është "ndjesia e mosbesimit dhe e frikës".
Ndërsa paralel me këtë aktivitet një pjesë e #TiranaLexon u zhvendos në gjimnazin "Isa Boletini" në Vorë, ku autori dhe kritiku Agim Baçi, zhvilloi me nxënësit e kësaj shkolle një takim të hapur për veprën e tij. Ai përçoi tek të rinjtë mesazhe të forta mbi të lexuarin si një mënyrë për ta parë botën ndryshe, dhe marrëdhëniet që duhet të vendosin të rinjtë sot me librin dhe autorët e tyre.
Ndërkaq #TiranaLexon për të kujtuar në ditën e tretë prezantoi para publikut të ri "Kuartetin Letrar", një format risi ku në qendër të diskutimeve ishin katër vepra që trajtonin tematikën e kujtesës dhe identitetit. "Kuarteti" u mbajt në Sallën Franceze të Leximit mes studentësh dhe dashamirës të librit dhe u përshëndet nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.
Sipas ideatores së "Kuartetit", Jonila Godole, përkthyese dhe pedagoge e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit, ky format synon të nxis debatin profesional mbi librat dhe ta vendosi fokusin më shumë te vepra, se sa te autori. Veprat e marra në diskutim në "Kuartet" ishin "Kohë e pamjaftueshme" nga Helena Kadare, "Valsi i Lumturisë" nga Ylljet Aliçka, "A është, vallë, njeri...?" nga Primo Levi dhe "Më kujtohet" nga Ylli Demneri. "Kuarteti" u bashkëmoderua nga gazetarja Beti Njuma, poetja Ledia Dushi, kritiku letrar Agim Baçi dhe Jonila Godole, të cilët ishin njohur më parë gjerësisht me secilën nga këto vepra.
"Kuarteti" ndezi debat konstruktiv për të gjitha veprat e paraqitura aty.
Në pasditen e datës 24 tetor, #TiranaLexon u zhvillua në gjimnazin "Ismail Qemali", aty ku nxënësit e kësaj shkolle u përfshinë në një maratonë të vërtetë leximi duke lexuar pjesë nga veprat e dy autorëve të pranishëm Gëzim Peshkëpia dhe Saimir Muzhaka.
Falënderojmë në mënyrë të veçantë Ministrinë e Kulturës për mbështetjen e këtyre aktiviteteve, si dhe partnerët tanë: Biblioteka Kombëtare dhe Europa House.
Theksojmë se #TiranaLexon këtë vit tërhoqi vëmendjen e mjaft medieve në vendin tonë, ku u pasqyruar me korrektësi në disa emisione televizive, shkrime gazetare dhe portale të ndryshme informative, si dhe u ndoq nga afër nga një audiencë e kualifikuar. Në vazhdim gjeni linqet përkatëse që evidentojnë mbulimin e medieve.
Sinqerisht,
Dr. Jonila Godole, Drejtore e #TiranaLexon2018
2019
MAJ
2016
2018