Letërsia si vend kujtese
#TiranaLexon për të përkujtuar revoltën e Spaçit

Tiranë, 22 maj 2018 — Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) në përkujtim të 45 vjetorit të Revoltës së Spaçit do të organizojë aktivitetin "Letërsia si vend kujtese – #TiranaLexon për të kujtuar" më datë 22 maj, ora 11:00–13:00, në sallën e konferencës së Europe House.

"TiranaLexon për të kujtuar" çel serinë e aktiviteteve "TiranaLexon 2018", e cila do të pasojë me aktivitete të tjera gjatë kësaj jave dhe në muajt në vazhdim. Aktiviteti #TiranaLexon, inicuar nga IDMC që në vitin 2015, synon të afrojë publikun me librin dhe ta kthejë leximin në një trend, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera.

Këtë vit duke pasur parasysh kontributin e IDMC-së në fushën e kujtesës, #TiranaLexon nis me një kombinim të pasionit për leximin, me reflektimin për të shkuarën në një sesion me studentët e Universitetit të Tiranës. Ndryshe nga vendet e tjera që janë ballafaquar me të shkuarën apo janë ende në atë proces, Shqipëria nuk ka ende një panoramë të gjerë e të qartë në të cilën të angazhohet plotësisht me të kaluarën e saj komuniste – për të trajtuar shkeljet sistematike dhe ashpra të të drejtave të njeriut, të cilat kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në shoqërinë shqiptare.

Prandaj, IDMC fton autorë dhe studentë të lexojnë dhe të diskutojnë mbi të kaluarën e ashpër të Shqipërisë me të ftuarit tanë: Fatos Lubonja, i cili do të lexojë dhe diskutojë me të pranishmit pjesë nga libri i tij "Ridënimi", me kujtime personale nga burgu komunist; Fatbardha Saraçi, e cila me librin e saj "Dhimbje" do të sjellë pjesë të historive të dhimbshme të grave shqiptare që ishin viktima të regjimit komunist; Gëzim Peshkëpia do të sjellë kujtime personale nga burgu komunist, përmes librit të tij "O njeri"; dhe Arlinda Çausholli do të lexojë dhe diskutojë nga libri i saj "Çizmet e verdha" tregimin "Krahët e lirisë dhe Rini Monajka" mbi historinë e një heroi të lëvizjes antikomuniste në Shkodër në vitin 1990.

 

Programi i detajuar gjendet këtu: https://idmc.al/letersia-si-vend-kujtese.html

 

Për çdo detaj rreth aktivitetit, na ndiqni në fanpage-in tonë në Facebook ose na kontaktoni në office@idmc.al.

 

Tirana Lexon ju mirëpret të gjithëve!

Logo e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, IDMC

© 2015‒2018 Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë

IDMC në Twitter IDMC në Facebook IDMC në YouTube